Insajderi
Insporti

Skandal para Botërorit 2026: Arbitrit somalez i ndalohet hyrja në SHBA, humbet ëndrrën e Kupës së Botës

Insajderi
09 June 2026 - 16:30
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Skandal para Botërorit 2026: Arbitrit somalez i ndalohet hyrja në SHBA, humbet ëndrrën e Kupës së Botës
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Arbitri somalez Omar Artan ka reaguar publikisht pasi iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pavarësisht se ishte përfshirë në listën zyrtare të FIFA-s për Kupën e Botës 2026.

34-vjeçari, i cili ka gjykuar më parë ndeshje në Kupën e Kombeve të Afrikës, pritej të bëhej somalezi i parë që do të arbitronte në fazën finale të një Kupe Bote, pasi ishte përzgjedhur nga Konfederata Afrikane e Futbollit (CAF) si një nga përfaqësuesit e kontinentit.

Artan kishte njoftuar në një postim në Facebook se kishte siguruar një pasaportë diplomatike me ndihmën e Ambasadës së Somalisë, për të lehtësuar udhëtimin e tij pas problemeve të mëhershme me vizën.

Ai udhëtoi nga Nairobi drejt Turqisë dhe më pas në Miami, por autoritetet amerikane i refuzuan hyrjen në vend. Që atëherë, ai është kthyer në Stamboll.

FIFA e konfirmoi zyrtarisht lajmin për SPORTbible, duke bërë të ditur se Artan nuk do të jetë pjesë e Botërorit 2026.

“FIFA mund të konfirmojë se zyrtari i ndeshjeve Omar Abdulkadir Artan nuk do të jetë në gjendje të stërvitet dhe të gjykojë në Kupën e Botës 2026 pasi iu refuzua hyrja në Shtetet e Bashkuara”, deklaroi një zëdhënës i FIFA-s.

Tutje, organi qeverisës i futbollit botëror sqaroi se nuk ka rol në procedurat e emigracionit të vendit pritës.

“FIFA nuk është e përfshirë në proceset e emigracionit të vendit pritës, përfshirë shqyrtimin e vizave, dhe është informuar nga autoritetet se statusi i zotit Artan nuk do të ndryshohet për momentin. Në përputhje me ngjarjet e mëparshme të FIFA-s, qeveria e vendit pritës vendos përfundimisht se kujt i jepet viza dhe kujt i lejohet hyrja në vend”, thuhet në deklaratë.

Somalia është një nga vendet e përfshira në listën e ndalimit të udhëtimeve të presidentit amerikan Donald Trump, megjithatë deri më tani nuk është bërë publike ndonjë arsye specifike për refuzimin e hyrjes së Artanit.

Pavarësisht zhgënjimit, arbitri somalez u shpreh i qetë dhe optimist për të ardhmen.

“Pavarësisht rrethanave, jam në humor pozitiv dhe jam i fokusuar te sfidat e ardhshme në karrierën time si arbitër”, tha ai për Reuters.

“Dua të falënderoj FIFA-n dhe CAF-in për gjithë mbështetjen e tyre dhe premtoj se do të vazhdoj të ruaj nivelin tim si arbitër, ndërsa përqendrohem te e ardhmja.”

Artan falënderoi gjithashtu komunitetin e futbollit për mbështetjen e treguar.

“Dua të falënderoj familjen e futbollit për mesazhet e tyre dhe t’u uroj kolegëve të mi shumë sukses gjatë Kupës së Botës. Pres me padurim t’u bashkohem sërish në garat e ardhshme”, deklaroi ai.

Ndërkohë, Andrew Giuliani, drejtues i Task Forcës së Shtëpisë së Bardhë për Kupën e Botës, mbrojti vendimin e autoriteteve amerikane.

Duke folur për BBC, Giuliani tha se Dogana dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA-së (CBP) kishte vepruar drejt.

“Edhe pse nuk mund të hyj në detaje mbi informacionet që çuan në këtë vendim, mund të them se ishte vendimi i duhur nga dogana dhe patrulla kufitare, dhe unë e mbështes atë vendim”, u shpreh ai.

Sipas raportimeve, pas një kontrolli të cilësuar si “rutinë” në Aeroportin Ndërkombëtar të Miamit, Artanit iu refuzua hyrja në SHBA.

Dogana dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA-së nuk dha një arsye konkrete për vendimin.

Një zëdhënës i CBP-së deklaroi:

“Më 6 qershor, një shtetas somalez mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Miamit nga Aeroporti Ndërkombëtar i Stambollit. Gjatë procedurave të kontrollit, udhëtari iu nënshtrua një inspektimi shtesë, pjesë rutinë e procesit të kontrollit të CBP-së kur oficerët duhet të verifikojnë informacionin ose të përcaktojnë pranueshmërinë.

Pas inspektimit, udhëtari, i cili ishte arbitër për Kupën e Botës FIFA, u vlerësua si i papranueshëm për shkak të shqetësimeve të ngritura gjatë procesit të verifikimit dhe iu refuzua hyrja.

Të gjithë udhëtarët që kërkojnë hyrje në Shtetet e Bashkuara, përfshirë sportistët, trajnerët dhe stafin, i nënshtrohen kontrollit dhe verifikimit nga CBP. Vendimet për pranueshmërinë merren rast pas rasti, duke përdorur informacionet e disponueshme nga organet e zbatimit të ligjit, sigurisë kombëtare dhe emigracionit në momentin e kontrollit.

Oficerët e CBP-së kanë autoritetin të marrin në pyetje udhëtarët, të kryejnë inspektime dhe të përcaktojnë pranueshmërinë në përputhje me ligjin amerikan.”


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark