×
  • Lajme
  • Lajme

    Aktakuza kundër Paykos e Mustafa- Pjesë e zhvatjes 7 milionëshe edhe kompania Maliqi Group

    Insajderi
    27 April 2024 - 13:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një aktakuzë me peshë të madhe është konfirmuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Ajo kundër Agron Mustafës, ish-kryeshefit të Telekomit dhe Armend Zeqirajt, pronar zyrtar i firmës “Paykos”.

    Dyshja akuzohen se e rëndë dëmtuan ndërmarrjen publike. Rreth 7 milionë euro.

    Ndonëse zyrtarisht paratë e Telekomit transferoheshin në llogarinë e “Paykos”, në prapaskenë ishte edhe një tjetër përfitues i madh.

    Kompania “Gekos”, pjesë e firmës “Maliqi Group”, nga Maqedonia e Veriut.

    Gazeta Insajderi pati zbuluar se “Paykos” e “Gekos”, kishin marrëveshje zyrtare që kjo e dyta të bënte shpërndarjen e kartelave të VALA’s që ishin pjesë e kontratës së dyshimtë për të cilën është ngritur aktakuzë.

    Gazeta Insajderi pati zbuluar edhe një detaj tjetër. Zyret e kompanisë “Paykos”, kanë qenë në të njëjtën ndërtesë ku gjendeshin edhe zyret e kompanisë “Gekos”, një veprim që rritë dyshimet se kjo e para ishte vetëm firmë kukull e biznesmenëve nga Maqedonia e Veriut.

    Po ashtu, edhe një veprim tjetër pati nxitur dyshime. Në një organizim të “Maliqi Group”, firmës pronare të “Gekos”. në dhjetor të vitit 2022 ishte vendosur edhe llogoja e VALA’s në mesin e firmave që ka grupi ka në pronësi.

    Megjithatë, përkundër fakteve të bollshke për përfitime milionëshe nga firma “Gekos”, në pronësi të “Maliqi Group”, kjo firmë ende nuk është pjesë e aktakuzës zyrtare. Është vetëm firma kukull e saj. Firma “Paykos”.

    Çka thuhet në aktakuzë?

    Për këtë çështje penale kjo gjykatë më 9 janar 2024 ka mbajtur seancën fillestare në të cilën i pandehuri Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale për të cilën akuzohet.

    “Betimi për Drejtësi” ka siguruar edhe aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila rezulton të jetë përpiluar më 3 maj 2023.

    Sipas aktakuzës, i akuzuari Mustafa në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës SH.A në Prishtinë, më 16 mars 2015 e në vazhdimësi me dije ka vepruar në dëm të PTK-së, ashtu që fillimisht ka lidhur kontratë – marrëveshje me Paykos L.L.C ku operatori ekonomik luan rolin e ndërmjetësuesit/distributorit të shitjes tek pala e tretë për shitjen e produkteve kryesisht mbushje elektronike dhe kode të gjeneruara elektronike për kartela gërvishtëse, çmimet e produkteve dhe shërbimeve kanë përfshirë edhe TVSH-në, ku provizioni total i shitjes ishte 9.7% të transaksionit.

    Tutje, akti akuzues thotë se i akuzuari Mustafa me dashje dhe me qëllim që t’i shkaktojë dëm material Ndërmarrjes Publike “Telekomi i Kosovës”, ka nënshkruar vazhdimisht ankese shtesë ku secili lloj i provizionit që do të paguhet ndaj operatorit ekonomik i është shtuar përqindja në TVSH, duke e favorizuar kështu Paykosin në njërën anë e në anën tjetër e ka dëmtuar Telekomin e Kosovës.

    Sipas akuzës, të dëmshme janë vlersuar Aneksi II, III, V dhe VI, Memorandumi i vitit 2016 dhe Marrëveshja komerciale-bashkëpunimi-ofrimin e shërbimeve për lojë shpërblyese.

    Me lidhjen e këtyre ankeseve-marrëveshjeve, akuza thotë se i akuzuari Mustafa me dije ka vepruar në dëm të ndërmarrjes që vazhdimisht i ka ndryshuar kushtet e kontratës në disfavor të ndërmarrjes që ka përfaqësuar, në vend që t’i mbrojë interesat e saj, ashtu që i njëjti me dashje i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe Telekomit të Kosovës, dhe atë në vlerë prej 6 milionë e 796 mijë e 732 euro.

    Me këto veprime, Mustafa akuzohet se ka kryer veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”, nga neni 291, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, dhe lidhur me nenin 81, paragrafi 1, nënparagrafi  1.2 dhe 1.5 të KPRK-së.

    Ndryshe, Mustafa ngarkohej edhe në një rast tjetër, për të cilin në dhjetor të vitit 2022, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë, e cila më 21 shtator 2021, kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj tij dhe dy ish-drejtuesve tjerë të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj, të akuzuar për korrupsion.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark