Spanja e fillon testimin e ilaçeve kundër koronavirusit - Insajderi
×
LifeStyle

Spanja e fillon testimin e ilaçeve kundër koronavirusit

Insajderi
21 March 2020 - 16:04
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Sipas të dhënave, numri i viktimave të koronavirusit në Spanjë ka shkuar në mbi një mijë, ndërsa më shumë se 20 mijë janë infektuar. Megjithatë, ky shtet tashmë i ka nisur testimet e ilaçeve kundër virusit të ri. Shkencëtarët shpresojnë se së shpejti do ta gjejnë një zgjidhje.

Ngadalësimi i përhapjes së virusit Covid-19 është bërë një qëllim emergjent botëror. Për këtë arsye, shumë vende i kanë anuluar aktivitetet, i kanë ndaluar udhëtimet ndërkombëtare dhe i kanë izoluar qytetarët.

Në një testim klinik që filloi këtë javë në Barcelonë, shkencëtarët po hulumtojnë nëse një ilaç kundër HIV-it, i quajtur darunavir, mund ta zvogëlojë sasinë e përhapjes së virusit te pacientët që nuk kanë simptoma shumë të rënda dhe nëse kjo substancë do ta bëjë sëmundjen më pak ngjitëse.

Njëkohësisht, shkencëtarët do t’ua japin ilaçin kundër mikrobeve, hidroksiklorokinë, personave që kanë pasur kontakte të afërta me të infektuarit. Kjo do të mund ta zvogëlonte mundësinë që ata të infektohen.

“Nëse kjo strategji funksionon, do të mund ta zvogëlonte përhapjen brenda komunitetit dhe do të mundësonte që të rimendohet për masat parandaluese, siç është izolimi”, thuhet në deklaratën e Fondacionit për Sëmundje Ngjitëse dhe HIV-AIDS.

Testimi klinik tashmë është miratuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Spanjolle e Produkteve Mjekësore.

Në këtë testim do të përfshihen rreth 200 persona të infektuar në Barcelonë si dhe 2850 njerëz që kanë pasur kontakte të afërta me ta. Rezultatet e para të studimit pritet të publikohen në muajin maj.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark