×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Telashet e ferizajasve me mikun multimilioner të Agim Aliut, policitë denoncohen në IPK

    Insajderi
    02 June 2023 - 17:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ka javë që banorët e rrugës “Gzim Sahiti” në Ferizaj, aty ku po e bënë një ndërtesë shumë-katshe biznesmeni Fatmir Grainca, kanë shprehur shqetësimet e tyre. Ka pasur edhe protesta e bllokim rrugës. Por, megjithatë ai po vazhdon punën. Ditë më parë madje nën asistencën e Policisë së Kosovës, për çka janë bërë denoncime edhe në IPK. Insajderi sjell detajet

    Gazeta Insajderi

    Tash e disa muaj banorët e një lagjeje në Ferizaj, që gjendet në rrugën “Gëzim Sahiti” kanë filluar që haptazi ti shprehin shqetësimet për një ndërtesë gjigante që po ndërtohet aty.

    Është ndërtesa 11-katshe që po e ndërton biznesmeni Fatmir Grainca. Ai është fotografuar në shoqëri të kryetarit të Ferizajt nga radhët e PDK-së, Agim Aliu.

    Sipas banorëve i gjithë ndërtimi po bëhet kundërligjshëm.

    Një javë më parë madje ata bllokuan rrugën që ia pamundësoi kompanisë së Graincës që të vazhdonte punën- hedhjen e betonit.

    Por, rezistenca e banorëve për këtë projekt u bë e pavlefshme, kur gjatë kësaj jave projekti vazhdoi, por kësaj here me një përforcim- Policinë e Kosovës.

    Insajderi ka raportuar për këtë projekt dhe rezistencën e banorëve të kundër tij në vazhdimësi

    Insajderi ka folur me Kenan Gashin, Drejtor Ekzekutiv o organizatës AVONET. Ai madje deri tash ka dërguar edhe një denoncim në Inspektoratin Policor të Kosovës kundër disa policëve të Ferizajt, si dhe një kërkesë në po këtë institucion për të parë që asistenca e policore që u pa ditëve të fundit në krah të kompanisë së Graicës, a ishte bërë siç e kërkojnë normat ligjore.

    Kenan Gashi – AVONET

    Banorët e rrugës “Gëzim Sahiti” në Ferizaj kanë shprehur shqetësimin lidhur me vendimin e lejes ndërtimore. Ata kanë përdorur të gjitha mjetet juridike për të ankuar në kushtet ndërtimore, pasi ato nuk janë në harmoni me Ligjin e Planifikimit Hapësinor. Ata gjithashtu kanë kundërshtuar hapësirën gjelbëruese, parkimet, shfrytëzueshmerinë e parcelës dhe distancën nga vija ndërtimore. Komuna e Ferizajt ende nuk ka shqyrtuar ankesat e banorëve dhe organizata AVONET gjithashtu ka kundërshtuar dhe ka kërkuar nga Komuna të shqyrtojë ankesat”, ka thënë për Insajderin Gashi.

    Sipas ankesave të tyre, banorët dhe AVONET kanë bërë ankesë lidhur me vendimin e lejes ndërtimore në shkallën e parë dhe atë në Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

    “Deri më tani, ata nuk kanë marrë përgjigje. Kjo ka bërë që banorët dhe AVONET-i të njoftojnë Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Kosovës se do të shprehin shqetësimin e tyre në forma proteste dhe performanca”, ka thënë  Kenan Gashi për Insajderin.

    Ditën kur banorët kanë shprehur shqetësimin e tyre, investitori pa e informuar komunitetin ka filluar vendosjen e pllakës së betonit të objektit (njohur në popull si PLLOQ).

    “Kjo ka nxitur banorët të dalin në rrugë për të shprehur shqetësimin dhe të tregojnë revoltën e tyre. Sjellja e policisë ndaj qytetarëve nuk ka qenë e mirë dhe është kontestuar duke kaluar kompetencat e tyre”, thotë Kenan Gashi në një prononcim për Insajderin ku edhe ka konfirmuar që ka dërguar denoncim për policët e përfshirë në IPK.

    Insajderi ka kontaktuar IPK-në për këtë denoncim, por ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga ta nëse kanë nisur hetimet dhe nësë po hetohet ndonjë polic, kush është ai dhe për cfarë vepre penale.

    Pavarësisht kësaj, gjatë kësaj jave që lamë pas ka pasur zhvillime të reja.

    “Në të mërkurën, investitori nuk e ka njoftuar komunitetin se do të vazhdojë me vendosjen e pllakës së betonit, por me forcën e Policisë së Kosovës. Banorët kanë vërejtur se policia ka qëndruar gjatë gjithë kohës dhe kjo ka shkaktuar bllokimin e trafikut, pengesën e hyrjes së automjeteve dhe makinave të investitorit. Banorët nuk kanë vërejtur që policia të marrë ndonjë veprim në lidhje me këtë situatë”, ka thënë Gashi për Insajderin.

    Pavarësisht ankesave, protestës e tendencave për ta kundërshtuar këtë projekt, që sipas tyre është i jashtëligjshëm, gjithçka ka hasur në vesh të shurdhur.

    “E krejt këto që kanë shpreh shqetësimin është që qytetarët të trajtojnë shqetësimet dhe pretendimet nga institucionet sepse deri më tani asnjëri prej institucioneve nuk kanë trajtuar pretendimet e banorëve dhe të AVONET-it”, ka thënë Kenan Gashi për Insajderin.

    Prokuroria nis hetimet për ndërtimin 11 katësh të Fatmir Graincës

    Prokuroria Themelore e Ferizajt, siç ka raportuar Insajderi ditë më parë tashmë ka nisur hetimet për ndërtimin 11 katësh të Fatmir Graincës, biznesmenit milioner nga Ferizaj, dhe pronarit të HIT Imerial.

    “Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Ferizaj, lidhur me këtë rast është në fazën e grumbullimit të provave dhe informacioneve, për shkak të dyshimit të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Ferizajt për Gazetën Insajderi.

    11 katshja e milionerit Fatmir Grainca i kishte detyruar banorët e Lagjes së Re të nisin protestën në tenda madje.

     “AVONET, në vazhdimësi ka shprehur shqetësimin lidhur me vendimet e lejeve ndërtimore në Komunën e Ferizajt, e veçanërisht vendimin e lejes ndërtimore të datës 03.05.2023 në emrin e “HIT PETROLL” shpk, që sipas AVONET, ky vendim për leje ndërtimore me numër të vrojtimit të lejes 04-351/01-0022975/23 për parcelën kadastrale me numër 3342-1 ZK Ferizaj, që ndodhet në rrugën “Gëzim Sahiti” në Ferizaj me pronar: “HIT – Petroll” shpk Ferizaj me emrin e projektit: “Objekt i banimit me afarizëm me etazhitet B+P+8+PH, që sipas AVONET është në kundërshtim me Ligjin Nr.04/L-174 për Planifikimin Hapësinor, sepse janë ka dhënë kushtet ndërtimore me PZHK dhe me Ligjin e ndërtimit 04/L-110 neni 18, UA 06/2017″, thuhej në reagimin e AVONET, shkruan Gazeta Insajderi.

    Komuna e drejtuar nga Agim Aliu dyshohet se e favorizoi Graincën, e lejon ta ndërtojë 11 katëshen, për të cilën tashmë ka denoncime publike se është e jashtëligjshme.

    Për nisjen e këtij ndërtimi një interpretim e kishte dhënë edhe Ministria e Mjedisit “ku është theksuar se “Kushtet Ndërtimore nuk mund të lëshohen duke u bazuar në Planin Zhvillimor Komunal, sepse sipas nenit 15, paragrafi 1, të Ligjit Nr.04/L-174 për Planifikimin Hapësinor, Plani Zhvillimor Komunal është dokument orientues strategjik, i cili nuk përcakton rregulla, kushte dhe detaje tjera të nevojshme për ndërtim/zhvillim”.

    /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark