Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë anuluar seancat e planifikuara për muajin gusht në gjykimin e dytë ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Sipas njoftimit të Speciales, pas njoftimit të mbrojtjes së Bashkim Smakajt, të dorëzuar më 30 korrik 2026 në përputhje me Rregullën 131, ku bëhej e ditur se nuk do të paraqiteshin prova të reja, gjykatësi i vetëm, Christopher Gosnell, ka vendosur të anulojë seancat e planifikuara për datat 17, 18 dhe 19 gusht 2026, si dhe afatet e përcaktuara në urdhrin e dytë për caktimin e datave.
Po ashtu, gjykatësi ka urdhëruar Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) që deri më 4 gusht 2026 të dorëzojë një mocion për paraqitjen e kundërprovave, raporton Betimi për Drejtësi.
Nëse një mocion i tillë nuk paraqitet, faza e paraqitjes së provave do të konsiderohet e mbyllur. Në këtë rast, gjykatësi ka planifikuar afate të reja procedurale për palët: deri më 24 gusht 2026, në orën 16:00, të dorëzohen dosjet gjyqësore përfundimtare (nëse do të paraqiten), deri më 4 shtator 2026 të dorëzohen dosjet e kundërpërgjigjeve (nëse do të paraqiten), ndërsa më 10, 11 dhe 14 shtator 2026 janë caktuar argumentet përmbyllëse.
Kujtojmë se në seancën fillestare të mbajtur më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Kilaj dhe Hajredin Kuçi u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që u vihen në barrë.