Banorët e lagjes “Gëzim Sahiti” në Ferizaj kanë kërkuar përjashtimin e Prokurorisë Themelore nëFeriaj nga hetimi i rastit të një ndërtese 11 katëshe të multimilionerit Fatmir Grainca, të cilin e kanë denoncuar vet.
Gazeta Insajderi
Ndërtimi i objektit 11 katesh në Ferizaj po shkakton probleme të theksuara në rrugën “Gëzim Sahiti” ku si pasojë e ndërtimeve – po bllokohet edhe rruga për qarkullim. Ndërtimi i këtij objekti nga ndërmarrja e biznesmenit ferizajas, Fatmir Grainca ka shqetësuar në vazhdimësi banorët e lagjes pasi është duke u ndërtuar midis plotë shtëpive.
Për këtë ishin bërë edhe denoncime në Prokurorinë në Ferizaj.
Prokuroria Themelore e Ferizajt, siç kishte raportuar Insajderi javë më parë kishte nisur hetimet për ndërtimin 11 katësh të Fatmir Graincës, biznesmenit milioner nga Ferizaj, dhe pronarit të HIT Imerial.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Ferizaj, lidhur me këtë rast është në fazën e grumbullimit të provave dhe informacioneve, për shkak të dyshimit të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Ferizajt për Gazetën Insajderi.
Por, të pakënaqur me ecurinë e hetimeve, banorët e kësaj lagjeje ku gjendet ky objekt tash po kërkojnë përjashtimin e kësaj Prokurorie nga hetimi.
“Kërkojmë që ju, si Kryeprokuror i Shtetit dhe Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, të ndërmerreni masa urgjente për të zgjidhur këtë çështje dhe të siguroheni që Prokuroria Themelore në Ferizaj të përballet me përgjegjësitë e saj. Ne kërkojmë që të ndërmerren veprime të menjëhershme për të përmirësuar efikasitetin dhe kualitetin e hetimeve, dhe për të ndaluar këtë neglizhencë dhe papërgjegjshmëri të Prokurorisë Themelore në Ferizaj. Ne vlerësojmë se kjo mund të arrihet vetëm duke transferuar hetimet për çështjen në fjalë në një prokurori tjetër, qoftë Prokurorisë së Apelit, Prokurorisë Speciale apo edhe prokurorive tjera themelore, përveç asaj të Ferizajt. Ky transferim i hetimeve në gjykimin tonë është i domosdoshëm dhe kjo bazohet në gjendjen reale dhe faktike në terren, e cila na jep rezultate jashtëzakonisht negative për Prokurorinë e Ferizajt, e cila me mos efikasitetin dhe anëshmërinëe saj po aministon krimin urbanistik që është duke ndodhur në Komunën e Ferizajt”, thuhet në letrën e banorëve dërguar Besim Kelmendit, aktualisht ushtrues i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Sipas tyre, argumentet, provat dhe faktet e mbështesin fuqishëm edhe në precedentin kërkesën e tyre.
Ata kanë përmendur si provë “Aktvendimin AKAP.nr.4/2023 të Prokurorisë së Apelit – Departamentit të Krimeve të Rënda, me të cilin APOROVOHET ankesa e palës së dëmtuar Bekim Aliti, nga Ferizaj, dhe me këtë ANULOHET aktvendimin i PTHF-së – Departamenti i Krimeve të Rënda PPN.I.nr.72/2018, i datës 23.02.2023 dhe akvendimi PPN.I.nr.145/2018 i datës 23.02.2023, dhe përmes kësaj lënda ju kthehet PTHF-së për veprime shtesë dhe rivendosje.
“Hetimet e rastit në fjalë ndaj zyrtarëve komunal të Komunës së Ferizajt, në lidhje me lëshimin e lejeve ndërtimore kishin filluar qysh në vitin 2018, e aktvendimi për hedhjen poshtë të kallëzimit penal në fjalë e kishte ndërmarrë në shkurt të viti 2023, pra me 5 vite vonesë, e cila fatmirësisht u kthye nga Prokuroria e Apelit. Në precedentin në fjalë tashmë kemi një Aktvendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamentit Administrativ me të cilën konstatohet se leja e ndërtimit në fjalë është e kundërligjshme dhe si e tillë është shfuqizuar, mirëpo kjo procedurë ka zgjatur në një afat kohor të gjatë, gjatë të cilës objekti banesor është ndërtuar, e që tani ka shkaktuar dëme të pariparueshme të cilat vështirë që mund të kompensohen në të ardhmen”, thuhet në letër.
Banorët thonë në këtë letër dërguar Kelmendit se “rasti jonë është absolutisht i ngjashëm me rastin në fjalë, prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe urgjente që kjo çështje të trajtohet sa më shpejtë, nga një prokurori tjetër, pasi që me faktin e prezantuar më lartë shohim qartë se Prokuroria Themelore në Ferizaj nuk është në gjendje dhe mandje me veprimet e veta dëshmon se nuk është as e interesuar të mirret me rastin në fjalë, për arsye të natyrës subjektive apo objektive, që ne nuk jemi në dijeni”.
Sipas tyre, qe prej 1 viti e gjysmë, Prokuroria Themelore në Ferizaj nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret në kryerjen dhe zhvillimin e hetimeve në lidhje me rastin në rrugën GezimSahiti, pavarësisht faktit se ka prova të mjaftueshme për kryerjen e veprave penale, apo thënë ndryshe se ekziston plotësisht dyshimi i bazuar për kryerjen e veprave penale.
“Kjo mungesë veprimi dhe joefikasiteti i tyre kanë sjellë pasoja të rënda për banorët e lagjes tonë. Si rezultat i mospërfilljes së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, objekti banesor i HitPetrol në lagjen Gëzim Sahiti po vendos pllakën e dytë e betonit. Ky veprim po shkakton dëme të papariparueshme për pronarët e pronave dhe shtëpive nëpër të cilat kalon rruga në fjalë. Është e kuptueshme se kjo situatë është shkaktuar nga mosmarrja e veprimeve konkrete nga ana e Prokurorisë së Ferizajt, të cilët duhet të kishin ndërmarrë masa për të ndaluar këtë veprim deri në përfundimin e hetimit.
Kjo mungesë e veprimeve konkrete dhe mosndërmarrja e masave në kohë nga ana e Prokurorisë Themelore në Ferizaj po shkakton pasoja të rënda për ne banorët e lagjes GezimSahiti. Kemi pasur dëme materiale të pamundura për tu riparuar, por gjithashtu edhe dëme emocionale dhe ndjenjën e pa sigurisë për ne dhe familjet tona”, thuhet tutje në letër.
Ata në fund të letrës e paralajmërojnë u.d. Kryeprokurorin e Shtetit se nëse nuk ndërmerren masa, ata si banorë do të dëmtohen.
“Kjo situatë do të vazhdojë të shkaktojë dëme materiale të pamundura për tu riparuar, do të rrisë ndjenjën e pa sigurisë dhe do të shkaktojë humbje të pakthyeshme për ne dhe familjet tona. Ne besojmë se ju U.D. i Kryeprokurorit të Shtetit dhe Udhëheqës i Këshillit Prokurorial të Kosovës, do të angazhoheni për të garantuar drejtësinë dhe për të ndërmarrë masa për të adresuar shqetësimet tona. Ne shpresojmë që kjo situatë të zgjidhet sa më shpejtë dhe që drejtësia të triumfojë”, thuhet në këtë letër./ Gazeta Insajderi