I menduar si një takim i fshehtë i ‘Listës Guxo’ në Kullat e Gërvallëve në Dubovik të Pejës, nga dje, disa muaj pas, më nuk mund të konsiderohet i tillë. Gazeta Online Reporteri.net, të shtunën, ka publikuar pjesën e parë të detajeve, fotove dhe videove ekskluzive të këtij takimi ku u turpërua Kryediplomatja Donika Gërvalla e u shpërfaq shpërbërja e Listës së themeluar nga Presidentja Vjosa Osmani. Sot, lexoni dhe ndiqeni me video fjalimin e Donika Gërvalla-Schwarz, me të cilin ajo iu kundërpërgjigj akuzave të rënda që koordinatorët e ‘Listës Guxo’ ia thanë përballë në të këtë takim Ministres së Jashtme, për Presidenten Osmani dhe drejtuesit tjerë të këtij grupimi politik. Një fjalim plotë mosmirënjohje për bashkëpartiakët dhe mbështetësit e saj, e me tepër kërkesa për nënshtrim, po ndaj saj. Deri tek vlerësimet e detajet e prapaskenave befasueses në lidhje me përfshirjen e Listës Guxo në Qeverinë Kurti 2.
Akuzat e koordinatorit të Listës Guxo në Vushtrri, Nasuf Bejta, por edhe të anëtarëve të tjerë të këtij subjekti politik, që u thanë në takimin e fshehtë të grupit politik të themeluar nga Presidentja Osmani, e acaruan me të madhe Donika Gërvallën, që ishte edhe nikoqirja e takimit, në kullat e familjes së saj në Dubovik të Pejës.
Në një moment të tillë acarimi, Gërvalla-Schwarz nxori nga vetja një fjalim të gjatë me plotë e përplot shprehje mosmirënjohje për bashkëpartiakët e saj, mbështetësit tjerë dhe votuesit e Listës Guxo, me të cilët arritën fitoren e madhe të 14 shkurtit, që ua siguroi asaj dhe të tjerëve nga ky subjekt, pozitat e larta qeveritare, e madje themelueses Vjosa Osmani edhe atë më të lartën shtetërore – Presidente të Kosovës.
Gazeta Online Reporteri.net ka siguruar videon e fjalimit të Donika Gërvallës, para anëtarëve dhe drejtuesve të tjerë të qendrave të Listës Guxo.
Në të dëgjohet kur Kryediplomatja Gërvalla shfaqë refuzimin që ta marrë drejtimin e Listës Guxo, pas kërkesës që bashkëpartiakët e saj, të zhgënjyer, patën që subjekti i tyre politik të mos shkrihet në Lëvizjen Vetëvendosje.
“Unë aspak nuk besoj se muj me e drejtu këtë listë për njëfar kohe”, thotë nder tjera Donika Gërvalla, derisa zëri i saj disa herë ngjiret gjatë fjalimit të gjatë e me shumë shpërfaqje tensioni e nervozizmi të saj.
Në veçanti, e nervozuar ajo tregohet të jetë kur kundërpërgjigjet për akuzat se ajo dhe të tjerët Ministra të Listës Guxo, sikurse edhe vetë Presidentja Vjosa Osmani, “i braktisën” dhe nuk ua hapën më telefonin anëtarëve të tjerë të subjektit politik, pasi zunë postet qeveritare e shtetërore, pikërisht me përkrahjen e njerëzve që atë ditë ishin në një nga sallonet e kullave të Gërvallëve në Dubovik.
“Nuk e kam lut askënd nga ju, absolut asnjë prej jush, nuk e kam thirr as në 1 të natës, as në 5 të mëngjesit në telefon”, u thotë ajo bashkëpartiakëve dhe mbështetësve të saj e Listës Guxo.
“Ju s’keni nevojë me kerku vota për mu. Ju është dashtë me kërku vota për ata kandidatë të cilët përfaqsojnë idetë e juaja”, dëgjohet dhe shihet teksa thotë ndër tjera Donika Gërvalla, në videon e siguruar nga Gazeta Online Reporteri.net.
“Edhe 300 mijë votat e zonjës Presidente, unë nuk besoj që ajo ju ka lutë “amani boni për Vjosën”, shton kryediplomatja si kundërpërgjigje për Nasuf Bejten dhe koordinatorët tjerë të Listës Guxo që u ankuan se pas zgjedhjeve “u braktisën” e askush nga paria e Listës Guxo prej kohësh më nuk ua hapnin telefonin. Bejta, në takimin në Dubovik e pohon haptas se e konsideron “të djegur” veten, në seancën e zgjedhjes së Vjosa Osmanit për presidente doli kundërkandidat i saj, për t’i siguruar asaj përmbushjen e proceduarave Kushtetuese për votimin si shefe e shtetit.
“Asnjëherë, asnjërin nga ju nuk e kam lutur aman a po më bëni drejtuese të Listës. Në asnjë moment të caktum. Asnjërin prej jush nuk e kam lut, të lutem, thuaj dikujt, ose lufto për mu që unë të bëhem Ministre e Punëve të Jashtme”, thotë Gërvalla-Schwarz.
Tutje, Gërvalla edhe pse refuzon ta marrë drejtimin e Listës Guxo, duke dhënë arsyet e saja, megjithatë të pranishmeve u lë porosi nënshtrimi ndaj saj dhe atyre, pasi veten e konsideron personalitet e me ide e me 31 vjet angazhim politik.
“Unë ndihem shumë e nderume që ju besoni se unë muj me e drejtu këtë Listë për njëfarë kohe. Por, më lejoni të jem shumë e sinqertë. Unë aspak nuk besoj se muj me e drejtu këtë listë për njëfarë kohe. Pse unë nuk besoj se muj me e drejtu këtë listë për njëfarë kohe. Sepse, unë nuk jam dikush tjetër në televizor. E dikush tjetër kur flasim mes vete. Unë jam kjo që jam. Dhe jeni ju ata të cilët duhet ta përcaktoni, a përputhet për këtë fillim, gjithmonë po flasim veç për këtë qellim. Votën e fshehtë në kuti nuk e zëvendëson asnjë mekanizëm tjetër në botë. Ju duhet ta mendoni a përshtat qiky organizim që ju po e imagjinoni dhe ky person për këtë fillim a përshtaten me njeri tjetrin. Pse? Sepse ndoshta edhe për faktin se unë kam kaluar 31 vjet jashtë vendit”.
“ Nejse, kam kaluar më shumë se 40, por 31 vjet i kam kaluar jashtë vendit në aktivitet politik. Për ditë. Çdo ditë, pa e huq as edhe një ditë të vetme. Dhe pa pyet asnjëherë, për 31 vjet, as kush më thirri në telefon, as pse nuk më thirri, por duke e pa mundësinë e aktivitetit, duke shku tek aktiviteti, tu e kry aktivitetin edhe tu ja lanë vulën”. “Pikë”, i vendos nikoqirja e takimit fjalisë së saj.
“Ky është aktivitet politik. Nëse unë besoj që unë si person, si personalitet, si një person, kam diçka për të dhënë politikisht, unë nuk pres me më thirrë as Vjosa [Osmani], as Fatoni [Peci], as Donika [Gërvalla], as Burimi [Karamata] as absolutisht, bash kerkush prej jush”, shton kryediplomatja kosovare.
Ajo, madje e konsideron vetën si veprimtare, e të përgjegjshme.
“Unë ndoshta, jam e demtume nga koha ku jetoj dikun tjetër, edhe kam ardh me një vizion të gabum në këtë vend”, thotë ajo.
“Unë nëse mendoj se prezantoj diçka, nëse mendoj se ideja ime ja vlen me u shpërnda, unë e gjej rrethin, i gjej njerëzit, dhe e mendoj kanë ta thirri në qat takim të cilin unë e konsideroj të vlefshëm me u caktu, me u mbajt dhe me bisedu. Edhe një herë, unë kam më shumë se 2 vjet që jetoj jashtë këtij ambienti shoqërorë, ndoshta është diçka që nuk përputhet me njeri tjetrin. Në atë duhet të jemi shumë të ndërgjegjshëm. Se unë jam rritë në një ambient politik në të cilin personi ka unin e tij, dhe ka përgjegjësinë e tij. Dhe përgjegjësia politike nuk është diçka që as ta huazon, flasim për përgjegjësi politike si veprimtar, nuk po flasim për përgjegjësinë politike si titullar, por si dikush që ka një ide dhe një dëshirë dhe një vizion. Aty, unë ndoshta, jam e demtume nga koha ku jetoj dikun tjetër, edhe kam ardh me një vizion të gabum në këtë vend. Sepse unë kam qenë 30 vjet në LDK, si pjesa më e madhe e jush. Unë nuk kam dal nga LDK për faktin se ata s’kan dashtë me bo diçka, sepse unë në vitin 2014 kam mujt me qenë pjesë e listës zgjedhore të LDK-së, në vitin 2017 kam pas mundësi me qenë pjesë zgjedhore e LDK-së, unë kam pas mundësi në 2019 me qenë pjesë e listës zgjedhore të VV-së, por unë jam percaktu me kandidiu si deputete në vitin 2021. Dhe kam ardhë ditën kur është mbyllë lista zgjedhore. As nuk e kam lut askënd nga ju, absolut asnjë prej jush, nuk e kam thirr as në 1 të natës, as në 5 të mëngjesit në telefon. Pse nuk e kam thirr? Sepse unë kam konsideruar se ju nuk kërkoni vota për mu, ju s’keni nevojë me kerku vota për mu. Ju është dashtë me kerku vota për ata kandidat të cilët përfaqësojnë idetë e juaja dhe të cilët ata njerëz të cilët ju mund t’i organizoni mund t’i votojnë. Edhe 300 mijë votat e zonjës Presidente, unë nuk besoj që ajo ju ka lutë amani boni për Vjosën”.
“Njeriu kur është në një organizim politik, duhet të jetë realist, duhet të sheh cila është lista, cilët janë kandidatët për të cilët muj me organizu vota. Pse, sepse interesi është. Dhe kemi pas shumë sukses, shumë e vërtetë”, u thotë Donika Gërvalla-Schwarz të pranishmeve në takimin, ku pos saj ishte edhe Ministri Faton Peci e deputetja Jeta Statovci. Të dy këta, disa herë gjatë fjalimit të Gërvallës provuan ta pengojnë këtë personin që po bënte incizimet me video të cilat dje e sot po i publikon Gazeta Online Reporteri.net.
Fjalimi i Ministres së Jashtme në Qeverinë Kurti 2, para njerëzve të Listës Guxo, përveç që s’u ka pëlqyer të pranishmëve, s’ka se si tu pëlqejë as shefave të saj në Qeveri.
Ajo pretendon se ‘Lista Guxo’ i ka frikësuar edhe Lëvizjen Vetëvendosje, me rezultatin e tyre zgjedhor dhe 300 mijë votat e Vjosa Osmanit, ndonëse meritorëve për këtë rezultat u thotë se “nuk ua kanë lypë votën”.
“Si listë në tersi kemi qenë çudia e zgjedhjeve nacionale. Sepse në 14 persona, prej të cilëve ishin persona të cilët shumë pak njiheshin në opinionin publik, kemi hy me një numër të konsiderueshëm në parlament, qe jo vetëm qe kemi habitur publikun por në radhë të parë i kemi friksu edhe ata me të cilët kemi hy në koalicionin dhe ata me të cilët kemi qenë me një parti deri atëherë”, thotë Gërvalla në fjalimin e saj në vendlindjen e saj, në Dubovik të Pejës, para disa muajve.
“Prandaj, para se të bisedojmë për çka mas, unë kam nevojë për një sqarim shumë të rëndësishëm. Unë personalisht, nuk jam në dispozicion. Thjesht nuk jam në dispozicion. Asnjëherë, asnjërin nga ju nuk e kam lutur aman a po më bëni drejtuese të Listës. Në asnjë moment të caktum. Asnjërin prej jush nuk e kam lut, të lutem, thuaj dikujt, ose lufto për mu që unë të bëhëm Ministre e Punëve të Jashtme”.
Donika Gërvalla, në fjalimin e saj, zbulon se ka qenë kundër që Lista Guxo të bëhet pjesë e Qeverisë Kurti 2 dhe shpjegon se si iu ndryshua mendja për të hyrë në ekzekutivin ku u ‘rehatua’ me postin e Kryediplomates së Kosovës.
“Kolegët e dinë shumë mirë, kam luftu që të mbetemi në parlament, që të mos shkojmë në Qeveri fare. Sepse kam konsideru se duhet të jemi në numër më të madh në qeveri, duhet të kemi më shumë influencë dhe duhet të jemi më të pranishëm, dhe në fund të fundit nga pozita e parlamentit ta konsolidojmë këtë subjektin tonë politik dhe pastaj të shohin se çfarë do të bëjmë. Në ndërkohë më kanë bindur që nëse dëshiron të bësh diçka për këtë iniciativë politike atëherë duhet të jemi të pranishëm në ekzekutiv, sepse ka një perceptim në qytetar se po nuk pate rol në ekzekutiv, pra po nuk qe si subjekt politik pjesë e ekzekutivit, t’i badihava flet gjithë ditën kur je në opozitë në parlament, sepse ndryshe mundesh me qenë si deputet opozitar dhe ndryshe kur je deputet i koalicionit i cili ka qeverisjen”.
“Fatonin e kam dëshmitar”, thotë Gërvalla-Schwarz.