Dogana e Kosovës ka njoftuar sot për largimin nga puna të pesë zyrtarëve dhe degradimin e dy të tjerë. Të njëjtit u zunë duke e keqpërdorur detyrën zyrtare.
Gazeta Insajderi ka mësuar se doganierët e larguar janë Mensur Stagova, Admir Sejdiu, Tomislav Dimic dhe Verograd Miletic.
Për emrat e njëjtë, Gazeta Insajderi ka raportuar edhe para një viti.
Me 18 nëntor të vitit të kaluar, këta doganierë dhe të tjerë përfunduan në pranga.
Dyshoheshin për dy vepra penale; keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti.
Zyrtari doganor Tomislav Dimic dyshohej se kishte pranuar para të mbështjellura me foli, në zyrat ku bëhej zhdoganimi i mallrave me pakicë në Han të Elezit.
“Në vendin e quajtur Hani i Elezit, përkatësisht në vendin ku bëhet pranimi i dokumenteve të makinave tek Evidenca Paraprake, në zyrat aty ku bëhet zhdoganimi i mallrave me pakicë, duke vepruar në bashkëveprim, me qellim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kanë pranuar mjete monetare të mbështjella me foli, ku më pas këto mjete i kanë ndarë me njëri tjetrin“, thuhej në dosjen e Prokurorisë të cilën e pati siguruar Insjaderi.
Sipas dosjes së Prokurorisë që e posedonte Insajderi, Verograd Miletic, si person zyrtar në cilësinë e Zyrtarit Doganor, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka tejkaluar kompetencat e tij, në atë mënyrë që me qëllim të përfitimit të dobisë për vete dhe për personat e tjerë, e informon të dyshuarin Mirko Jevtic se kur ka kontroll në pjesën veriore nga zyrtarët doganor dhe se me çfarë automjete do jenë zyrtarët doganor, kohën kur do të fillon kontrolli në pjesën veriore, për kohën kur i pandehuri është në ndërrim me qëllim që i dyshuari mund të kontrabandoj mallra pa pengesë.
Ndërkaq, të pandehurit Admir Sejdiu dhe Andrija Çavic, zyrtarë në cilësinë e Zyrtareve Doganor, kanë tejkaluar kompetencat e tyre në atë menyrë që me qëllim të përfitimit të dobisë për veti dhe për personat e tjerë kanë bërë marrëveshje me personat e caktuar të cilët marrin mito nga kontrabanduesit e pjesës së veriut në baza mujore për personat e lartcekur, me qellim që grupet e caktuara që merren me kontrabandim të mallit të mos pengohen nga zyrtarët doganor gjatë kontrabandimit.
Në dosje tutje thuhej se gjatë muajit tetor të vitit 2021, të pandehurit Tomislav Dimič, Mensur Stagova dhe Vladan Ljubič, në vendin e quajtur Hani Elezit, përkatësisht në vendin ku bëhet pranimi i dokumenteve të maunave tek Evidenca Paraprake (EP) në zyrat (afër kalimit të automjeteve), aty ku bëhet zhdoganimi i mallrave me pakicë, duke vepruar në bashkëveprim dhe koordinim, varësisht prej pozitave të tyre zyrtare, si persona Zyrtarë Doganor, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, në atë mënyrë të drejtpërdrejtë, kanë pranuar mjetet monetare nga vozitësit e kompanive të ndryshme të cilët iu kanë shmangur kontrollit të rregullt doganor, mbi 57 (pesëdhjetë e shtatë) raste të veçanta, duke i numëruar dhe ndarë në mes vete.
Sot, Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka larguar nga puna pesë zyrtarë dhe se ka degraduar dy të tjerë për shkelje të kodit të etikës.
Në njoftimin e Doganës thuhet se hetimi identifikoi prova për keqpërdorim të detyrës, që çoi në këto veprime.
“Dogana e Kosovës ka larguar nga puna pesë zyrtarë dhe ka degraduar dy të tjerë….Të gjitha veprimet disiplinore janë në përputhje me standardet e brendshme dhe janë kryer me respektimin e procesit të rregullt, duke rikonfirmuar se Dogana e Kosovës nuk toleron asnjë formë të abuzimit të detyrës gjë që forconë angazhimin tonë për transparencë dhe llogaridhënie”, thuhet në njoftim.
/Insajderi