Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti ka takuar Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borell, me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë, përfshirë targat dhe tensionimin në Veri, pas daljes së serbëve nga institucionet.
Siç njofton ZKM, Kurti ka theksuar elementet e kornizës për marrëveshje për normalizim të raporteve me Serbinë në të cilin përfshihet njohja reciproke ndërkohë ka thënë se propozimi franko-gjerman është bazë e mirë për diskutime të mëtejshme.
“Kryeministri Kurti theksoi elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër, ndërsa tha se propozimi franko-gjerman, që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”, thekson komunikata.
Sa i përket zhvillimeve në veri, Kurti i ka thënë Borellit se Kosova është e vendosur për sundim të ligjit dhe e përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe sigurisë.
“Duke biseduar për zhvillimet e fundit në veri të vendit, Kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës ka treguar vendosmërinë për sundimin e ligjit dhe përkushtimin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend”, përfundon komunikata.