Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Fadil Hadergjonaj, ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen tubimit të madh përmbyllës të fushatës, i cili do të mbahet sonte, më 5 qershor, duke filluar nga ora 20:00 në Sheshin “Skënderbeu”.
Përmes një mesazhi drejtuar mbështetësve, Hadergjonaj theksoi se ky takim shënon përmbylljen e një rrugëtimi të karakterizuar nga puna, përkushtimi dhe besimi në vizionin për të ardhmen e vendit.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë së bashku me familjarët, miqtë dhe të afërmit e tyre, për të përcjellë, siç tha ai, një mesazh të qartë se Kosova ka nevojë për ndryshim dhe se është e gatshme për të.
“Le të jemi të gjithë aty për ta përmbyllur bashkë këtë rrugëtim dhe për të dëshmuar fuqinë e angazhimit qytetar për një Kosovë më të mirë”, thuhet në thirrjen e kandidatit të LDK-së.