Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka vendosur të anulojë protestën e paralajmëruar për nesër, pas takimeve të zhvilluara me Menaxhmentin dhe Bordin e KEK-ut.
Përmes një njoftimi, Sindikata ka bërë të ditur se ka vendosur të kontribuojë në Task-Forcë, siç u shprehën ata, me qëllim të mbrojtjes së interesave të punëtorëve dhe të KEK-ut.
“Pas takimeve të djeshme me Menaxhmentin dhe Bordin e KEK-ut, Sindikata e Re ka marrë vendim që të kontribuojë në Task-Forcë, për të mirën e punëtorëve dhe KEK-ut”, thuhet në njoftim.
Sipas Sindikatës, ky vendim dëshmon gatishmërinë për të marrë përgjegjësi, bashkëpunuar dhe kontribuar në interes të përgjithshëm të punëtorëve.
“Mesazhi që dhamë sot në protestën në Prishtinë ishte i qartë. Besojmë se serioziteti dhe sinqeriteti i Sindikatës së Re në mbrojtje të punëtorëve është kuptuar nga të gjithë”, thuhet më tej.
Kryesia e Sindikatës ka bërë të ditur se gjatë javëve të ardhshme do të zhvillojë takime me kryesitë e tri divizioneve të KEK-ut. /Insajderi.org/