×
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Skandali i sekretares së Xhelal Sveçlës – Si i kërkuan gjermanët MPB-së të kthente paratë e grantit për riintegrim

    Insajderi
    13 June 2022 - 15:29

    Sekretarja e Përgjithshme e MPB, Fahrija Ternava-Sheremeti ka qenë në krye të Departamentit për Riintegrimin e Personave të Riatdhesuar, në kohën kur GIZ ka ndarë një fond prej 1.2 milionëve për punësimin dhe vetë punësimin e këtyre personave. Mirëpo, në gjetjet e Auditorit është konstatuar se përfituesit nuk kishte ofruar fatura që dëshmon se mjetet janë shpenzuar në përputhje me planin e biznesit. Behët fjalë për një numër rreth 50 rasteve që nuk kishin dëshmi se bizneset e tyre janë aktive siç kërkohej me projekt. E gjendur në këtë situatë, organizata gjermane GIZ ka kërkuar që t`i rikthehen paratë. MPB mohon që ka kthyer këto mjete, por konfirmon se përfituesit e granteve nuk kanë pasur dokumentim të shpenzimeve. Gazeta Insajderi, sjell detaje të rastit

    Në vitin 2017 një grant i madh është ndarë nga organizata gjermane GIZ, për riatëdhesimin e qytatarëve që ishin rikthyer nga Gjermania në Kosovë. Granti peshonte 1.2 milionë euro, ndërsa përmes tij, synohem që të bëhej financimi i 410 planeve të biznesit të këtyre personave të riatdhesuar.

    Ky projekt do të implementohej nga Ministria e Punëve të Brendshme. Departamenti përgjegjës për zbatimin e kësaj marrëveshje ishte Departamenti për Riintegrimin e Personave të Riatdhesuar e cila udhëhiqej nga Fahrije Ternava-Sheremeti.

    Tërnava- Sheremeti në dhjetor 2021 u zgjedh Sekretare e Përgjithshme në MPB që drejtohet nga Xhelal Sveçla, shkruan Gazeta Insajderi.

    Por jo gjithçka ka shkuar sipas projektit.

    Auditori i Përgjithshëm, ka gjetur se janë paguar paratë porse nuk janë ofruar dëshmi të mjaftueshme për projektet që do të zhvilloheshin. Ky institucion ka konstatuar se ka pasur mos funksionalizim të bizneseve që janë financuar.

    Sipas ZAP, bazuar në monitorimet e realizuara nga ekipi i MPB-së në teren, është vërejtur se për ketë periudhë [prill-gusht 2017], 94 biznese ishin aktive ose 62%, derisa 58 ose 38% ishin biznese joaktive.

    “Gjatë auditimit gjithashtu kemi gjetur se në pagesën për financimin e planit të biznesit në vlerë 3,000€, përfituesi nuk kishte ofruar faturë që dëshmon se mjetet janë shpenzuar në përputhje me planin e biznesit”, thuhet në raportin e Auditimit për vitin 2017 në MPB.

    Sipas këtij institucioni mungesa e dëshmive për mjetet e shfrytëzuar në përputhje me planin e biznesit dhe mungesa e monitorimit të mirëfilltë nga MPB rrit rrezikun që mjetet mos të shfrytëzohen në përputhje me qëllimin e synuar.

    “Ministri duhet të kërkojë nga personat përgjegjës forcimin e mekanizmave për menaxhim dhe monitorim të subvencioneve, në mënyrë që të merret siguri e arsyeshme që paratë e dhëna si subvencion shfrytëzohen drejtë dhe në pajtim me qëllimin e synuar”, thuhet në rekomandimin e Auditorit për MPB-në.

    GIZ kërkoi nga MPB të kthehen mjetet që u “keqpërdorën”

    Gazeta Insajderi, ka kontaktuar edhe organizatën GIZ, lidhur me rastin. E njëjta e ka konfirmuar skandalin e ministrisë dhe se ka kërkuar kthimin e parave.

    “Sa i përket përkrahjes për të kthyerit në Kosovë, të zbatuar së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme në vitet 2017 dhe 2018, dokumentet e paraqitura pas përfundimit të mbështetjes në disa raste nuk i kanë plotësuar të gjitha kërkesat për dokumentimin e këtyre procedurave”.

    “Prandaj, GIZ ka qenë i obliguar të kërkoj rimbursim”, thuhet në përgjigjen e GIZ për Gazetën Insajderi.

    “Edhepse në disa raste nuk është arritur niveli i kërkuar i dokumentimit të detajuar, projekti u vlerësua i suksesshëm pasiqë më shumë se 400 të kthyer janë përkrahur dhe vetëpunësuar falë këtij bashkëpunimi me Ministrinë e Punëve të Brendshme”, thuhet më tej në përgjigjen e GIZ për gazetën.

    Nga ana tjetër Ministria e Punëve të Brendshme në një përgjigje për Gazetën Insajderi, ka mohuar se ka kthyer paratë të gjermanët.

    “Jo, nuk janë kthyer para”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

    Por ky dikaster qeveritar edhe pse e mohon se ka pasur “keqpërdorim” siç është gjetur nga auditori e konfirmon se 49 përfitues të granteve nuk kanë pasur dokumentim të shpenzimeve.

    “Konstatimi i autorit kishte të bëjë me dokumentim të pamjaftueshëm të shpenzimeve përfundimtare nga disa ( 49) përfitues”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

    Sipas MPB-së, të gjitha mjetet janë shpenzuar për ri integrimin e qëndrueshëm të personave të riatdhesuar.

    “Në kuadër te këtij procesi nuk janë gjetur parregullsi në financimin e planeve të bizneseve. Të gjitha pagesat janë bërë përmes SIMF, në harmoni me Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe rregullat  e thesarit. Konstatimi i autorit kishte të bëjë me dokumentim të pamjaftueshëm të shpenzimeve përfundimtare nga disa ( 49) përfitues”, thuhet më tej në përgjigjen e MPB-së.

    Sipas MPB-së, marrëveshja me GIZ është nënshkruar në vitin 2017 për mbështetjen e ri integrimit të qëndrueshëm të personave të riatdhesuar, financimin e 410 planeve të biznesit të personave të riatdhesuar nga Gjermania, në shumën prej 1 milion e 214 mijë eurove.

    Më tej ky insitucion thotë se kërkesa nuk janë aprovuar nga Departamenti për Ri integrimin e personave te riatdhesuar, në këtë rast nga Drejtorja e Departamentit.

    “Kërkesat për financimin e planeve të bizneseve (përfituesve) janë aprovuar nga Komisioni Qendror për Ri integrim, i themeluar nga Ministri i MPB-se me Vendimin nr. 460/2013 i datës 22.10.2013, i cili përbehej nga përfaqësuesit e MPB, MPMS, MSH, MMPH dhe MBPZHR. Kërkesat janë shqyrtuar dhe vendosur në harmoni me Rregulloren (QRK) NR. 04/2016 për ri integrimin e personave të riatdhesuar dhe menaxhimin e programit te ri integrimit”, thuhet në përgjigjen e MPB-së. 

    Në pyetjen e gazetës se a do të merren masa ndaj zyrtarës që menaxhoi me këto fonde të GIZ në kuadër të këtij projekti, MPB ka deklaruar se kjo nuk do të ndodhë.

    “Nuk ka arsye për marrjen e masave ndaj zyrtares në fjalë”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

    Gazeta ka kontaktuar edhe sekretareshën Fahrija Ternava-Sheremeti lidhur me rastin, por e njëjta deri në publikimin e tekstit nuk ka kthyer përgjigje.  /Gazeta Insajderi

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark