Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri tha të enjten se me kodin telefonik Kosova ka fituar identitetin shtetëror dhe njohjen ndërkombëtare të pavarësisë në fushën e telekomit.
“Kosova është pronare e kodit. Kosova administron vetë me kodin telefonik. Kosova do të bashkëpunojë direkt me ITU-në për implementimin e kodit telefonik. AKREP është kompetente për zbatimin teknik të kodit. Kosova do ta ketë vetëm një kod, +383. Do të shuhen të gjitha kodet ekzistuese”, ka thënë Tahiri.
Ndërkohë, kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Kreshnik Gashi, ka bërë të ditur se thirrjet dhe daljet telefonike në gjithë botën do të jenë thirrje ndërkombëtare.
“Thirrjet në mes Republikës së Kosovës dhe gjithë botës, por edhe Serbisë do të jenë thirrje ndërkombëtare edhe në thirrje edhe në dalje. Po ashtu, marrëveshjet e roamingut dhe interkoneksionit me Serbinë, si dhe me të gjitha vendet e botës do të jenë ndërkombëtare. Në këtë rast do të eliminohen të gjitha vështirësitë në menaxhimin e trafikut në hyrje dhe dalje”, ka thënë Gashi, njofton rel.
Ai ka shtuar se do të shuhen operatorët ilegalë të telefonisë mobile dhe fikse të Serbisë në Kosovë, që kanë vepruar që nga përfundimi i luftës, si dhe do të eliminohen të gjitha interferencat e shkaktuara nga operatorët ilegal, që kanë krijuar probleme të mëdha për operatorët aktual të telefonisë.