Takimet me Ministren e Kurtit dhe biznesi me Telekomin, sa milionë i mori firma kroate nga korporata që drejtohet nga Burbuqe Hana - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Takimet me Ministren e Kurtit dhe biznesi me Telekomin, sa milionë i mori firma kroate nga korporata që drejtohet nga Burbuqe Hana

    Insajderi
    14 May 2025 - 11:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ericsson Nikola Tesla, kompani kroate, po vazhdon të marrë milionat nga Telekomi i Kosovës. Fillimisht, duke nënshkruar kontratën 15 milionëshe. Më pas në këtë muaj u nënshkrua edhe tenderi tjetër, ku pa garë, iu dhanë edhe mbi një milionë, përmes kontratës se negociuar. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, i kishte bërë jehonë vizitës që kishte bërë qendrës R&D të Ericsson Nikola Tesla në Kosovë.

    Gazeta Insajderi

    Telekomi i Kosovës në vitin 2024 kishte shpërblyer me tender 15 milionësh kompaninë nga Kroacia “Ericsson Nikola Tesla d.d”.

    Në njoftimin e publikuar thuhej se tenderi ka të bëjë me blerjen e stacioneve bazë (SB) shtesë për modernizim të rrjetit radio për lokacionet që aktualisht mbulohen nga SB-të që janë End-of-Life dhe End-of-Support.

    “Duke qene jashtë përkrahjes nga prodhuesi si dhe jashtë ciklit jetësor teknologjik, këto pajisje nuk mund të behën upgrade dhe nuk mund të përdoren me. Shërbimet mobile të ofruara nga këto pajisje janë ne rrezik nëse nuk behet nderimi i tyre sa me shpejtë”, thuhej në njoftim.

    Më pas Telekomi, i dha edhe një kontratë kësaj kompanie. Tenderi ka vlerën prej 1.38 milionë eurosh duke tejkaluar edhe shumën e parashikuar.

    Fillimisht kontrata kishte vlerë 1,170,740.00 euro, por u rrit me mbi 200 mijë euro, duke arritur në 1,381,473.20 euro.

    Njoftimi për nënshkrimin e kontratës u bë 05.05.2025 dhe mban titullin Abonim Softuerik dhe Zgjerim i Kapaciteteve te teknologjise 5G“.

    Tenderi u dha përmes procedurës së negocimit pa publikim të njoftimit për kontratë.

    Në dosje janë dhënë edhe detaje për punët që do të kryhen:

    • Abonime për elementet e rrjetit RAN dhe CORE,
    • Licenca për platformat UDM, SAPC, EDA,
    • Pajisje softuerike për menaxhimin e trafikut në rrjetin 5G jo-autonom (NSA),
    • Kapacitete për përpunimin e deri në 50 mijë lidhjeve simultane.

    Kush është kompania që po merr milionat nga Telekomi dhe vizita e ministres Rizvanolli në këtë kompani?

    Ericsson Nikola Tesla është pjesë e Ericsson Global, nga Zagrebi i Kroacisë.

    Në kohën kur kishte marrë 15 milionë euro kontratë nga Telekomi i Kosovës Gordana Kovaçeviq, presidente e kompanisë “Ericsson Nikola Tesla” kishte theksuar se vazhdimi i partneritetit me Telekomin e Kosovës do të kontribuojë në forcimin e pozitës së kompanisë që ajo udhëheq në treg.

    Me 6 dhjetor të vitit 2023, ministrja tashmë e dorëhequr, Artane Rizvanolli kishte dedikuar një postim në “Facebook” për kompaninë Ericsson Nikola Tesla.

    Ajo kishte vizituar qendrën R&D të Ericsson Nikola Tesla në Kosovë duke e quajtur qendër të inovacionit.

    “Bashkë me Ambasadorin suedez në Kosovë, Jonas Westerlund, vizitova qendrën R&D të Ericsson Nikola Tesla në Kosovë, një qendër e inovacionit dhe dëshmi e sinergjisë mes akademisë dhe industrisë. Partneriteti me Universitetin e Prishtinës dhe suksesi i Shkollës Verore tregojnë përkushtimin ndaj talenteve lokale, duke ndikuar në punësimin e të rinjve.

    Në këtë vizitë, theksova përkushtimin e qeverisë për të përkrahur dhe investuar vazhdimisht në sektorin e TIK, duke përfshirë digjitalizimin dhe infrastrukturën 5g”, kishte shkruar ajo.

    Ekipi i Ericsson Nikola Tesla në Kosovë ka për drejtor Besar Spahijën.

    Qeveria e Kosovës, kujtojmë se vazhdimisht ka ndarë miliona për këtë ndërmarrje.

    Në fund të vitit 2022 Qeveria e Kosovës i ka dhënë hua 20 milionë euro Telekomit të Kosovës për riparim të infrastrukturës në këtë ndërmarrje.

    Po ashtu edhe në fund të vitit 2023 i dha edhe 15 milionë euro hua.

    Edhe këtë vit Një ditë pas dorëheqjes nga posti i kryeministrit, Albin Kurti, ka ndarë edhe 10 milionë euro ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës./Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark