×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Skandal i Ministrisë së Çekut, 3.5 milionë euro subvencione të paraportuara, shmangie tatimi e konflikt interesi

    Insajderi
    04 June 2024 - 15:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministra e Kulturës që drejtohet nga Hajrulla Çeku i Vetëvendosjes, është kapur nga Auditori i Jashtëm duke shpenzuar para në fushën e sportit përmes subvencioneve, e para të arkës shtetërore këto për të cilat nuk ka raporte. Në disa raste është gjetur që ka dhënë para edhe pa thirrje publike fare. Auditorët kanë shikuar edhe sponsorizimet dhe kanë ngritur dyshime serioze për shmangie tatimi nga firmat private, si dhe konflikt interesi nga komisionet brenda ministrisë.

    Gazeta Insajderi

    “Edhe pse organizatat sportive kanë përfituar fonde subvencionimi nga MRKS, ato nuk kanë raportuar në vlerën prej 3.5 milion euro se si i kanë shpenzuar këto fonde”, kështu ka konstatuar Zyra Kombëtare e Auditimit  në një këqyrje të veçantë që i ka bërë vetëm fushës së sportit në fondet e Qeverisë së Kryeministrit Albin Kurti.

    Në këtë raport Auditori i jashtëm tregon se këto 3.5 milionë janë për periudhën 2020-2022, derisa thotë që për vitin 2023, kur e kanë kryer auditimin kanë gjetur edhe afro 1 milionë euro të tjera të pambyllura me raport- ani pse ishte koha e mbylljes së raportimeve, raporton Insajderi.

    “Pas përfundimit të auditimit, ne kemi marrë shënime të mëvonshme nga MKRS që tregojnë se figurojnë avanset e pambyllura mbi 936 mijë euro të cilat kishin afat për mbyllje përgjatë vitit 2023”, thuhet në raportin në fjalë dhe shtohet se “është e rëndësishme të sqarojmë se procesi ynë i rishikimit ka përfunduar me përfundimin e auditimit andaj, çdo informacion i marrë ose zhvillimet që ndodhin pas kësaj periudhe nuk i janë nënshtruar vlerësimit apo testimit tonë”.

    Organizatat sportive përveç financimit të rregullt me memorandume bazë për subvencionim përfitojnë edhe memorandume shtesë (aneks),  “për të cilat nuk kemi gjetur se kjo forme e financimit është e rregulluar me akte të brendshme administrative”, konstaton raporti, shkruan Insajderi.

    Në disa raste shuma në aneks e tejkalon atë në memorandum bazë, dhe sipas Auditorit “kjo mënyrë e financimit tregon për mungesën e transparencës dhe përgjegjshmërisë në raportimin e shpenzimeve të organizatave sportive”.

    “Përveç financimeve me memorandume dhe me thirrje, MKRS ka financuar organizatat sportive edhe pa thirrje publike, vetëm me kërkesa drejtuar në Ministrinë, formë të cilën nuk e ka të paraparë në ligje dhe rregullore. Edhe pse organizatat sportive kanë përfituar fonde subvencionimi nga Ministria, ato nuk kanë raportuar në vlerën prej 3.5 milion euro se si i kanë shpenzuar këto fonde”, thuhet në raport.

    Dyshime për shmangie tatimi

    Një pjesë të raporti, Auditori i jashtëm është fokusuar edhe tek financimi i sportit përmes sponsorizimeve, dhe ka ngritur dyshime serioze për shmangie tatimi nga firmat private.

    “Nga 45 mostrat e testuara kemi gjetur se mbi 490 mijë euro nuk janë transferuar tek klubet sportive si sponosorizim nga kompanitë private edhe pse në Administratën Tatimore të Kosovës kompanitë kishin raportuar se i kishin dhënë këto mjete për sponsorizim”, thuhet në raport, shkruan Insajderi.

    Për më tepër këto kompani private sponsorizuese janë liruar nga tatimi dhe si rrjedhojë nuk i kanë paguar tatim shtetit.

     Përveç kësaj, sipas Auditorit “klubet sportive kanë përfituar sponsorizim mbi një milion euro nga kompanitë private e për të cilat nuk kanë pasur vërtetim për sponsorizim nga ana e MRKS”, thuhet në raport dhe konstatojnë se “mungesa e koordinimit ndërmjet Ministrisë ATK-ë ka bërë që mos të ketë kontroll të duhur për shumat e sakta që duhet tatuar dhe liruar nga tatimi”.

    Nga shënimet të cilat kemi Auditori i jashtëm, siç raporton Insajderi,  ka pranuar del që 45 biznese që kanë deklaruar në ATK se kanë bërë sponsorizime, rreth 490,347 euro nuk janë transferuar në llogari të organizatave sportive dhe as nuk janë paguar shtetit si tatim i obliguar.

    Po ashtu nga kjo analizë e të dhënave shihet se nga mostrat e përzgjedhura 45 klube kanë përfituar sponsorizim në vlerë prej 1,083,246 euro duke mos poseduar vërtetim nga MKRS për sponsorizim të sportit.

    “Ndërkaq, nga mostrat e përzgjedhura, 129 klube përfituese të sponsorizimit nuk kanë dorëzuar informatat në ATK sipas ligjit të sponsorizimit.

    Për dy rastet të tjera ku kompanitë kanë keq-deklaruar në ATK, siç shkruan Insajderi, gjatë vitit 2021, as ATK apo MKRS nuk kanë qenë të informuara për këto gabime edhe pse sipas ligjit, 30 ditë pas përfundimit/realizimit të marrëveshjes duhet të raportohet ne ATK.

    Auditori i jashtëm bën me dije se MKRS-ja dhe ATK-ja janë pajtuar pjesërisht me gjetjet dhe konkluzionet e auditimit, derisa nuk është bërë me dije në raport se a do ta hetojë ATK-ja mundësinë e shmangies së tatimit në rastet kur firmat private përfituan lirim nga taksat për sponzorizim të sportit, por nuk i dërguan ato para në organizatat sportive.

    Konflikt interesi i mundshëm brenda MKRS-së në favor të firmave private

    Praktika që është duke e aplikuar MKRS ngre shqetësime për konflikte të mundshme interesi brenda komisionit përgjegjës për lëshimin e vërtetimeve të sponsorizimit dhe vlerësimin e shpenzimeve të fondeve, thuhet në raportin ZKA-së.

    “Kur një komision i vetëm ngarkohet me të dyja funksionet, ekziston një rrezik i natyrshëm që procesit të vlerësimit t’i mungojë paanshmëria dhe integriteti i nevojshëm. Ky konflikt i mundshëm mund të rrezikojë besueshmërinë e procesit të vlerësimit dhe integritetin e rezultateve të raportuara”, thuhet në këtë raport, shkruan Insajderi.

    Për të adresuar këtë shqetësim, disa vende ose organizata miratojnë praktika që përfshijnë komisionet e veçanta për këto dy funksione thelbësore.

    Kjo ndarje shërben për të rritur përgjegjshmërinë, transparencën dhe besueshmërinë e përgjithshme të procesit të vlerësimit të sponsorizimit.

    “Rregullorja e MKRS-së përcakton se i njëjti komision do të trajtojë lëshimin e vërtetimeve të sponsorizimit dhe vlerësimet e shpenzimeve të fondeve, megjithatë miratimi i një qasjeje apo praktike më të mirë që përfshin ndarjen e këtyre detyrave mund të ndihmojë në zbutjen e konflikteve të mundshme të interesit dhe të përforcojë besueshmërinë e procesit të vlerësimit”, thuhet në raport dhe bëhet me dije se “ndarja e detyrave të punës përputhet me standardet ndërkombëtare dhe promovon transparencën dhe llogaridhënien në menaxhimin e sponsorizimit”./Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark