Stupcat kanë vendosur që të sjellin një seri skeçesh të reja, ku personazhe të vjetra merren me aktualitetin, por në njërën nga këto video, një personazh i ri megjithatë ka ardhur. Dhe ai duket sikur ka shumë ngjashmëri me rastin e komandantit të përgjithshëm të UÇK-së, Azem Sylën.
Aktorët Vedat Bajrami, Osman Azemi dhe Mensur Safqiu të cilët kanë shkruar skenarin, duket sikur janë bazuar shumë në dëshmitë e aktakuzës së botuar në Insajderi për rastin e Azem Sylës.
Skeçi titullohet “Kënga e burrit”. Personazhi i Stupcave është një agë i cili jeton në një fshat nga ku nëpërmjet djemve dhe nipave të tij kontrollon toka, biznese të naftës, prona e gjithçka.
Por ai nuk mjaftohet me kaq dhe ia mësyn plaçkitjes së pronës dhe kapitalit të një biznesmeni nga Zvicra duke përdorur metodat e shantazhit dhe kërcënimit me vdekje.
Pak a shumë e njëjtë është historia e një haraci që njerëzit të Azem Sylës dyshohen t’i kenë bërë një biznesmeni nga Prishtina.
Në aktakuzën e prokurorisë, komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Azem Syla, ish-deputet i PDK-së ndër të tjera akuzohet sesi ka “plaçkitur” kapitalin milionësh të “F”-së euro. Shtëpi, lokal, toka, e para kanë përfunduar në pronësi të njerëzve të Azem Sylës i njohur si “Daja i madh”, djalit të axhës së tij, Hysni Syla, i njohur si “Daja i vogël” dhe në xhepat e vëllait të Rrustem Mustafës, Bedriut.
Njerëzit e Agës në skeç e urdhërojnë biznesmenin që ta qes tokën në emër të tyre.
“Na qet parcelën në emër ton, biznesin edhe qekaq”, kërcënojnë djemtë e Agës biznesmenin duke eskaluar në vrasjen e tij.
Në aktakuzën ndaj Azem Sylës thuhet se ai nuk kishte përtuar të përdorte tonet më kërcënuese për ta detyruar “F”-në që t’ia shiste tokën familjarit të tij, Hysni Syla me çmimin që donin ata. I kishte dhënë ultimatum që pesë hektarë tokë të shiteshin brenda 48 orëve për 50 mijë euro, ndryshe do ta shihte se kush ishte Azem Syla. Por, “F”-ja nuk ishte thyer kësaj radhe. Pas kësaj, “F”-ja ishte shantazhuar në një mënyrë tjetër. Me një video pornografike të montuar me një vajzë spiune e njerëzve të Sylës.
Përderisa njerëzit e Azem Sylës ia kanë arritur ta marrin krejt pasurinë e F-së duke mos pasur të vrarë për aq sa dihet, në skeçin e Stupcat gjërat shkojnë keq. Biznesmeni vritet por bashkë me të edhe një nga djemtë e Agës.
Skeçi mbyllet me një këngë folklorike ku djalit të vrarë të Agës i thuren vargje në këngë patriotike si një dëshmor i luftës, ani pse është vrarë si plaçkitës.
Në këtë mënyrë, shihet tendenca e Stupcave që të atakojnë keq të kaluarën dhe biografinë e Azem Sylës si ish komandant dhe deputet i Kuvendit të Kosovës.
Përkundër faktit se Stupcat nuk i kanë bërë ndonjë dedikim kësaj skeçi të transmetuar në televizionin publik dhe më pas në Gjirafa.com, ngjashmëria mes aktakuzës së Prokurorisë dhe “aktakuzës së Stupcave”, hedh dyshime se personazhi i “Këngës së Burrit” është i bazuar në Azem Sylën.
Me skeçet e tyre, Stupcat kanë arritur të provokojnë disa herë. Herën e fundit quan shumë pluhur mbi pastërtinë e disa komandantëve të luftës, që ngjalli kundërshtime nga organizata që mbrojnë të drejtat dhe vlerat e komandantëve të UCK-së./Insajderi.com