Paneli Vlerësues për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit në kuadër të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) ka nisur hartimin e pyetjeve standarde për intervistimin e kandidatëve që synojnë këtë pozitë.
Sipas njoftimit të KPK-së, procesi po zhvillohet në përputhje me procedurat e përcaktuara, ku tre orë para fillimit të intervistave, Paneli Vlerësues po përgatit pyetjet standarde në prani të monitoruesve nga partnerët ndërkombëtarë dhe organizatat e shoqërisë civile. Kjo, sipas KPK-së, bëhet me qëllim të garantimit të transparencës dhe besueshmërisë së procesit.
Paneli Vlerësues kryesohet nga Arian Gashi dhe përbëhet nga Visar Krasniqi dhe Elza Bajrami Kastrati.
Intervistat e kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit do të fillojnë në ora 11:00.
Në garë për këtë post janë pesë kandidatë: Atdhe Dema, prokuror në Departamentin për Hetimin e Terrorizmit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Naim Abazi, prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Rafet Halimi, prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Shqipdon Fazliu, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, si dhe Zejnullah Gashi, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Kryesuesi i Panelit Vlerësues dhe njëherësh kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Arian Gashi, ka theksuar se procesi do të zhvillohet me transparencë të plotë, objektivitet dhe profesionalizëm, duke garantuar trajtim të barabartë për secilin kandidat.
KPK ka bërë të ditur se do të vazhdojë ta informojë opinionin publik dhe mediat në kohë reale për ecurinë e procesit të emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit, duke garantuar respektimin e parimeve të ligjshmërisë, meritokracisë, transparencës dhe integritetit institucional.