×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Goga-Bajrami – e emëruara e Haxhiut që s’e kishte ‘kyçur’ Laboratorin nga ku u zhduken mostrat e Deharit, por që ‘kyçi’ gojën e saj nga atëherë

    Insajderi
    11 March 2023 - 16:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Flutura Goga-Bajrami, drejtuesja e Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe një nga personat që kishte çelësin e Laboratorit të Toksikologjisë, aty ku mbaheshin mostrat e Astrit Deharit – ka heshtur për rastin që nga zhdukja e deri tek kthimi i tyre – nga dhe në institucionin që ajo e ka nën përgjegjësi.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në javën e parë të dhjetor të vitit 2022, e kishte thirrur një konferencë të jashtëzakonshme për ta njoftuar opinionin publik se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë që gjendet në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    “Mbrëmë jam informuar për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë. Ky është akt i rëndë, kriminal, prandaj menjëherë kam njoftuar kryeprokurorin dhe drejtorin e policisë”, thoshte Haxhiu para gazetarëve, më 8 dhejtor 2022, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Në mëngjes kam vizituar Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe jam njoftuar si në vijim: në mbajtësen e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, 1 epruvetë e urinës dhe një e lukthit. Nga këto, dy epruveta me gjak ja ka dhënë Instituti Zviceran dhe një policisë për AND”, deklaronte Haxhiu në konferencën e jashtëzakonshme për media, shkruan Gazeta Insajderi.

    Albulena Haxhiu duke njoftuar për zhdukjen e mostrave të Astrit Dehari, 8 dhjetor 2022 | Foto: Albulena Haxhiu, Facebook

    Ajo tutje pati njoftuar se vetëm tre persona kanë pasur qasje në mostrat e Astrit Deharit.

    “Aktualisht sipas informacioneve mungojnë 12 epruveta me gjak, një e urnës dhe një e lukthit. Në vend kanë qasje vetëm 3 persona. Vetëm 3 persona i kanë çelësat”, pati zbuluar Haxhiu, shkruan Gazeta Insajderi.

    Sipas saj, kjo situatë e rëndë vendoste hije dyshimi mbi të gjithë Institutin e Mjekësisë Ligjore. Dhe nëse ndiqet protokolli, ajo thoshte se do të ishte e thjeshtë që të gjenden përgjegjësit.

    “Protokolli i vendit ku ruhen mostrat është shumë strikt, dhe nëse ndiqet kuptohet qartë se kush janë përgjegjësit për këtë krim. Në këtë rast ata që kanë pasur guximin të veprojnë në këtë mënyrë as nuk zmbrapsen nga protokolli e as nga përfshirja në një vepër të rëndë penale. Këtë guxim mund ta kenë vetëm ata që për motiv kanë dëmtimin final të rastit Dehari”, theksonte tutje e para e drejtësisë, Haxhiu, shkruan Gazeta Insajderi.

    E vetëm një ditë para këtyre deklaratave, Haxhiu e kishte vënë në krye të Institutit të Mjekësisë Ligjore, Flutra Goga-Bajramin, një nga tre personat që e posedonte çelsin e Laboratorit të Toksikologjisë, aty ku edhe ruheshin mostrat e Deharit.

    Goga-Bajrami ishte suspenduar menjëherë, për tu kthyer në punë – në shkurt të këtij viti, pas vendimit të Komisionit Disiplinor dhe Komisionit për Ankesa.

    E para e IML-së, atëkohë nuk e kishte thënë as edhe një fjalë për zhdukjen e mostrave të Deharit, njëjtë siç nuk ka folur kur është suspenduar, apo edhe kur është kthyer në punë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kthehen mostrat, hesht sërish Goga-Bajrami

    Mbrëmë është raportuar se janë gjetur një pjesë mostrave të ish-aktivistit të VV-së, Astrit Deharit.

    Një burim brenda IML-së i ka thënë Gazetës Insajderi se “mostrat janë gjetur në frigorifer që nuk ka qenë funksional në një hapësirë e cila nuk ka qenë e mbuluar nga kamerat, nga shkallët emergjente”.

    Ndërkohë për rastin ende asnjë fjalë se ka thënë udhëheqësja e IML-së, Flutura Goga-Bajrami, ndonëse që nga mbrëmë është kontaktuar disa herë nga Gazeta Insajderi.

    Siç kanë vepruar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe drejtuesit tjerë të institucioneve.

    Goga-Bajrami s’e tha asnjë fjalë as për licencën që s’e kishte

    Flutura Goga-Bajrami, udhëheqësja e Laboratorit të Toksikologjisë, aty nga ku u zhdukën mostrat e Astrit Deharit, ishte rikthyer në punë pas suspendimit lidhur me këtë rast.

    Por, para kthimit të saj, Inspektorati Shëndetësor i Ministrisë së Shëndetësisë, kishte gjetur se ajo ka kryer punë për të cilat nuk ka pasur licencë, si udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë qysh nga viti 2008.

    Raporti që mban datën e 13 janarit 2023, ka gjetur se Flutura Goga-Bajrami përgjatë kohës që ka punuar në këtë laborator, ka përpunuar gjakun dhe urinën e kufomave, por në raste të tjera edhe të personave të gjallë.

    Inspektorati Shëndetësor ka gjetur se përpunimi i gjakut dhe urinës konsiderohet shërbim shëndetësor, e që sipas Ligjit për Shëndetësi kërkohet licencë.

    Meqenëse përpunimi i gjakut dhe urines konsiderohet si shërbim shëndetësor atëherë neni 71 i Ligjit nr 04/L-125 Për Shëndetësi e ka paraparë licencimin e profesionistëve shëndetësorë sipas profileve të përcaktuara në nenin 69 të këtij ligji, ndërsa në paragrafin 4 të nenit 71 të këtij Ligji shprehimisht thuhet: ‘Profesionisti shëndetësor mund të ofrojë shërbime shëndetësore në mënyrë të pavarur vetëm pas marrjes së licencës’”, thuhej në raportin e Inspektoratit Shëndetësor të cilin e ka siguruar Nacionale, shkruan Gazeta Insajderi

    Pas këtij raporti, Inspektorati ka thënë se nuk është “kompetencë të Ministrisë së Shëndetësisë që të merr veprimet tjera dhe si e tillë lënda është përcjellë në Ministri të Drejtësisë”.

    Gazeta Insajderi e kishte pyetur ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun se çfarë hapa do të ndërmerr kundër Goga-Bajramit, pas publikimit të këtij raporti, por e njëjta që nga 20 shkurti i këtij viti nuk ka kthyer përgjigje.

    Për çështjen nuk kishte folur as Goga-Bajrami, kur ishte pyetur në shkurt nga Gazeta Insajderi.

    Por, si erdhi deri tek vdekja e Astrit Deharit?

    Astrit Dehari së bashku me pesë aktivistë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje u arrestuan si të dyshuar për sulm terrorist ndaj Kuvendit të Kosovës.

    Gjithçka ndodhi në mesnatën e 5 gushtit të vitit 2016.

    Sipas raportimeve dy prej aktivistëve të Vetëvendosjes me një motor ishin ndalur pranë Kuvendit dhe njëri nga ta ka nxjerrur një raketahedhëse dore duke e goditur pastaj objektin e Kuvendit.

    Motori që u përdorë për kryerjen e kësaj vepre u gjetë vetëm pastaj i djegur në afërsi të pishinës së Gërmisë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Nga organet kompetente të drejtësisë me tu parë skenën e krimit ngjarja u cilësua si akt terrorist.

    Nën petkun e Prokurorisë Speciale, Drejtoria Antiterror e Policisë nisi hetimin për ta zbardhur rastin. Me të filluar hetimet, të dyshuarit e parë ishin aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje që në atë kohë kundërshtuan ashpër demarkacionin me Malin e Zi e Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

    Afro një muaj pas sulmit mbi Kuvendin, Drejtoria kundër Terrorizmit në Policinë e Kosovës, të ndihmuar edhe nga njësitet elite zhvilluan një aksion për kapjen e të dyshuarve. Fillimisht u arrestuan 6 aktivistë të Vetëvendosjes.

    Frashër Krasniqi, Petrit Ademi, Adea Batusha, Atdhe Arifi, Egzon Hali e Astrit Dehari përfundojnë të arrestuar.

    Me vendim të gjykatës të pesë prej tyre përfunduan në paraburgim, ndërkohë u lirua Petrit Ademi meqenëse nuk kishte prova se është i përfshirë në rast, shkruan Gazeta Insajderi.

    Astrit Dehari u dërgua në qendrën e paraburgimit në Prizren. Atje qëndroi deri me 5 nëntor të vitit 2016. Në pasdite kur edhe ishte koha e shëtitjes, Astriti kishte vendosur të mos dilte nga çelia.

    E këtu edhe ishin momentet e fundit të jetës së tij.

    Ndërkohë që thuhej se gardiani i kësaj qendre ishte kujdesur për sigurinë e Deharit, shokët e çelisë me t’u kthyer brenda, më saktësisht në orën 15:53 e gjetën atë me një shishe mjalti në gojë.

    U lajmëruan edhe mjekët, në gjendje të rëndë atë e nisën për në emergjencë, pak më vonë doli konstatimi që tashmë aktivisti i Vetëvendosjes kishte ndërruar jetë.

    E që nga ajo kohë gjithçka ka mbetur një mister. Derisa institucionet përkatëse konstatuan se Astrit Dehari kishte kryer vetëvrasje me këtë vazhdojnë e s’pajtohen familja dh partia e tij. Ata thonë se u vra, shkruan Gazeta Insajderi.

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark