Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, njëherësh edhe kandidat për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, s’i ka përfillur fort ligjet gjermane. Ai ka shkuar që të zhvillojë fushatë përpara mërgatës në Gjermani, përkundër që rregullat s’e lejojnë një gjë të tillë.
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka lëshuar dje një njoftim, ku ka paralajmëruar politikanët se aktivitetet e fushatës zgjedhore nga zyrtarët e huaj nuk lejohen tre muaj para se të mbahen zgjedhjet, shkruan Insajderi.
“Meqenëse kemi diasporë të madhe nga Kosova në Gjermani, dëshirojmë t’u kujtojmë të gjithë kandidatëve se, si rregull, aktivitetet e fushatës zgjedhore nga zyrtarët e huaj në Gjermani nuk lejohen në periudhën më pak se tre muaj para zgjedhjeve. Faleminderit për mirëkuptimin tuaj”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Megjithatë, ky rregull nuk po i çon fort peshë Lëvizjes Vetëvendosje. Qendra e LVV’së në Gjermani ka njoftuar se përgjatë ditës së djeshme, Xhelal Sveçla, Adnan Rrustemi dhe Luan Aliu kanë mbajtur tubim politik në Püttlingen, pjesën perëndimore të Gjermanisë.
“Nga vizita në Püttlingen e kandidatëve për deputet të Lëvizjes: Xhelal Sveçla, Adnan Rrustemi dhe Luan Aliu“, thuhet në njoftimin e kësaj qendre.
Më 2017-ën, Ministria e Jashtme Federale iu kishte dërguar ambasadave të akredituara në Gjermani notën qarkore për kufizime të këtilla.
“Paraqitjet e politikanëve të huaj në ngjarje në Gjermani që synojnë elektoratin e vendit të huaj kërkojnë miratimin e Qeverisë Gjermane. Një miratim i tillë duhet të kërkohet me anë të një Note Verbale drejtuar Ministrisë së Jashtme Federale të paktën dhjetë ditë para ngjarjes. Miratimi do të jepet në dritën e marrëdhënieve me jashtë; kështu, ai nuk zëvendëson lejet e nevojshme sipas ligjit të rendit publik.
Paraqitjet duhet të jenë në përputhje me parimet e Ligjit Themelor dhe sistemit ligjor gjerman, veçanërisht në lidhje me të drejtën e tubimit. Ato nuk mund të përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe rendin publik. Si rregull i përgjithshëm, miratimi nuk jepet nëse fjalimi do të mbahet në një periudhë më pak se tre muaj para datës së zgjedhjeve ose referendumit; ky rregull nuk zbatohet për Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian“, thuhet në vendimin e ministrisë së Jashtme Federale gjermane.
Qeveria gjermane kishte ndaluar dhe refuzuar kërkesat për paraqitje politike nga zyrtarët e qeverisë turke në Gjermani në periudhat që i afroheshin zgjedhjeve dhe referendumeve atje.
Ky zbatim u kritikua nga zyrtarët turq, por Gjermania qëndroi pranë rregulloreve të saj si pjesë e së drejtës së saj sovrane për të menaxhuar aktivitetin politik në territorin e saj. /Insajderi.org/