Skandali me koeficientët në IML – Si përfitoi jashtëligjshëm mbi 6 mijë euro udhëheqësja e laboratorit Flutura Gogaj - Insajderi
×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Skandali me koeficientët në IML – Si përfitoi jashtëligjshëm mbi 6 mijë euro udhëheqësja e laboratorit Flutura Gogaj

    Insajderi
    23 July 2025 - 15:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gazeta Insajderi ka siguruar një raport të brendshëm të auditimit, i cili ekspozon shkelje serioze financiare dhe menaxheriale brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML). Ky raport tetëfaqësh, i hartuar më 20 nëntor 2024 me kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë, flet për pagesa të jashtëligjshme dhe përdorim jo të duhur koeficienteve të pagave, që shkaktuan dëme të konsiderueshme ndaj buxhetit të shtetit. Listës për keqpërdorime i prin udhëheqësja e Laboratorit të Toksikologjisë, Flutura Gogaj-Bajrami. Insajderi ju sjell detajet ekskluzive.

    Fillimisht, auditimi ka konstatuar se një zyrtar i IML-së ishte kompensuar me shumën prej 2,268 eurosh për pjesëmarrje në Komisionin e Ankesave, një pagesë që është e ndaluar me ligj dhe në kundërshtim me Rregulloren për kompensimin e funksioneve shtesë në sektorin publik.

    Ligji për pagat në sektorin publik nuk lejon kompensimin për pjesëmarrje në komisione të brendshme institucionale, si ato për disiplinë, rekrutim apo shqyrtim ankesash.

    Zyrtari në fjalë, gjatë periudhës së pagesës, mbante edhe pozitën e zyrtarit për burime njerëzore në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.

    Hetuesit mjekësorë të vdekjes në Institutin e Mjekësisë Ligjore janë paguar për 18 muaj me koeficientin 12, ndonëse procesi i klasifikimit të vendeve të punës, siç parashihet me vendim qeveritar, nuk ishte përfunduar.

    Sipas këtij raporti të auditimit, në mungesë të këtij klasifikimi, ata duhej të paguheshin përkohësisht me koeficientin 5.7.

    Vetëm gjatë vitit 2023, kjo ka sjellë pagesa shtesë prej rreth 4,284 euro për çdo zyrtar. Për vitin 2024, diferenca mujore në pagë mbeti mbi 484 euro për person, duke e çuar vlerën shtesë në rreth 3,388 euro për shtatë muajt e parë të vitit.

    Në total, çdo hetues ka përfituar rreth 7,672 euro më shumë sesa do të përfitonte sipas koeficientit të përkohshëm 5.7.

    Raporti vlerëson se menaxhmenti i IML-së dhe Departamenti për Menaxhimin e Pagave në Sektorin Publik (DMZP) nuk kanë zbatuar në tërësi vendimin e qeverisë, duke mos përfunduar në kohë procesin e klasifikimit dhe duke lejuar pagesa që konsiderohen të jashtëligjshme.

    Auditimi gjithashtu potencon se kjo situatë ka krijuar terren për keqinterpretim të rregulloreve dhe për keqadministrim të buxhetit.

    Rekomandimet e Auditimit

    Auditimi kërkoi kthimin e menjëhershëm të mjeteve të përfituara në kundërshtim me ligjin dhe harmonizimin urgjent të sistemit të pagave me klasifikimin e ri.

    Ai rekomandoi krijimin e një komisioni të brendshëm për llogaritjen e dëmit financiar dhe organizimin e rikthimit të mjeteve të përfituara padrejtësisht.

    Gjithashtu, u kërkuar përfundimi sa më të shpejtë të procesit të klasifikimit të vendeve të punës dhe hartimi i rregullores së re për të vendosur kontrolle ligjore të plota në sistemin e pagave.

    Me koeficientë të fryrë – Zyrtarët e IML dëmtuan buxhetin me mijëra euro, në krye udhëheqësja e Laboratorit

    Duke marrë parasysh që vlera e një koeficienti në Kosovë ishte 105 euro gjatë periudhës së përmendur në raportin e auditimit, përfitimet e kundërligjshme të disa zyrtarëve të lartë në IML përkthehen në dëme të konsiderueshme për buxhetin e shtetit.

    Flutura Gogaj-Bajrami, udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë, ka qenë një nga përfitueset më të mëdha.

    Ajo është paguar me koeficient 12.3, ndërkohë që me vendim të Qeverisë i takonte koeficienti 7.4.

    Diferenca prej 4.9 koeficientësh i ka sjellë asaj përfitim mujor prej 514.5 euro, ndërsa për një periudhë prej 12 muajsh, dëmi total arrin në rreth 6,174 euro.

    Bergita Nikaj-Curri, udhëheqëse e divizionit për cilësi/specialiste e mjekësisë ligjore, ka përfituar për 13 muaj me koeficient 12.2 në vend të 12. Diferenca prej vetëm 0.2 koeficientësh i solli një shtesë mujore prej 21 euro, për një total prej 273 euro në dëm të buxhetit.

    Musa Gashi, zëvendësdrejtor i Mjekësisë Ligjore, është paguar me koeficient 12.2 në vend të 12, nga shkurti 2023 deri në maj 2024. Për 16 muaj, kjo i solli përfitime shtesë prej 336 euro, që sipas auditorëve janë kundërligjshme.

    Naim Uka, udhëheqës i Divizionit për Identifikim, Koordinim dhe Përkrahje, ka marrë pagë me koeficient 12.2 për 9 muaj dhe më pas me 12.3 për një muaj, ndërkohë që duhej të paguhej me 12.

    Dëmi i shkaktuar nga pagesa e tejkaluar arrin në 220.5 euro.

    Agron Thaqi, drejtor i Departamentit të Laboratorëve Mjekoligjorë, për 14 muaj është paguar me koeficient 12.2, në vend të 12, duke dëmtuar buxhetin me 294 euro.

    Islam Kryeziu, zëvendës-udhëheqës i Divizionit të Histopatologjisë, nga tetori 2023 ka marrë pagë me koeficient 12.3 në vend të 12. Vetëm për 9 muaj, diferenca e pagës arrin në 283.5 euro.

    Dëmi total i përllogaritur për këta gjashtë zyrtarë kap vlerën e rreth 7,581 eurove, vetëm për periudhat e analizuara nga auditimi.

    Raporti po ashtu theksoi mungesën e dokumentacionit për arsyetimin e koeficienteve më të larta në listat e pagave dhe zbatimin e kundërligjshëm të vendimeve të Qeverisë për përcaktimin e koeficienteve të pagave.

    Menaxhmenti i IML-së nuk i kishte harmonizuar listat e pagave me vendimet qeveritare dhe nuk kishte ndërmarrë veprimet e nevojshme për korrigjimin e pagesave.

    Raporti përfundoi se dëmi i shkaktuar ndaj buxhetit të shtetit është i konsiderueshëm dhe kërkoi ndërhyrje të menjëhershme për përmirësim të situatës.

    Ai rekomandoi që IML-ja të përfundojë klasifikimin e vendeve të punës dhe të përmirësojë kontrollet e brendshme financiare, duke garantuar zbatimin korrekt të ligjit për pagat dhe rregullores për kompensim.

    Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje nga IML lidhur me këto gjetje dhe rekomandime, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje zyrtare.

    Lexo edhe:


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark