
Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, tha se gjatë manifestimit të sotëm të maturantëve serbë në Mitrovicën e Veriut, ka pasur provokime.
Sveçla tha se disa nga pjesëmarrësit në këtë manifestim kanë bërë edhe thirrje shoviniste “Kosova është zemra e Serbisë” dhe me simbolin e tre gishtave.
“Gjatë manifestimit, disa pjesëmarrës kanë filluar provokimet ndaj qytetarëve të pranishëm në shesh me simbole nacionaliste dhe thirrje shoviniste “Kosova është zemra e Serbisë” dhe me simbolin e tre gishtave që jo vetëm përkujtojnë spastrimin etnik dhe gjenocidin që Serbia ka kryer në Kosovë, por manifestojnë edhe pretendimet që ky shtet ka ndaj Republikës sonë”, shkroi Sveçla.
Tutje, ai tha se Policia e Kosovës, në mënyrë profesionale ka ndërmarrë veprimet e nevojshme me qëllim të evitimit të përshkallëzimit të mëtutjeshëm të situatës.