×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Sovraniteti nuk mund të ndahet

    Insajderi
    17 August 2022 - 15:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Shkruan: Blerim Shala

    Dialogu në mes të përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë, i cili në një mënyrë apo tjetrën, po zhvillohet qe 24 vjet të plota (që nga maji i vitit 1998 e këndej), nga Bashkimi Evropian (dhe SHBA-ja), është kornizuar që nga vjeshta e vitit 2010 (pas miratimit të Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së), dhe nga pranvera e vitit 2011 (marrja e rolit lehtësues nga BE-ja), si dialog për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

    SHBA-ja qe gati katër vjet, e Gjermania që nga ky vit, e kanë shprehur qartë dhe publikisht (të tjerët këtë e kanë bërë në komunikimin ‘prapa dyerve të mbyllura’ me instancat më të larta të Kosovës dhe të Serbisë), që njohja reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura, është themeli mbi të cilin do të ndërtohet ngrehina e normalizimit të marrëdhënieve në mes të këtyre dy shteteve.

    Qëmoti janë harxhuar të gjitha përpjekjet politike dhe diplomatike për të gjetur çfarëdo opsioni të ‘mesëm’ në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë.

    Një luftë tragjike ka ndarë një herë e përgjithmonë Kosovën dhe Serbinë. Ajo, megjithatë, nuk e ka pamundësuar bashkëjtesën, në Kosovë, apo, brenda Kosovës, një herë të administruar ndërkombëtarisht (periudha e UNMIK-it, 1999-2008), e pastaj e udhëhequr nga vetëvetja (që nga shpallja e pavarësisë, në vitin 2008, megjithë asaj periudhës së një Mbikëqyrjeje të lehtë ndërkombëtare, në vitet 2008-212), në mes të shqiptarëve, si popull shumicë dhe serbëve edhe komuniteteve të tjera si popuj pakicë.

    Në Kosovë që prej vitit 1999 e këndej, ka pra, dhe do të ketë koekzistencë në mes të shqiptarëve, serbëve dhe të tjerëve, por nuk mund të ketë më bashkëjetesë në mes të Kosovës dhe Serbisë, brenda një territori të njejtë.

    Një popull është sovran në një shtet. Nuk mund të ketë ndarje të sovranitetit në mes të Kosovës dhe Serbisë, siç synon dhe pretendon Serbia e sotme e Aleksandar Vuçiqit, dhe siç kanë vepruar zatën edhe të gjitha pushtetet e mëparme në Beograd që nga përfundimi i luftës e këndej.

    Kjo ndarje e sovranitetit, apo, ky ushtrim i përbashkët i tij (i sovranitetit), zatën, është shpaluar si qëllim nga ana e Presidentit të Serbisë, gjatë vizitës së tij në Veriun e Kosovës, në vjeshtën e vitit 2018-të.

    Lideri serb vlerëson që gjendja e tanishme në veriun e Kosovës, e cila realisht është rezultat i një politike të gabuar, hezituese, të Administratës Ndërkombëtare për ta vendosur gjithë Kosovën nën kompetencat e dala nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, reflekton këtë ndarje të sovranitetit në mes të Kosovës dhe Serbisë, edhe pse ai vazhdimisht flet që Kosova nuk është shtet i pavarur.

    Megjithatë, në fjalimet e tij, veçmas në atë periudhën e ‘dialogut të brendshëm’ në Serbi (në vitet 2017-2019), Aleksandar Vuçiq theksonte, kur bëhej fjalë për Kosovën si të tillë, që ‘nuk mund ta marrim çka nuk është e jona (e gjithë Kosova, pa veriun e saj), dhe ata (shqiptarët) nuk mund ta marrin, çka është e jona’ (Veriu i Kosovës).

    Me një fjali të vetme pra, me një përshkrim fare të thjeshtë, lideri serb shpalosi synimin e tij në bisedimet me autoritetet e Kosovës.

    Për këtë shkak ai, edhe pse qëmoti u pati thënë serbëve në Veri (në pranverën e vitit 2014), që ata do të jetojnë sipas ligjeve të Kosovës, llogaritë sot e kësaj dite që së paku veriu i Kosovës, nuk është i Kosovës dhe nuk do të mbetet i saj, pas arritjes së Marrëveshjes Gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

    Në veri, aktualisht, vlejnë edhe ligjet e Kosovës dhe ato të Serbisë (përmes strukturave paralele të saj), gjë që efektohet në këtë sovranitetin e dyfishtë të kësaj pjese të Kosovës.

    Kështu nuk mund të vazhdojë më. Ka ardhë koha të përfundojë kjo situatë e çuditshme dhe paradoksale, e cila është burim i tensioneve të vazhdueshme në këtë pjesë të Kosovës, por edhe në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor.

    Sidoqoftë, kontrolli i hekurt që Aleksandar Vuçiq ka mbi serbët në veri të Kosovës, zatën, është ‘letra’ e tij e fundit (dhe më e forta) negociatore në bisedimet me përfaqësuesit e Kosovës.

    Qëndrimi i SHBA-së, por edhe i katër shteteve të tjera të Quint-it në Beograd, gjatë takimit të mbajtur këto ditë me Goran Rakiqin, kryetarin e ’Listës Serbe’ dhe bashkëpunëtorët e tij, ishte i prerë dhe i qartë: Kosova është shtet i pavarur, duke përfshirë edhe veriun, dhe serbët kanë rol dhe hise në këtë shtet (sipas kushtetutës dhe ligjeve të saj).

    Vet Rakiq e pranoi botërisht këtë porosi të shteteve më të mëdha të Perëndimit.

    Shënim: Opinioni i Blerim Shalës fillimisht është publikuar në mediumin Klan Kosova

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark