×
  • Lajme
  • Lajme

    Sulmi me thikë në Ferizaj, Skenderi: Viktimat u përkasin komuniteteve – A ishte sulmi i motivuar nga etnia?

    Insajderi
    13 November 2024 - 12:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Isak Skenderi, Drejtor i organizatës “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians”, ka reaguar lidhur me sulmin e rëndë që ndodhi të hënën në Ferizaj, ku një person ka therur me thikë katër individë, përfshirë dy të mitura, shkruan Insajderi.

    Ai përmes një shkrimi në Facebook, ka shprehur shqetësimin e tij për natyrën e sulmit dhe ka kërkuar hetime të thelluara mbi motivet e këtij krimi, duke theksuar se viktimat i përkasin komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

    Skenderi ka theksuar se akti i dhunës ka dyshime të forta për motivim etnik, pasi të gjithë të prekurit nga sulmi janë pjesë e grupeve të margjinalizuara.

    “Ky akt dhune është një shenjë e një problemi më të thellë dhe shumë më shqetësues: një motivim etnik, i nxitur nga urrejtja. Kur viktimat e rastësishme janë të gjithë nga një grup etnik, duhet të pyesim pse ndodhi ky sulm dhe a ishte ai i qëllimshëm dhe i kalkuluar,” tha Skenderi.

    Në reagimin e tij, ai theksoi se sulmi i ndodhur është një akt që nuk mund të tolerohet, dhe bëri thirrje që autoritetet të veprojnë me shpejtësi dhe saktësi në identifikimin dhe dënimin e motivit.

    Kryetari i Komunës së Ferizajt konfirmoi se agresori është arrestuar, por Skenderi kërkoi që hetimi të thellohet për të kuptuar të vërtetën pas këtij krimi.

    Një nga viktimat e këtij sulmi ishte një vajzë e moshës 10 vjeçare, e cila po kthehej në shtëpi nga një dyqan.

    Skenderi theksoi se ky është një shembull i papranueshëm i dhunës ndaj një personi të pafajshëm dhe të pambrojtur.

    “A është ajo sulmuar për shkak të përkatësisë së saj etnike? A ishin këto sulme të paramenduara dhe të kalkuluara për të goditur më të pambrojturit e komunitetit tonë?” pyeti ai.

    Skenderi ka bërë thirrje për një reagim të menjëhershëm nga autoritetet, duke theksuar se ky nuk është incidenti i parë i urrejtjes ndaj komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë.

    Ai ka theksuar se për një shoqëri të vogël si kjo, ka shumë raste të ngjashme të dhunës dhe diskriminimit, të motivuara nga paragjykimet etnike dhe intoleranca.

    “Historikisht, komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian janë margjinalizuar dhe trajtuar keq, duke mbetur të nënshtruar në kushte sociale dhe ekonomike të vështira. E pabesueshme është që kjo atmosferë e urrejtjes vazhdon edhe sot. Ne jetojmë në një shoqëri moderne dhe demokratike, dhe është e papranueshme që çdo qytetar të mos ndihet i sigurt dhe i respektuar,” tha Skenderi.

    Ai kërkoi që ky krim të hetohet me urgjencë dhe të trajtohet në mënyrë që të parandalohet përhapja e urrejtjes dhe dhunës ndaj grupeve të margjinalizuara.

    “Duhet të sigurohemi që çdo jetë të vlerësohet dhe që çdo akt dhune të dënohet siç duhet, për të krijuar një shoqëri më të drejtë dhe të barabartë për të gjithë.”

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark