×
  • Lajme
  • Insajderi

    Takimi i Kurtit e Vuçiqit me Kancelarin e Gjermanisë – çka të pritet nga ky zhvillim?

    Insajderi
    03 May 2022 - 17:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Një takim do të mbahet nesër në mes të Kurtit dhe Kancelarit të Gjermanisë. Me të njejtin do të takohet edhe Vuçiqi. Çka mund të pritet nga ky takim? A ka ndikim lufta Ukrainë-Rusi? A mund të pritët një rezultat konkret apo vetëm takim i rëndomtë? A mund të provokojë zgjedhje në Kosovë dështimi eventual i negociatave? Për Insajderin flasin njohës të rrethanave politike.

    Kryeministri, Albin Kurtit, të mërkurën (4 maj) do të niset për në Berlin të Gjermanisë. Atje do të takohet me kancelari gjerman, Olaf Scholz. Përveç Kurtit, Scholz do ta takojë edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimet do të zhvillohen ndaras.

    Nga njohësit e çështjeve politike ka pritje të larta për takimin.

    Përfshirja direkte e kancelarit gjerman Scholz po konsiderohet si e një rëndësie më të lartë të nivelit evropian. Ndërkohë, po cilësohet edhe si dorëzim i të dërguari të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak drejt gjetjes së një zgjidhje të konfliktit të kamotshëm mes dy shteteve.

    Njohësi i çështjeve politike, Arton Demhasaj foli për Insajderin lidhur me pritshmërinë që ka nga ky takim. Përmend që gjatë këtij viti mund të ketë edhe një marrëveshje përfundimtare.

    Arton Demhasaj – analist politik

    “Ditëve të fundit kemi pasur pak deklarata nga ndërmjetësuesi Lajçak i cili njëfarë mënyre është dorëzu para këtij procesi duke pa që nuk mujti me ndërmjetësu dhe me arrit një marrëveshje që lidhet me çështjen e targave, prandaj ka pasur nevojë për një takim të një dimensioni tjetër, dimensioni më të lartë politik, të një fuqi më të madhe politike më pas mendoj që edhe është organizu takimi i nesërm me kancelarin gjerman me të dy përfaqësuesit, në këtë rast kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë, për me i dhënë një kahje tjetër dialogut, për me zhblloku këtë proces dhe me kthy në një proces më intensiv të këtij takimi të lartë për mundësinë e arritjes së një marrëveshje përfundimtare”, deklaroi ai.

    “Unë mendoj që ky takimi i nesërm ka me qenë në kuadër të kësaj me i jep një dimension më të fuqishëm dialogut dhe me mundësinë e arritjes së një marrëveshje që mund të jetë pa dyshim brenda këtij vitit”, tha Demhasaj.

    Ndryshe po mendon politologu, Behlul Beqaj. Ai krejt situatën e lidh me luftën e nisur tash e ca muaj mes Rusisë e Ukrainës.

    Sipas tij nuk është momenti për zgjidhjen e situatës mes Kosovës e Serbisë.

    Behlul Beqaj – analist politik

    Pavarësisht se kemi të bëjmë me një takim të jashtëzakonshëm ku nikoqir është kancelari Scholz rrethanat aktuale nuk janë në favor të çfarëdo zgjidhje serioze, përkundrazi mendoj që epilogu përfundimtar i dialogut pritet atëherë kur kryhet, nëse kryhet agresioni rus në Ukrainë, pra fatin e dialogut dhe suksesin apo mos suksesin e tij unë direkt e lidhi me situatën, me zhvillimet mes Ukrainës dhe Rusisë, ngase fundit siç e paramendoi unë në kokën e Putinit  do të thotë refuzim i përfundimit të gjithë autoritarëve të Vuçiqit me Serbinë pas kësaj mendoj se alternativa e Serbisë nuk është të luhatet mes Lindjes dhe Perëndimit po të del në anën e Perëndimit që nënkupton që zgjidhja me Kosovën do të jetë në favor të zgjidhjes që ofron perëndimi”, u shpreh Beqaj për Insajderin.

    Gjatë bisedës Beqaj përmendin edhe opsionin e shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme nëse Kurti nuk vepron sipas kërkesave të amerikanëve e gjermanëve.

    “As Albin Kurti e as Serbia aktualisht nuk janë në situatë që të bëjnë zgjidhje serioze dhe derisa nuk krijohen kushtet e ndërsjella dhe serioze, sa i përket anës serbe mendoj që epilogu i luftës me Rusinë e Ukrainën do të jetë përcaktues ndërkaq sa i përket qëndrimit të Albin Kurtit do të jetë ndikimi vendimtar i SHBA-ve dhe Gjermanisë për të kërkuar një dialog përfundimtar të njohjes reciproke ose do të shkohet me siguri në zgjedhje”, sqaroi ai.

    Qëndrimet e tij rreth takimit të nesërme të Kurtit e Vuçiqit me kancelarin gjerman për Insajderin i dha edhe analisti politik, Nexhmedin Spahiu.

    Nexhmedin Spahiu – njohës i çështjeve politike

    “Së pari takimi në prezencën e kancelarit gjerman do të thotë takimi në nivelin më të lartë evropian sepse Bashkimi Evropian në fakt janë Gjermania dhe Franca, kështu që nuk ka forum më të lartë në nivel evropian se sa ky takim që do të bëhet mes kryeministrit të Kosovës dhe të presidentes së Serbisë dhe kancelarit gjerman”, ka thënë ai për Insajderin.

    Sipas Spahiut nëse edhe ky takim nuk bën një hap përpara atëherë BE do ta ketë vështirë të sjell zgjidhje për konflitikin e Kosovës me Serbinë.

    “Tani a do të arrihet ose jo marrëveshja kjo varet prej shumë faktorëve por nëse ky takim nuk bën një hap përpara atëherë është e vështirë që më Bashkimi Evropian mund të bëjë ndonjë gjë në këtë drejtim, nëse nuk mundet kancelari gjerman më atëherë të gjitha bisedat me Lajçakun, Borrellin e të tjerët janë të kota”, potencoi ai.

    Përkundër Beqajt i cili tha se për shkak tensioneve mes Rusisë e Ukrainës nuk është koha për zgjidhje, ndryshe po mendon Spahiu. Ai thekson se Kosova ndodhet në një situatë të volitshme duke sqaruar arsyet pse.

    “Është interes kombëtar i Kosovës që ketë një marrëveshje me Serbinë rreth njohjes nga ana e Serbisë, qysh po e shoh shpesh po përdoret termi i paqëndrueshëm njohje reciproke se Serbia nuk ka nevojë për njohje reciproke dhe ky term nuk ka kuptim. Por një pazar i cili do të bëhet në këmbim të njohjes nga ana e Serbisë është momenti më i duhur pikërisht tani për shkakun që lufta në Ukrainë dhe ku Serbia është në pozicion jo të favorshëm për shkaku se të dy aleatët e saj Perëndimi dhe Rusia janë në luftë njëri me tjetrin dhe sigurisht kur aleatët e tu janë në luftë me njëri tjetrin atëherë situata jotë nuk është e favorshme”, ka deklaruar analisti.

    Prandaj për Kosovë është një moment i volitshëm për me arrit një pazar nëse nuk e arrin një pazar të volitshëm tani vështirë që mundet me arritë më vonë kur Serbia të jetë në një gjendje më të mirë e ndoshta Kosova më të keqe”, shtoi ai.

    I pyetur se çka nënkupton me termin ‘pazar’, Spahiu ka dhënë tri sqarime se çka mund ta pres Kosovën në këmbim të njohjes që Serbia potencialisht mund të ia jap.

    “Të gjithë edhe amerikanët edhe gjermanët po thonë bëjeni një pazar një marrëveshje ose një kompromis me ta (Serbinë) atëherë kjo nënkupton që me bë pazar, por çka do të thotë Pazar në këtë rast, për me bë Pazar duhesh me dhënë ose pare ose territor ose me i dhanë autonomi serbëve e cila gjithashtu i kushton Kosovës. Por me bë Pazar nuk është njësoj sikur me i dhënë 1 miliard ose 5 miliardë, nuk është njësoj sikur me i dhënë dy katune, sikur me i dhënë dy komuna. Nuk është njësoj sikur me bë një asociacion me kompetence të një OJQ-je sikur një asociacion me kompetenca të Republikës Srpska. Prandaj bëhet bisedimet të përcaktohet se çka të jepet”, ka deklaruar Nexhmedin Spahiu.

    Gjatë vitit 2021 dialogu Kosovë – Serbi është zhvilluar kryesisht në nivel të ekspertëve, ndërkaq në nivelin e lartë politik janë zhvilluar dy takime ndërmjet kryeministrit, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqi. Takime këto që nuk sollën ndonjë marrëveshje.

    Kujtojmë që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur qysh nga viti 2011.

    /GazetaInsajderi.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark