Insajderi
Lajme

Si u zbulua Avdyl Daci, i dyshuari për grabitjen me armë e dhunë në Pejë – Nga vetura me qira te taksisti

Insajderi
08 August 2026 - 12:05
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Si u zbulua Avdyl Daci, i dyshuari për grabitjen me armë e dhunë në Pejë – Nga vetura me qira te taksisti
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Gjykata Themelore në Pejë i ka caktuar masën e paraburgimit Avdyl Dacit, i dyshuar për veprën penale “grabitja”, lidhur me një rast të ndodhur në dhjetor të vitit 2025 në Pejë.

Daci dyshohet se më 20 dhjetor 2025, rreth orës 03:10, në rrugën “Çamëria” në lagjen “Asllan Qeshme”, së bashku me dy persona të tjerë ende të paidentifikuar, ka marrë pjesë në një grabitje të armatosur në një shtëpi.

Armë, kanosje dhe grabitje, çka thuhet në kërkesën për paraburgim?

Gjykata thotë se ekziston “dyshimi i arsyeshëm” se të dyshuarit, me përdorimin e armës, mjeteve të rrezikshme dhe kanosjes serioze, kanë hyrë në shtëpinë e familjes Gashi me qëllim përfitimin e kundërligjshëm pasuror.

Në kërkesën e prokurorisë thuhet se gjatë grabitjes, të dëmtuarit dyshohet se janë kërcënuar, ndërsa një grua edhe ka pësuar lëndime trupore , shkruan Insajderi.

“Me datën 20.12.2025 rreth orës 03:10 min., në Pejë, rr. ‘Çamëria’ nr. 49, në lagjen Asllan Qeshme, duke vepruar si anëtar të grupit të armatosur edhe me dy persona të panjohur deri më tani, me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme”, thuhet aty.

Tre personat paraprakisht ishin marrë vesh për kryerjen e grabitjes.

Ata dyshohet se kishin përdorur një veturë të marrë me qira sipas Gjykatës, Daci e kishte larguar veturën nga ajo zonë dhe, pas mesnatës, kishte thirrur një taksi.

Nga zona pranë shkollës së artit, tre personat kanë kaluar përmes një ure drejt banesave “Dukagjini”, në lagjen “Jarina”, ku kanë hyrë në garazhet nëntokësore dhe kanë qëndruar për një kohë.

Më pas kishin ndërruar rrobat, vendosur maska e doreza dhe mbuluar fytyrat. Më pas, sipas aktvendimit, ata kishin hyrë në shtëpinë e familjes duke thyer xhamin e derës së hyrjes dhe duke dëmtuar cilindrin e derës.

Në momentin kur e dëmtuara kishte tentuar të hapte derën e dhomës, të dyshuarit dyshohet se e kishin shtyrë derën dhe e kishin goditur, duke i shkaktuar lëndime në ballë dhe fytyrë.

“Pas kësaj, nën kërcënimin e armës, sëpatës dhe thikës, të dëmtuarit Gjemi i marrin rreth 1.200€, të dëmtuarës ari në vlerë rreth 23.000€ dhe të dëmtuarit një telefon të markës ‘IPHONE 14 ProMax’”, thuhet në aktvendim.

Hetimet për këtë rast kanë nisur nga prokurori Ersan Qavolli.

Policia e Kosovës, Sektori Rajonal i Hetimeve në Pejë, kishte dorëzuar raportin informues lidhur me rastin më 9 janar 2026, ndërsa gjatë muajve në vijim Prokuroria kishte ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore, përfshirë sigurimin dhe analizimin e video-incizimeve, urdhra për masa të veçanta hetimore dhe veprime të tjera hetimore.

Në mesin e provave të shqyrtuara nga Prokuroria janë raportet policore, deklaratat e të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, raportet mjekësore, fotografitë, video-incizimet, procesverbali i identifikimit të personit, dokumentet për marrjen me qira të veturës, raportet e ekspertizës, si dhe raporti mbi marrjen e mostrës së ADN-së nga i dyshuari.

“Prokurori i çështjes ka analizuar dhe vlerësuar shkresat e lëndës”, thuhet në aktvendim, duke u renditur më pas një numër i madh dokumentesh dhe provash të administruara gjatë hetimit.

Gjykata ka vlerësuar se nga provat e mbledhura ekziston dyshimi i arsyeshëm se Daci është kryerës i veprës penale për të cilën po hetohet.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark