×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Siç ranë akuzat për trafikim, do të bien edhe akuza për Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale

    Insajderi
    02 November 2024 - 15:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shkruan: Ardian Bajraktari

    Kur qenë bërë publike akuzat nga i ashtuquajturi Raport i Dick Martyt, akuzat ishin shumë të rënda. Siç dihet, ato që lidheshin me trafikim organesh, në rrethana kur njerëzit vdisnin për mungesë mjekësh dhe për mungesë të trajtimit elementar mjekësor, herët ose vonë ato do të binin dhe ajo njollë e zezë u hoq.

    Tash, teksa po vazhdon beteja ligjore në procesin gjyqësor, si më jo transparenti i proceseve të tilla, sfidë mbetet termi “Grupi i Strukturuar Kriminal” (Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale).

    Çka është ky grup dhe cilat janë elementet?

    Elementet esenciale të grupit të strukturuar kriminal (Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale), janë: koha, përbërja si dhe qëllimi e si të tilla duhet të plotësohen të tri këto kushte/elemente të kësaj akuze tepër të rëndë.

    Sa i përket kohës, për t’u cilësuar një grup si grup i strukturuar e kriminal, i njëjti duhet të funksionojë/ekzistojë për një kohë të caktuar, po ashtu vazhdimësia e tij është element i rëndësishëm si dhe se i njëjti nuk është formuar rastësisht për kryerjen e menjëhershme të veprave penale.

    Krahas kohës, përbërja po ashtu është nga elementet determinuese, ku për t’u cilësuar një grup si grup i strukturuar kriminal duhet të përbëhet nga tre apo më shumë persona dhe se nuk është e nevojshme që anëtarët e këtij grupi të kenë rrole formalisht të përcaktuara.

    Edhe qëllimi po ashtu është shumë i rëndësishëm, ku për grupet e tilla qëllim janë kryerja e veprave të caktuara kryesisht veprave të rënda penale, për përfitim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të dobisë financiare apo dobisë tjetër pasurore.

    Themelimi i Grupit për Prokurorinë, e të lavdishmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për popullin, nuk ishte i rastësishëm, ishte nevojë dhe domosdoshmëri e kohës, pra nuk është formuar rastësisht, por, jo për kryerjen e menjëhershme të veprave penale, por për ndaljen e veprave penale të okupatorit serb në Kosovë, e mbi të gjitha çlirimin e vendit.

    Po ashtu edhe përbërja e këtij Grupi, ndryshe nga që pretendon Prokuroria, kishte përbërje të tillë, ku nuk ishte e mundur të definohej roli, raportimi e aq më pak në rrethana lufte, të luftës guerile dhe vullnetare.

    E mbi të gjitha në rrethana të rastit konkret qëllimi i këtyre personaliteteve të cilët po ballafaqohen me këto akuza, ka qenë çlirimi i vendit, e për një vend të pushtuar, organizimi i aktiviteteve përkatësisht lufta për liri dhe çlirim është vepër e “ndëshkueshme” vetëm për pushtuesin dhe “ligjet e tij”.

    Po ashtu, disa prej dëshmive, që u diskutuan jo pak në publik dhe madje u interpretuan në forma të ndryshme, në aspektin procedural e gjyqësor këto dëshmi, përkatësisht deklarime shkojnë në favor të ish krerëve të UÇK-së, veçmas në drejtim të rrëzimit të tezës rreth “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, si duket, Prokuroria mbase i ka bërë llogaritë gabim.

    Në pyetjet se të njëjtit, si pjesë e luftës a i kanë raportuar Shtabit të Përgjithshëm, deklaronin, se “Jo”, dhe se gjatë luftës të njëjtit kanë raportuar diku tjetër, por, jo te Shtabi i Përgjithshëm.

    Kjo dëshmi e përforcon faktin e mirënjohur se UÇK ka qenë ushtri popullore me mision çlirimin nga Serbia, dhe se e njëjta nuk ka pas strukturë komanduese, ku jo secili që ka marrë armë për të luftuar për lirinë e popullit ka raportuar te Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Prandaj, edhe kjo akuzë si re e zezë mbi Kosovën dhe historinë e saj të lavdishme, domosdo duhet dhe do të bije, me çka do të rikonfirmohet se lufta e popullit të Kosovës për liri, ishte në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe si e tillë u përkrah nga vendet e botës demokratike.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Op-Ed
    03 December 2024
    Op-Ed
    03 December 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark