
Kryeshefja ekzekutive e Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, edhe pse e kishte të rregulluar me marrëveshje kolektive të brendshme, nuk i paguante punonjësit për paga jubilare, përvojë pune e shujta ditore. Ajo i paguante njëjtë punonjësit; si ata që janë punësuar para 20 viteve edhe ata para 5 vite.
Për këtë, Gjykata Supreme mori vendim duke i dhënë të drejtë një punonjësi të ndërmarrjes dhe duke e detyruar Telekomin nën kërcënim të përmbarimit me dhunë t’ia paguajë të gjitha të lartpërmendurat sipas rregullores së brendshme të Telekomit të Kosovës.
Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë aktgjykimin e Supremes të vitit të kaluar, ku konfirmon vendimin e dy shkallëve që i kishin dhënë të drejtë punonjësit M.Xh.
“Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë C.nr.2246/2020, të datës 03.02.2022, është vendosur në pikën I të dispozitivit të aprovohet në tërësi si e bazuar kërkesëpadia e paditësit M.Xh. Në pikën II detyrohet e paditura Telekomi i Kosovës, sh.a. me seli në Prishtinë, që paditësit t’ia kompensoj shumën e përgjithshme prej 4,337.06€; në emër të shpërblimitjubilar për 10 vite të përvojës së punës, shumën prej 1,199.54€; përvojës së punës 0.5%, nga data 01.06.2019 deri më 30.11.2021, shumën prej 1,238.52€, dhe shujtave ditore për 633 ditë pune nga data 01.06.2019, deri me data 30.11.2021, shumën prej 1,899.00 €; Të gjitha këto me kamatë prej 8%, e cila do të llogaritet nga marrja e këtij aktgjykimi e deri në pagesën definitive, në afat prej 7 ditësh nga marrja e këtij aktgjykimi, nën kërcënim përmbarimit të detyrueshëm”, thuhet në aktgjykim.
“Në pikën III detyrohet e paditura që paditësit t’ia paguaj shpenzimet e procedurës kontestimore në shumën prej 514.00 €, në afat prej 7 ditësh nga marrja e këtij aktgjykimi, nën kërcënim të përmbarimit të detyrueshëm”, vijon aktgjykimi.
Supremja me këtë ka rrëzuar ankesën e Telekomit në shkallën e tretë, e cila ka kërkuar ta kthejë në rigjykim rastin “për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore dhe për shkak të zbatimit të gabuar të së drejtës materiale”.
Vendimi citon interpretimin e Apelit, ku thotë se “i punësuari, ka të drejtë në shpërblimin jubilar dhe atë: për 10 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të një page mujore të tij. E njëjta parashihet edhe në nenin 44 të Marrëveshja Kolektive e Punës në Telekomin e Kosovës nr. 01-3207/19 e dt. 31.05.2019, ku thuhet se punonjësve u takon kompensimi i shtesave për përvojë pune 0.5% të pagës bazë për çdo vit të plotë të përvojës së punës”.
Shkalla e tretë bën të ditur edhe se objekt i shqyrtimit ishin edhe pretendimet e Telekomit se është duke operuar me humbje dhe vështirësi financiare, por që gjeti se pretendimet e tilla nuk janë shkaqe të arsyeshme, duke i refuzuar si të pabazuara.
Përkundër që para organeve të drejtësisë Telekomi shfaqet si ndërmarrje publike që operon me humbje, ndryshe propagandohet nga Lëvizja Vetëvendosje. Ata në vazhdimësi e kanë quajtur Telekomin si “ndërmarrje fituese”.
Një ditë pas dorëheqjes nga posti i kryeministrit, Albin Kurti vendosi që t’ia ndajë edhe 10 milionë euro ndërmarrjes publike Telekomit.
Kurti në një mbledhje të Qeverisë ku njoftoi për vendimin, lavdëroi tejmase punën e Telekomit të Kosovës, ku përmendi shënimin e shtatë milionë eurove fitim për dy vite radhazi.
Megjithatë, të hyrat fituese vjetore deri më tani shënojnë totalin e 14 milionë eurove, teksa kjo u bë hera e dytë në mandatin Kurti 2 që qeveria ndau kredi për këtë ndërmarrje publike. Pra, totali i kredive të ndara është 30 milionë euro, që është gati dyfish më i lartë sesa lartësia e shumës së fitimit. /Insajderi.org/