
Megjithëse miq të SHBA-ve, aspirantë të BE-së dhe anëtarë të NATO-s, oligarkët rusë si Oleg Boyko, na kanë futur në xhep financat. Të paktën një bankë kryesore, disa biznese të fuqishme dhe industria e mikrokredisë në Shqipëri komandohet prej tyre.
IuteCredit e dëbuar nga Kosova me ceremoni, në Shqipëri vazhdon aktivitetin duke dhënë kredi. “Iute” dhe guackat e saj hetohen në Evropë për mashtrime dhe pastrim parash në lidhje direkte me oligarkun rus Oleg Boyko, në Shqipëri nuk ka asnjë që shqetësohet.
“Kredo Finance” apo si rëndom quhet Kredo.al del përsëri lidhje e oligarkut rus Oleg Boyko. Letonezi Aigars Kesenfelds është pronari i AS “Eleving Consumer Finance Holding”, regjistruar në Shqipëri si ortaku mazhoritar me 95% i “Kredo Finance”.
Kredo financë ashtu si IuteCredit ka futur në kurth mikrokredish të vogla mijëra shqiptare të papunë, studentë, të rinj e të reja që nuk kanë asnjë mundësi reale t’i kthejnë borxhet që shkojnë për interes të dy kompanive me origjinë Estoninë dhe Letoninë, por që në të vërtetë nga pas kanë Rusinë.
Kredo Finance ka administrator pikërisht kreun e Shoqatës së Mikrokredive, Arlinda Muja. Taktika e marrjes së shoqatës që “flet” me qeverinë shihet edhe te bankat. Bledar Shella është njëkohësisht kreu i shoqatës së bankave dhe administrator i OTP Bank në Shqipëri, bankë e Grupit Hungarez OTP, me aksioner kryesor oligarkun rus Megdet Rahimkulov.
Me poshtë po paraqesim një shkrim të përkthyer nga Re:Baltica-s, grup investigativ, ku tregohet se si “fajdexhiu” Aigars Kesenfelds, pronar i Kredo Financë në Shqipëri, ka ngritur biznesin e “mikrokredive” që u shpik në Letoni, por zhyti me mijëra në mjerim në Armeni, Kosovë, Kenia dhe tani prej disa vitesh bën biznes pa asnjë pengesë, në Shqipëri.
Këto kredi mbartin komisione dhe tarifa të fshehura, si dhe norma të larta interesi, të cilat mund të arrijnë deri në 800 përqind. Shumë huamarrës kuptojnë se ata nuk mund ta paguajnë huanë aq shpejt sa kishin menduar, duke i futur disa prej tyre në një cikël dërrmues të rritjes së borxhit që ata kurrë nuk do mund të jenë në gjendje ta paguajnë.
Biznesi i “mikrokredive” u shpik në Letoni, duke futur shumë shpejt me mijëra njerëz në një kurth borxhi.
Në vitin 2013, pronarët zgjodhën miliarderin rus Oleg Boiko, një sipërmarrës kazinosh dhe lojërash fati, megjithëse Kesenfelds ende refuzon ta përmendi atë në përgjigjet e tij me e-mail. Dosjet e Maltës tregojnë se Boiko pagoi pak më shumë se 100 milionë euro për 4Finance. Kesenfelds gjithashtu refuzoi të komentojë në lidhje me këtë shumë, duke thënë se kushtet e kontratës janë konfidenciale.
Autoriteteve letoneze iu deshën disa vite për të kuptuar se reklamat me shkëlqim që inkurajonin njerëzit të merrnin para me kredi dhe të jetonin bukur momentin, në fakt i tërhoqi ata në një kurth borxhesh të pafundme. Kishte një numër në rritje të historive tragjike për të rinjtë që kishin marrë kredi të shpejta, pa patur të ardhura, ose të varur nga bixhozi që merrnin borxhe gjatë natës.
Kredidhënësit nuk u dhanë klientëve informacion të qartë dhe të kuptueshëm mbi koston e këtyre kredive që po merrnin, duke i mashtruar ata pikërisht për injorancën rreth njohurive financiare. Rregullatori shtetëror i biznesit gjobiti 4Finance për reklama joetike dhe për faktin që dështonin për të kontrolluar nëse huamarrësit realisht do të ishin në gjendje të shlyenin kreditë.
Gjykata vendosi se mirëqenia publike ishte më e rëndësishme sesa pasojat e kufizimeve ndaj huadhënësve. Por ndikimi i huave jo-bankare tregoi se kishte qenë shkatërrimtar.
Në vendim rregullatori përmendi se borxhi “i madh në mënyrë të papërshtatshme” mund të çonte në emigrim të pavullnetshëm, rritje të varësive, huamarrje të përsëritur dhe stres, i cili madje mund të rezultonte edhe në mendime vetëvrasëse.
Banka Qendrore e Kosovës ndërmori veprime më të drejtpërdrejta. Në fund të vitit 2019, ajo hoqi licencën për kompaninë e huasë të Kesenfelds, Monego. Arsyeja ishin normat tepër të larta të interesit dhe kërcënimi për sigurinë kombëtare, i cili nuk u shpjegua publikisht në detaje./newsbomb.al