Drejtori Ekzekutiv i Spitalit të Pejës, Fazli Shala, njeriu i afërt me Vetëvendosjen, deri më tani ka shkarkuar 12 persona lidhur me skandalin e foshnjës në Pejë. Ai ka amnistuar zyrtarët e partisë, të cilët po ashtu ishin përgjegjës për rastin.
GAZETA INSAJDERI
Më 13 dhjetor, një grua ka lindur fëmijën e saj në javën e 32-të, për shkak të problemeve shëndetësore. Lindja është kryer me prerje cezariane dhe foshnja ishte nxjerr e vdekur.
Pas operacionit foshnja është vendosur në hapësirat e sallës. Nga pakujdesia e madhe e stafit të Repartit të Gjinekologjisë, foshnja ishte ngatërruar me çarçafët ku bashkë me ta ishte futur në lavatriçe nga një punonjës i pastrimit. Më pas, ishte nxjerr copa-copa nga lavatriçja.
Rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës të cilët kanë deklaruar se hetimet kanë nisur.
“Nga ankuesi, Policia ёshtё informuar pёr njё rast i cili ka ndodhur nё Spitalin Rajonal nё Pejё. Policia menjёherё ka dalё nё vendngjarje, Prokurori i Shtetit, gjithashtu. Nё vendngjarje kanё dalё edhe inspektorёt e shendetёsisё. Rasti, me urdhёr tё Prokurorit tё Shtetit, ёshtё duke u hetuar nga Prokurori i Shtetit dhe inspektorёt e shendetёsisё” thuhet në përgjigjen e Policisë.
Pasi lajmi u bë publik spitali i Pejës doli me një shpjegim duke thënë se rasti kishte ndodhur pa qëllim dhe kishte ardhur si pasoj e mosrespektimit të protokollit strikt të veprimit në raste të trajtimit të frytit të vdekur.
“Ne jemi të vetëdijshëm dhe kemi mision tonin që t’i japim vendit lajme për sukseset në trajtimin dhe shërimin e pacientëve. Fatkeqësisht nuk ia kemi dalë në këtë rast. Duam të sigurojmë opinionin publik se sado e rëndë që është ngjarja ajo është pa qëllim, por ka ardhur si mosrespektim i protokollit strikt të veprimit në raste të trajtimit të frytit të vdekur”, thuhet ne njoftimi e tyre.
Me 16 dhjetor, menjëherë pas identifikimit se kush ka qenë i përfshirë sipas përgjegjësisë së veprimit a mosveprimit spitali i Pejës, njoftoi se kishte suspenduar nga puna shtatë punonjës të Spitalit.
Ndërsa, 23 dhjetor nga spitali i Pejës u shkarkuar edhe Shefi i Repartit të Gjinekologjisë, Samoni Loxha dhe Kryeinfermierja e Repartit të Gjinekologjisë, Shkurte Ademaj Zekaj.
Kurse, me 24 dhjetor u shkarkua edhe Drejtori Mjekësor, Muhamet Halitaj dhe Drejtoresha për Infermieri Hidajete Krasniqi.
Në vazhdën e shkarkimeve për skandalin me foshnjën, më 22 dhjetor edhe Ministria e Shëndetësisë liroi nga detyra u.d. kryeinspektorit të Inspektoratit Shëndetësor, Shaban Osmanaj.
Por, Drejtor Ekzekutiv i Spitalit të Pejës, Fazli Shala, i cili ishte anëtarësuar në Vetëvendosje në viti 2020 nuk preki njerëzit e tij të afërt që ishin përgjegjës për skandalin me foshnjën që u fut në lavatriçe.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të administratës, Selman Kelmendi, i cili ka qenë kandidatë për asamble komunale nga radhët e VV-së në Pejë nuk ka marrë asnjë masë ndëshkuese lidhur me rastin e foshnjës.
Edhe ndaj shefit të shërbimit Teknik, Ardian Shalës, nuk u morë asnjë masë, pasi ky i fundit del të jetë i afërt me drejtori ekzekutiv.
Skandali i Spitalit të Pejës, tashmë ka arritur në duart e Prokurorisë. Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, ka thënë për Insajderin se janë duke pritur raportin e inspektoratit Shëndetësor pasi rasti është në fazën e hetimeve.
“Rasti ka ndodhur javën e kaluar. Prokurori i krimeve të rënda ka dal në vendin e ngjarjes, rasti është në fazën e hetimit. Po i presim edhe raportet nga Inspektorati Shëndetësor”, tha ndër tjerash ai për Insajderin.