Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell për zhvillimet e fundit në veri.
Ai këtë e njoftoi përmes ‘Twitter’-it, teksa kërkoi nga Qeveria e Kosovës t’i ndalë “hapat destabilizues”.
“Kam folur me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, rreth Kosovës. Prishtina dhe Beogradi duhet të angazhohen në dialogun e udhëhequr nga BE-ja tani, si mënyra e vetme drejt paqes dhe normalizimit. Prishtina duhet të depërshkallëzojë dhe të mos marrë hapa të njëanshëm dhe destabilizues. Misioni i NATO-s, KFOR, do të vazhdojë të sigurojë një mjedis të sigurt”, ka shkruar ai në Twitter.
Aleanca e NATO’s dje i ka bërë thirrje Kosovës që të qetësojë situatën në veri të vendit, një ditë pas tensioneve që u krijuan atje.
Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, përmes një postimi në Twitter tha se të gjitha palët duhet t’i zgjidhin çështjet përmes dialogut, derisa theksoi se KFOR’i mbetet vigjilent në këtë rajon
“Ne u bëjmë thirrje institucioneve në Kosovë të shtensionojnë menjëherë situatën dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të zgjidhin situatën përmes dialogut. Misioni i NATO-s, KFOR, vazhdon të jetë vigjilent dhe të ofrojë mjedis të sigurt”, shkroi Lungescu.