Skenari i zgjedhjes së Hashim Thaçit president - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Skenari i zgjedhjes së Hashim Thaçit president

    Insajderi
    13 February 2016 - 15:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Javën e fundit të muajit shkurt, pritet të thirret seancë e jashtëzakonshme me një pikë të rendit të ditës: zgjedhja e presidentit të Kosovës.

    Kandidati që pritët të marrë votat e nevojshme të tri partive të koalicionit – PDK, LDK dhe Lista serbe nevojshme është Hashim Thaçi.

    Burime nga procesi i kanë thënë Insajderit, se me rekomandimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, dhe vendeve tjera, zgjedhja e Thaçi do të ndodh pas 17 Shkurtit.

    Kjo ditë që është përvjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës është zgjedhur nga opozita për protestë prej orës 14: 00. Protesta është duke u parë dhe pritur me shqetësim. Analizat e organeve të sigurisë flasin për shpërthim të dhunës.

    “Ky është testi më i madh deri tash. Zgjedhja e Thaçit varet edhe nga protestat. Nëse ka dhunë të përmasave të paparashikueshme, situata mund të ndryshojë”, ka thënë një burim brenda koalicionit qeverisës.

    Por, Thaçi nuk do t’i ketë votat e të gjithë deputetëve të koalicionit.

    Vjosa Osmani, Alma Lama dhe Adem Salihaj nuk do të marrin pjesë fare në seancë. Ata, po synojnë t’ia rrezikojnë kuorumin e nevojshëm prej 80 votash. Ndërsa, Arben Gashi që ka thënë se nuk do ta votojë Thaçin për president, pritet të jetë i pranishëm në seancë.

    Partnerët e koalicionit presin që 5 deri në 6 deputetë të PDK-së të votojnë kundër liderit të tyre për president.

    “Kjo edhe mund të ndryshojë sepse zgjedhja bëhet me vota të fshehta”, ka thënë ky burim.

    Partia Demokratike e cila prej themelimit është drejtuar prej Hashim Thaçit, do të kalojë në dorë të zëvendësit të tij, Kadri Veseli – ish drejtuesit të Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK).

    PDK-ja tashmë ka kryer përgatitjet. Nënshkrimet i ka mbledhur për të thirrur seancë të jashtëzakonshme e cila do të mbahet në sallën alternative të Kuvendit.

    Opozita ka paralajmëruar bllokim të seancës si ka vepruar deri tash. Gazi lotsjellës është njëri prej opsioneve kryesore për pengimin e mbajtjes së seancës.

    “Nënshkrimet janë gati për ta thirrur mbledhje e jashtëzakonshme. Thaçi për president dhe nuk ka kundërshtim nga ndërkombëtarët”, ka thënë burimi.

    “Ndërkombëtarët po e mbështesin edhe për një fakt: janë kundër zgjedhjeve të parakohshme”, ka thënë ky burim.

    Koalicioni i shumicës shqiptare ka pasur disa përplasje me partnerët nga pakica serbe. Lista Serbe ka kushtëzuar fillimisht marrjen e disa posteve siç është zëvendësdrejtori i AKI-së. Bile kanë propozuar që në të ardhmen kur të ndryshohet kushtetuta, të përcaktohet edhe pozita e zëvendëspresidentit që do t’u takonte serbëve.

    “Kësaj radhe i kemi bindur se nuk ka kushte sepse as atyre nuk u konvenojnë zgjedhjet. Edhe në Serbi ka zgjedhje të parakohshme. Aleksandër Vuçiq llogaritë edhe në votat e serbëve të Kosovës. Për këtë arsye, as Vuçiqit nuk i konvenojnë zgjedhjet e parakohshme në Kosovë”, ka thënë ky burim.

    Adem Salihaj ka konfirmuar për Insajderin se nuk do të marrë pjesë në seancë.

    “Jo, nuk do të marrë pjesë për arsyet që tashmë i kam bërë publike shumë herë”, ka thënë Salihaj.

    Deputetja Alma Lama nuk ka dashur të qartësojë pozicionin e saj në këtë proces. Ka thënë se do ti përmbahet nenit 70 të Kushtetutës së Kosovës.

    “Nuk di se kush do marrë pjesë e kush jo. Sa për vete, do respektoj nenin 70 të Kushtetutës”, ka tëhnë shkurt për Insajderin, Alma Lama.

    Neni 70 flet për mandatin e deputetit. Në pikën e parë përcaktohet se “deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues”.

    Insajderi nuk ka mundur të flas me deputeten Vjosa Osmanin.

    Kryeministri Isa Mustafa ka konfirmuar se Thaçi do të zgjidhet president këtë muaj. /Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark