Telekomi i Burbuqe Hanës nënshkruan aneks me firmën që donte t'ia "fshinte" katër milionë euro ndërmarrjes publike - Insajderi
×
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Telekomi i Burbuqe Hanës nënshkruan aneks me firmën që donte t’ia “fshinte” katër milionë euro ndërmarrjes publike

    Insajderi
    24 February 2025 - 15:36
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.
    Shkruan: - Besnik Gashi

    Telekomi i Kosovës në krye me Burbuqe Hanën duket se ka “amnistuar” dëmin që firma Paykos donte t’ia bënte ndërmarrjes publike. T’ia merrte katër milionë euro përmes një procesi gjyqësor në arbitrazh. Kontrata e mëparshme me këtë firmë, në kohën sa ishte kryeshef ekzekutiv Agron Mustafa, i kishte shkaktuar afro shtatë milionë euro dëme. Për këtë, Mustafa tashmë ka një aktakuzë aktive dhe po vijojnë proceset gjyqësore ndaj tij.

    Ndërmarrja publike, e cila në vazhdimësi është paraqitur si fitimprurëse nga menaxhmenti aktual i emëruar nga partia në pushtet (në detyrë), ka bërë të ditur në një përgjigje me shkrim për Insajderin se ka nënshkruar një aneks për një periudhë pesë vjeçare me ‘Paykos’, kompaninë tashmë famëkeqe që çoi deri tek aktakuza e ish-kryeshefit Agron Mustafa.

    Lidhur me pyetjet e juaja, mund te konfirmojmë se kontrata për shitjen e produkteve Prepaid të Vala, në mes të Paykos dhe Telekomit te Kosovës, është vazhduar përmes ankesit  për një periudhë pesë vjeçare, duke llogaritur kohën nga data 1 janar 2025”, ka thënë Fadil Lepaja nga Telekomi i Kosovës.

    Tutje thotë se ka pasur një “periudhë të gjatë negociatash” dhe se tash Telekomi i Kosovës ka një kontratë “dukshëm më të favorshme”. Sipas tij, “me këtë aneks janë ulur kostot e shitjes për rreth 25 për qind”.

    Në fund të 2023-ës, Telekomi i Kosovës kishte arritur ta fitojë betejën shumëvjeçare në Arbitrazh kundër ‘PayKos’-it.

    Siç kishte njoftuar Telekomi i Kosovës, vendimi i Arbitrazhit e detyronte ‘Paykos’ t’i paguajë Telekomit të Kosovës shumën prej 1.4 milion euro, derisa Telekomi i Kosovës detyrohet t’i paguajë ‘Paykos’ rreth 850 mijë euro.

    Po të pranonte Telekomi imponimet e palës tjetër për të shmangur procedurën e Arbitrazhit, atëherë deri në fund të kontratës do të detyrohej të paguante rreth 4 milionë € më tepër! Si përfundim, Vendimi i Arbitrazhit e detyron Paykos t’i paguajë Telekomit të Kosovës shumën prej 1,400,000 euro, derisa Telekomi i Kosovës detyrohet t’i paguajë Paykos rreth 850,000 euro“, thuhej në njoftimin e Telekomit.

    Zyrtarë të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje kritikonin ashpër kontratën paraprake me ‘Paykos’, që dyshohet se i shkaktoi dëme përreth shtatë milionë eurosh buxhetit të ndërmarrjes publike.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, lavdëronte menaxhmentin aktual në krye me Burbuqe Hanën për fitoren në Arbitrazh.

    Për vite me radhë Telekomi ishte keqmenaxhuar dhe dëmtuar rëndë nga kontratat korruptive. Kontrata këto që kishin për qëllim pasurimin e paligjshëm të individëve e grupeve të caktuara në kurriz të Telekomit. Por jo më.

    Lajmi që Telekomi ka fituar  betejën në Arbitrazh ndaj kompanisë Paykos është tregues i përkushtimit të menaxhmetit aktual dhe bashkëpunimit ndërinstitucional për të mirën e ndërmarrjes dhe interesit të përgjithshëm publik”, thoshte ajo.

    Çka thotë aktakuza për kontratën e dëmshme të “Paykos”-it?

    Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari Agron Mustafa në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, më 16 mars 2015 e në vazhdimësi me dije ka vepruar në dëm të PTK-së, ashtu që fillimisht ka lidhur kontratë – marrëveshje me Paykos L.L.C ku operatori ekonomik luan rolin e ndërmjetësuesit/distributorit të shitjes tek pala e tretë për shitjen e produkteve kryesisht mbushje elektronike dhe kode të gjeneruara elektronike për kartela gërvishtëse, çmimet e produkteve dhe shërbimeve kanë përfshirë edhe TVSH-në, ku provizioni total i shitjes ishte 9.7% të transaksionit.

    Akti akuzues thotë se Mustafa me dashje dhe me qëllim që t’i shkaktojë dëm material ndërmarrjes publike, ka nënshkruar vazhdimisht ankese shtesë ku secili lloj i provizionit që do të paguhet ndaj operatorit ekonomik i është shtuar përqindja në TVSH, duke e favorizuar kështu Paykosin në njërën anë e në anën tjetër e ka dëmtuar Telekomin e Kosovës.

    Sipas akuzës, të dëmshme janë vlerësuar Aneksi II, III, V dhe VI, Memorandumi i vitit 2016 dhe Marrëveshja komerciale-bashkëpunimi-ofrimin e shërbimeve për lojë shpërblyese.

    Me lidhjen e këtyre ankeseve-marrëveshjeve, akuza thotë se i akuzuari Mustafa me dije ka vepruar në dëm të ndërmarrjes që vazhdimisht i ka ndryshuar kushtet e kontratës në disfavor të ndërmarrjes, ashtu që i njëjti me dashje i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe Telekomit të Kosovës, dhe atë në vlerë prej 6 milionë e 796 mijë e 732 euro.

    LEXO EDHE:


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark