Sindikata e Pavarur e RTK-së ka bërë me dije se Komisioneri për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës, Nils Muizhnieks ka reaguar pas fyerjes dhe gjuhës denigruese që drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Mentor Shala ua bëri anëtarëve të Sindikatës së Pavarur të RTK-së, duke i quajtur baktere për të cilat ka antibiotikë dhe punëtorë që në nuk i hanë as qentë.
Muizhnieks, sipas SPRTK-së, e ka konsideruar të papranueshme përdorimin nga zyrtarët publikë të fyerjeve personale, kundër gazetarëve dhe punës së tyre duke shtuar se diskursi i tillë publik mund të çojë në vetë-censurë dhe të dekurajojë gazetarët në punën e tyre.
“Raporti thekson se “shkurtin e kaluar, drejtori i Radio Televizionit të Kosovës ka publikuar një postim në Facebook, ku sulmoi verbalisht dhe fyu anëtarët e Sindikatës së Radio Televizionit të Kosovës për shkak të diskutimit të tyre të fundit me kryetarin e parlamentit dhe deputetët për shkeljen e të drejtave të punës në Radio Televizionin e Kosovës”, thotë SPRTK.
Komisioneri, sipas kësaj Sindikate, e konsideron të papranueshme përdorimin nga zyrtarët publikë të fjalimeve nxitëse, duke përfshirë fyerjet personale, kundër gazetarëve dhe punës së tyre.
“Diskursi i tillë publik mund të çojë në vetë-censurë dhe dekurajon gazetarët nga kryerja e rolit të tyre të rëndësishëm të “vëzhguesve publik딓, citon SPRTK komisionerin Muizhnieks.
Në raport, sipas Sindikatës, theksohet po ashtu se gjatë misionit të tij, Komisionari është vënë në dijeni të shqetësimeve rreth censurës së pretenduar dhe ndikimit politik mbi politikat redaktuese të Radio Televizionit të Kosovës.
“Tutje përkujtohet se pas shkarkimit nga Drejtori i Radio-Televizionit të Kosovës të dy anëtarëve të sindikatës së televizionit, dhe etiketimit të përsëritur ndaj disa gazetarëve dhe redaktorëve si të “ndikuar politikisht”, në prill të vitit 2015, 60 redaktorë dhe gazetarë të Radio Televizionit të Kosovës publikisht akuzuan Drejtorin për censurë dhe keqmenaxhim”, thotë SPRTK duke cituar raportin e Komisionerit për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës, Nils Muizhnieks./Insajderi.com