Sot gjatë ditës do të publikohet raporti i ekspertëve të pavarur që kanë marrë pjesë në autopsinë e e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, i cili vdiq në qendrën e paraburgimit në Prizren në fillim të muajit nëntor.
Njoftohet se raportin e ekspertëve të pavarur Dr.Besim Ymaj nga Tirana-Shqipëria dhe Dr. Besim Latifaj, FRCPath Consultant Pathologist nga Anglia, do e bëjë publik avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi.
Konferenca do të mbahet në zyrat e avokatit Gashi, nga 14:30.
Sipas Avokatit Gashi, gjatë konferencës për media do të publikohen edhe fotografi të cilat e mbështesin raportin e ekspertëve të pavarur dhe do të sqarohet konkluzioni mbi shkaqet e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje.
Me 18 nëntor, Instituti i Mjekësisë ligjore kishte nxjerrë raportin zyrtar të autopsisë, përmes së cilit konstatonte se Astrit Dehari kishte bërë vetëvrasje.
Në raport thuhej se “vdekja e tani të ndjerit Astrit Dehari ka ardhur si pasojë e asfiksisë mekanike nga mbyllja (bllokimi) i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nga mjeti me konsistencë valide (të fortë)” dhe se kjo është vetëshkaktuar nga tashmë i ndjeri.
I ndjeri Dehari ka qenë aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe ishte arrestuar më 30 gusht të këtij viti nën dyshimin se së bashku me aktivistë të tjerë të kësaj partie kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës me armë. Ai vdiq më 5 nëntor.