Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, qëndroi dje në Mitrovicë, ku ka marrë pjesë në një tryezë të rrumbullakët, në lidhje me rëndësinë e dialogut të Brukselit për përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Aty Tahiri njoftoi për zhvillimet më të fundit në dialog dhe theksoi se “shumë shpejtë do të finalizohet zbatimi i disa prej marrëveshjeve të rëndësishme”. Ajo po ashtu theksoi se “së shpejti do të vendoset sistemi unitar i drejtësisë në veri të vendit”, e se do të hapen zyrat e gjendjes civile dhe regjistrit civil për t’i pajisur qytetarët me dokumente të shtetësisë së Kosovës.
“Dialogu i Brukselit po mundëson që hap pas hapi të konsolidojmë sovranitetin shtetëror edhe në veri të vendit dhe të normalizojmë gjendjen që është në dobi të qytetarëve të cilët aspirojnë një jetë më të mirë dhe më të sigurt”, tha Tahiri.
Ajo po ashtu shprehu kënaqësinë për progresin në revitalizimin e Urës së Ibrit që për të është i dukshëm, ndërsa shtoi se punimet do të kryhen deri më 20 janar 2017, kur edhe hapet ura për qarkullim të lirë për qytetarët dhe automjetet.
“Tashmë janë hequr të gjitha barrikadat që kanë ekzistuar, diku mbi 20 të tilla, e ambienti politik dhe ai i sigurisë është përmirësuar dukshëm”, theksoi Tahiri.