Miratimi me shumicë të thjeshtë i liberalizimit të vizave nga Këshilli i MInistrave të BE-së shënon thuajse hapin e fundit për liberalizimin e vizave.
Gazeta Insajderi
Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian do të mblidhet sot gjatë ditës, kur pritet ta votojë aprovimin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Kështu ka njoftuar Drejtori i Institutit të Kosovës për Politikat Evropiane, Demush Shasha.
“Lajm i shkëlqyer që nesër Këshilli i Ministrave të BE-së do të aprovon liberalizimin e vizave për Kosovën, nën “piken A” që nënkupton se konsensusi brenda të gjitha vendeve anëtare është arritur edhe në nivelin politik”, ka shkruar Shasha në Facebook, transmeton Gazeta Insajderi.
Marrëveshja për liberalizimin e vizave për Kosovën e miratuar me 1 janar në Komisionin përkatës të Parlamentit Evropian, shënon një hap drejt heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës.
Kjo marrëveshje ishte arritur në dhjetor të vitit të kaluar në mes të Parlamentit, Këshillit dhe Presidencës së Bashkimit Evropian.
Ky vendim ishte kompromis, sipas të cilit, liberalizimi i vizave do të hyjë në fuqi së bashku me funksionalizimin e sistemit ETIAS, më së voni deri më 1 janar 2024.
Tash për tash funksionalizimin e sistemit ETIAS është shtyrë, por ky proces nuk e ndalon lëvizjen e lirë të qytetarëve që pritet të ndodh nga fillimi i vitit tjetër, shkruan Gazeta Insajderi.
Nëse sot liberalizimi i vizave kalon në Këshilli i Ministrave të BE-së atëherë lëvizja e lirë e kosovarëve është shumë afër.
Miratimi me shumicë të thjeshtë i liberalizimit të vizave nga KM i BE-së shënon thuajse hapin e fundit për liberalizimin e vizave.
Më pas duhet që Akti ligjor të nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së: Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian.
… dhe pasi vendimi të publikohet në Gazetën Zyrtare, duke përfshirë datën e hyrjes në fuqi ndodh Liberalizimi i shumë pritur për kosovarët, shkruan Gazeta Insajderi.
Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që mbeten jashtë BE-së, vetëm qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet evropiane, apo në atë që njihet si zona Shengen.
Kosova, ashtu si edhe Bosnje e Hercegovina, ka vetëm Marrëveshje Stabilizimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok.
Mali i Zi, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërkaq, i kanë hapur negociatat për anëtarësim në BE./Gazeta Insajderi/