×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Të ngritemi kundër një pushteti që udhëhiqet prej Rrahim Hashimëve e Kadri Rexhepëve

    Insajderi
    28 May 2019 - 18:36
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Boss”, është epiteti që i është vënë Rrahim Hashimit nga shumë njerëz. Orator e i shkathët në mashtrim.

    Fascinues për shumë njerëz me pohimin e tij se e di sakte sa para janë në një deng parash, pa i njehur ato. I shpejtë në llogaritjen e parave të ryshfetit. Sekser tipik.

    Edhe ai tjetri, Kadri Rexhepi, nuk e lë mbrapa Rrahim Hashimin. Megjithëse i vjetër në moshë, Kadriu vërehet se ka një kondicion prej sportisti në sekserizëm e mashtrim.

    Njerëzit e tillë janë të admirueshëm për shumë kosovarë.

    Edhe pse një analizë më të detajuar mund ta japin sociolgët, megjithatë gjendja pak a shumë është kështu: Shumica prej kosovarëve janë dembel. Synojnë përfitimin e shpejte dhe pa djerse. Zeja që e mundëson këtë është sekserizmi. Të tillë duan të jenë shumë banorë të Kosovës. Lakmojnë pasurinë që e bëjnë sekserët si Rraha dhe Kadrushi, i cili përkah mosha duhet të jetë babëgjysh i dikujt.

    Të tillët nuk do të ishin të pasur nëse skena politike do të ishte e udhëhequr nga njerëz me integritet moral e intelektual.

    Nëse Qeveria jonë nuk do të ishte krijuar nga sekserët. Themeli i saj është bërë me ndihmën e tyre. Takimi i famshëm i Fatmir Limajt, Ramush Haradinajt e Kadri Veselit me sekserin Ukë Rugova ishte themeli i krijimit të Qeverisë. Ai u bë me ndihmën e një sekseri tjetër,  Dardan Gashit, i cili u shpërblye me post ministri e zv/kryeministri për kontributin e tij si sekser.

    Politika sot udhëhiqet nga njerëz që kanë respekt për Hashim Rrahimët e Kadri Rexhepët e Dardan Gashët. I afrojnë afërt vetës. I shfrytëzojnë për blerje votash e për të negociuar tenderët.

    Derisa politikanët i kemi të tillë, atëherë në lojë janë edhe sekserët e tillë.

    Në këtë situatë shfaqen edhe viktimat. Ata janë kosovar tipik. Kanë vetëbesimin se mund të korruptojnë lehtësisht skenën politike. E pretendojnë vetën si të zotë e të shkathët. Dikush shtronte pyetjen se pse viktima e këtij rasti, Faton Dalladaku, i besonte fjalëve të Rrahimit e Kadriut? Arsyeja është e thjeshtë: Vetëbesimi se ka zotësinë që të kryejë punë dhe ndihet krenar që ka rënë në sekser të politikanëve. Përqesh biznesmenët tjerë që nuk mund të shoqërohen me sekserët e politikanëve. I duken të pazotë.

    Viktimave të tilla ju mjafton vetëbesimi. Nuk kërkojnë fakte shtesë se a janë sekserët e lidhur me politikanin e caktuar.

    Duke pasur viktima të tilla, atëherë sekserët tregohen të pamëshirshëm. Bëjnë be e premtojnë se puna do të kryhet në këmbim të 150 mijë apo 200 mijë eurove që i ka kërkuar Kadri Veseli apo Xhavit Haliti.

    Ata përdorin fakte rrethanore për afërsinë e tyre me politikanët. Hashim Rrahimi është mik i Nasim Haradinajt, Hajdar Beqës e shumë figurave të rëndësishme të PDK-së.

    Këto i mjaftojnë për të përfituar.

    Pak është e rëndësishme se ai ka transferuar Rrahim Hashimi këto pare te Kadri Veseli apo jo?

    Është e rëndësishme vetëm për kryeparlamentarin.

    Ai është lider i një koalicioni të mundësuar nga sekserët.

    Problemi është më i madh. Si morën zemër grupet e tilla të sekserëve?

    Si i bëri PDK-ja, LDK-ja,AAK-ja, Nisma etj kaq të fuqishme këto grupe?

    Problemi është te korruptimi i një klase të tërë politike qe ka nuk jeton do pa sekserët.

    Reagon vetëm atëherë kur sekserët marrin paratë vetëm për vete dhe nuk i shpërndajnë në adresën e caktuar që në shumicën e rasteve është Kryetari i Partisë.

    Derisa ne udhëhiqemi nga një klasë politike që çmon sekserët, atëherë kurrë nuk do të “falimentojnë” Rrahim Hashimët e Kadri Rexhepët. Do të ketë punë për ta.

    Ky problem zgjidhet lehtësisht. Nuk votohen politikanët e tillë. Ose nëse duan votën e qytetarëve politikanët e tillë bëjnë shkëputjen përfundimtare Rrahim Hashimët e Kadri Rexhepët. Nëse edhe në të ardhmen do ta kemi një Qeveri të krijuar me ndihmën e sekserëve, atëherë duhet ta shpallim falimentimin si shtet. Jam optimist që e ardhshmja do të krijohet pa aminin e sekserëve. Ndoshta jam edhe naiv!

    Indoks të dielën ka shfaqur dokumentarin “Mafiozi Shqiptar”, ku është zbuluar një anë krejt të pa njohur e “Currit”, lidhjet e të cilit nuk përfundojnë vetëm te mafia në Çeki, e politika në Kosovë, por shkojnë deri te njerëz që janë partnerë biznesi me oligarkë të rrethit të afërt të Vlladimir Putinit.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark