Insajderi
Analiza

Telekomi i jep tre tenderë një-burimorë, njëri në vlerë milionëshe

Insajderi
08 December 2025 - 14:26
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Telekomi i jep tre tenderë një-burimorë, njëri në vlerë milionëshe
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Ndërmarrja publike Telekomi i Kosovës ka ndarë mbi një milion euro në total për tre tenderë një-burimorë kohëve të fundit.

Një nga tenderët ka vlerën e 1,1 milion eurove dhe ka të bëjë me të drejtat e transmetimit të Kupës së Botës, që do të mbahet vitin e ardhshëm. Kontrata është jetëgjatë një vit, raporton Gazeta Insajderi.

Kontrata është lidhur me Dividend Shpk, ku pronar është Alban Jaho, ish-drejtor i ‘Digitalb’ në Tiranë.

“Qëllimi i Autoritetit Kontraktues është të lidhë një kontratë publike me një operator ekonomik. Autoriteti kontraktues synon të pasurojë përmbajtjen e platformës televizive TV Vala me blerjen e të drejtave për transmetimin e Kampionatit Botëror të Futbollit FIFA World Cup 2026. Këto të drejta pritet t’i kontraktojë nga Dividend Shpk, e cila paraprakisht i ka siguruar të drejtat ekskluzive nga FIFA për transmetim të këtij kampionati në territorin e Republikës së Kosovës”, bëhet e ditur në dosjen e tenderit.

Në vitin 2019, si drejtor i Digitalb, një prej kompanive më të mëdha në vend, Jaho ishte shkarkuar nga detyra pas shkeljeve të rënda të konstatuara nga Vjollca Hoxha, një prej aksionereve kryesore të kompanisë. Hoxha kishte tentuar ta shkarkonte edhe një vit më parë, por nuk kishte mundur ta realizonte qëllimin e saj, pasi ish-drejtori ishte mbrojtur nga pjesa tjetër e aksionarëve.

Ndërkaq dy tenderë të tjerë një-burimorë, ndërmarrja publike i ka rezervuar për një kompani kroate me seli në Kosovë.

Bëhet fjalë për kompaninë Verso Altima D.O.O, kompani kroate me seli në Kroaci. Kontratën e parë në vlerë prej afro 200 mijë eurosh e ka ndarë për mirëmbajtje të platformës së CRM-it. Sipas dosjes së tenderit, shërbimi i mirëmbajtjes pritet të mbahet nga distanca, jashtë Kosovës.

Për të njëjtën kompani është ndarë edhe një tender në vlerë prej shërbimet elektronike të informacionit në vlerë prej afro 23 mijë euro. Pritet t’i ketë 60 ditë pune, sipas dosjes së tenderit.

Lidhur me kontratat një-burimore, hetuesia ka intervistuar disa anëtarë të menaxhmentit të Telekomit të Kosovës. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark