Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para nisjes së mbledhjes së Qeverisë, ka folur mbi situatën e krijuar në veri.
Kurti i ka bërë thirrje edhe një herë serbëve të mos të mos i bojkotojnë dhe braktisin institucionet.
“Sundimin e ligjit e kemi obligim institucional, nuk është zgjidhje është detyrim. Ata që po urdhërojnë braktisjen e institucioneve të Kosovës janë ata që po iu pengon luftimi i kriminalitetit”, tha Kurti, shkruan Gazeta Insajderi.
Serbët, tha ai, kanë probleme me sulmet, bombat, trysninë e kërcënimet me të cilat po përballen, duke theksuar se ato po urdhërohen nga Beogradi.
“Ne jemi qeveri e të gjithëve, kundër kriminelëve”, tha Kurti, shkruan Gazeta Insajderi.
Derisa ka treguar se shqiptimi i vërejte tek veturat me targa serbe ka vazhduar, pa asnjë incident.
Më 1 nëntor, Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit të saj prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.
Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.
Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.
Besohet se në Kosovë janë rreth 10 mijë makina me targa serbe.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjim pse Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrjen e afatit për riregjistrimin për targat.
SHBA-ja ka thënë se pajtohet me BE-në që zhvillimet e fundit në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, rrezikojnë përparimin e rëndësishëm që është arritur në dialogun mes këtyre dy vendeve, nën ndërmjetësimin e bllokut evropian.
“Tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mospajtimet aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar edhe më shumë tensionet. Shtetet e Bashkuara i bashkohen BE-së në thirrjen që përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë të veprojnë në përputhje me përkushtimet e bëra në dialog dhe që t’iu kthehen institucioneve të Kosovës, duke përfshirë Policinë, Gjyqësorin dhe administratën lokale”, ka thënë Christopher Hill për televizionin N1.
Serbët ishin integruar në institucionet e Kosovës në fushën e drejtësisë dhe sigurisë, pasi Prishtina dhe Beogradi kishin arritur një marrëveshje më 2013, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga blloku evropian./Gazeta Insajderi/