
Nefise Sfarça, një nga veprimtaret më të njohura dhe të përkushtuara të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ka ndërruar jetë në moshën 87 vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme.
E lindur në Sukth të Shqipërisë në vitin 1938, ajo dhe familja e saj u detyruan të largohem nga shtëpia për shkak të regjimit komunist të Enver Hoxhës, duke u shpërngulur në Kosovën e okupuar nga Jugosllavia.
Miftar Sfarça, vëllai i Nefise Sfarçës, ishte gjithashtu një veprimtar i përkushtuar i çështjes kombëtare shqiptare.
Pjesën më të madhe të jetës së tij e kaloi në Shqipëri, por, kur shpërtheu lufta në Kosovë, ai iu bashkua UÇK-së dhe mori pjesë aktivisht në Luftën e Koshares. Pas luftës, Miftari u kthye në Shqipëri, por vazhdoi të vizitonte shpesh Kosovën deri në vdekjen e tij në vitin 2021. Angazhimi i tij për liri dhe drejtësi për popullin shqiptar ka lënë një ndikim të thellë dhe të paharruar.
Nefise Sfarça ishte një bashkëpunëtore e ngushtë e Adem Demaçit dhe e angazhuar fuqishëm në lëvizjen për të drejtat e shqiptarëve.
Ajo u lidh ngushtë me shumë figura të njohura të asaj periudhe si Shaban Shala dhe familja Novosella, dhe ishte e përfshirë aktivisht në mbrojtjen e çështjes kombëtare shqiptare.
Sfarça shkruante slogane për lëvizjen gjatë viteve ’60-’70, pavarësisht rrezikut nga regjimi jugosllav, dhe shpesh herë arrestohej për aktivitetet e saj patriotike.
Në vitin 1963, ajo vizitoi varrin e Shaban Shalës, ku vendosi flamurin kombëtar shqiptar si simbol të angazhimit të saj të palëkundur. Ky flamur, i qendisur nga ajo vetë, ishte 2 metra i gjatë dhe tregonte dëshirën e fortë për liri. “Deshira për liri ka rrënjë të thella,” thoshte Nefise, duke përçuar mesazhin e saj të fuqishëm për të gjitha brezat e rinj.
Pavarësisht sfidave dhe periudhave të vështira, ajo qëndroi e palëkundur dhe e përkushtuar për kauzën e saj.
Ajo nuk kërkoi kurrë mbështetje pas Çlirimit të Kosovës dhe mbeti një figurë e njohur dhe e respektuar nga ata që e njihnin për idealet dhe përkushtimin e saj. Nefise ishte një patriote e vërtetë, dhe në dhomën e saj mbante korniza me fotografitë e Isa Boletinit, Ismail Qemalit dhe flamurit shqiptar, duke nderuar ata që luftuan për lirinë dhe pavarësinë e kombit shqiptar.