Në mesnatë skadon afati i kërkesë së SHBA-së. Si do të veprojë Kosova? Do ta dëgjojë, apo kundërshtojë shtetin amerikan – siç ka vepruar në rastet e kaluara kur në pyetje ka qenë çështja e targave.
Kryeministri Albin Kurti dukej shumë i lumtur të shtunën kur u nis për në Bruksel të Belgjikës.
Së paku kështu tregonte një fotografi e shkrepur nga Ismet Kryeziu, drejtori gjeneral i KDI, i cili gjendej atë ditë në një aeroplan me të parin e ekzekutivit.
“Kryeministri më shumë se i gatshëm për takimin e Brukselit :)” shkruante Kryeziu në profilin e tij në Facebook, transmeton Gazeta Insajderi.
Një ditë më pas, ashtu ishte – shumë i gatshëm – i ulur në vendin e tij më një mori letrash para vetes priste të gjente një zgjidhje për targat serbe, pa e lënë anash as marrëveshjen përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Për dakordimin e këtyre të fundit, dhe kohën se kur parashihet të ndodh, kryeministri foli për herë të parë të hënën pas takimit të gjatë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, takim ky që ndërmjetësohej nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe i dërguari i tij për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak.
“Me keqardhje mund të them që ndërmjetësit, në këtë rast Josep Borrell hoqi dorë nga ky afati i marsit të vitit 2023 dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”.
“Po them me keqardhje sepse vetë e kanë propozuar marsin e vitit 2023 dhe në anën tjetër propozimi është i Bashkimit Evropian. Kur u takuam në Paris në Forumin për Paqe, Josep Borrell tha se propozimi nuk është Franko-Gjerman, por i BE-së dhe i mbështetur nga Franca dhe Gjermania”, deklaroi Kurti, shkruan Gazeta Insajderi.
I pari i qeverisë kosovare tha para mediave se shpreson që BE do të gjejë forcën që t’i rrijë prapa propozimit të saj për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë. Duke theksuar “se pas 8 orësh takime nuk kanë arritur marrëveshje”.
Çka ndodhi pas takimit të gjatë në Bruksel?
Kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës e morën vesh se nuk ka marrëveshje, ndërhynë në proces përmes të dërguarit të tyre në Kosovë, ambasadorit Jeff Hovenier.
Ky i fundit, pas mesnatës, në ora 00:19 minuta, i kërkoi Qeverisë së Kosovës ta shtyjë vendosjen e gjobave për 48 orë.
Hovenier tha se këtë kërkesë ia ka bërë qeverisë për t’i lejuar ShBA-të dhe BE-në që t’i angazhojnë palët për të gjetur një zgjidhje.
“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk arritën sot të arrijnë një marrëveshje për zgjidhjen e krizës aktuale në Kosovë. Kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë për 48 orë vendosjen e gjobave për t’i lejuar BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të angazhojnë më tej palët për të gjetur një zgjidhje”, shkroi ai në Twitter, transmeton Gazeta Insajderi.
Pak minuta më pas në 00:39, Kurti iu përgjigj kërkesë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Falenderoj ambasadorin Hovenier për angazhimin dhe angazhimin e tij. E pranoj kërkesën e tij për shtyrje prej 48 orësh për vendosjen e gjobave për targat e paligjshme “KM” (dhe të tjera)”.
“Jam i lumtur që do të punoj me SHBA-në dhe BE-në për të gjetur një zgjidhje gjatë dy ditëve të ardhshme”, ka shkruar Kurti në Twitter, transmeton Gazeta Insajderi.
Krejt momentet kur Qeveria e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës u pajtuan ose jo për targat
Më 31 korrik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan që vendimi për targat të shtyhet për 30 ditë. Po atë ditë, Qeveria e Kosovës vendosi pro kërkesë së shtetit të Joe Biden.
Kur vendimi duhej të hynte në fuqi në shtator, Qeveria e shtyri edhe për dy muaj implementimin e vendimit për targat serbe, deri më 1 nëntor, shkruan Gazeta Insajderi.
Para kësaj date, më 19 tetor, shteti amerikan kërkoi sërish që shteti kosovar ta shtyjë implementimin e vendimit për targat edhe për 10 muaj.
Dhjetë ditë pas kësaj kërkese, Albin Kurti doli në konferencë për media dhe njoftoi se ka vepruar kundër kërkesës amerikane.
Tregoi se vendimin për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia të zbatohet në tri faza, duke filluar nga 1 nëntori i këtij viti.
Nga 1 nëntori deri mesnatën e 21 nëntorit do të ishte në fuqi faza e qortimit të shoferëve. Më pas do të niste shqiptimi i gjobave prej 150 euro për shoferët që vozisin makina me targa të paligjshme, fazë kjo e cila do të zgjaste deri më 21 janar.
Pas fazës së gjobave, sipas planit, do të nisë shpërndarja e targave provuese, ndërsa nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, në komunikacion do të lejohen vetëm makina me targa RKS, shkruan Gazeta Insajderi.
Serbia – e cila lëshon targa për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999 – e kundërshton këtë plan, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës – ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme – kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.
Në mesnatë skadon afati i kërkesë së SHBA-së. Si do të veprojë Kosova?
Sot në Bruksel do të takohen kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, nën ndërmjetësim e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak – për të diskutuar zgjidhjen për çështjen e targave ilegale serbe.
Palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim, që është konsideruar urgjent, dhe mbetet të shihet se a do të arrihet një marrëveshje deri në mesnatë, atëherë kur skadon kërkesa e SHBA-së për shtyrjen prej 48 orësh të zbatimit të fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Kjo kërkese erdhi pas takimit që rezultoi pa marrëveshje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me çështjen e targave, shkruan Gazeta Insajderi.
Krejt kjo çështje ka ndikuar edhe në votimin e propozimit për liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili lejon lëvizjen e lirë jo më larg se data 1 janar e vitit 2024, që parashihej të ndodhte sot.
Votimi u hoq nga agjenda e takimit të sotëm të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, për shkak të situatën në veri të Kosovës.
“Për shkak të zhvillimeve politike në veri të Kosovës, ta kemi këtë pikë në agjendën e Coreper-it [trupi i ambasadorëve] nuk është ideale”, tha Presicenda çeke e BE-së në njoftimin për shtyrje.
Sipas saj, diskutimi për këtë çështje do të mbahet më 30 nëntor, shkruan Gazeta Insajderi.