×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Telekomi që Kurti premtonte ta shndërronte në kompani fituese ia mori hua 20 milionë euro kuletës së shtetit- për çka pritet të investohen ato?

    Insajderi
    12 October 2023 - 17:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Qeveria Kurti në mbledhjen e së enjtes aprovoi edhe 15 milionë eurot e tjera për Telekomin e Kosovës. Në fundvitin e 2022-ës u aprovuan vetëm 5 milionët, që në total përbëjnë 20 milionë euro huamarrje për projekte investive.

    Insajderi ka kontaktuar me Telekomin e Kosovës për ta pyetur lidhur me atë se si do të investohen 20 milionë eurot hua nga ndërmarrja publike, të cilat u morën nga kuleta e shtetit. Ushtruesi i detyrës së drejtorit për Marrëdhënie me Publikun i Telekomit, Fadil Lepaja, ka thënë për mediumin se ndër të tjera, me 20 milionë eurot e Qeverisë deri në mars të vitit 2024 pritet të ndërrohet krejtësisht platforma qëndrore e rrjetit mobil e kryerja e pagësës për ndërrimin e 120 stacioneve në mënyrë që të ofrohet shërbimi 4G për përdoruesit e Valës.

    “Me këtë kredi synohet që të: Ndërrohet komplet platforma qendrore e rrjetit mobil (investimi është në proces dhe përfundimi pritet në Mars 2024), janë ndërruar 120 stacione baze të cilat mundësojnë mbulueshmëri të plotë me teknologji më të fundit 4G+, në të gjitha zonat me rrethinë, të banueshme e të pabanueshme, të Shtimes, Ferizajt, Shtërpcës, Kaçanikut, Hani i Elezit, Vitisë, Gjilanit, Dardanës, Artanës, e deri në Prapashticë të Gollakut, si dhe deri afër Prishtinës në Gërmi e afër Liqenit të Badovcit, dhe vazhdon deri afër Lipjanit (Investimi është përfunduar dhe pajisjet janë në funksion. Ka mbetur të bëhet vetëm pagesa për një pjesë të investimeve”, tha Lepaja.

    Siç njoftoi ai, nga ky 20-milionësh pritet edhe modernizimi i platformës së faturimit deri në fund të 2023-ës dhe ndërrimi i stacioneve bazë në pjesën qëndrore të Kosovës deri në fund të qershorit të 2024-ës.

    Insajderi po ashtu e ka pyetur nëse në kuadër të kësaj shume do të ndërrohen edhe pajisjet e vjetruara që po shkaktojnë rënien e përgjithshme të telefonisë mobile. Lepaja ka thënë se “me këtë kredi do të financohet edhe investimi në pajisjet e vjetëruara të cilat duhet të ndërrohen”.

    Qeveria e Kosovës ka miratuar në parim kërkesën e Telekomit të Kosovës për huamarrje prej 15 milionë eurosh të tjera në mbledhjen e mbajtur mëngjesin e së enjtes.

    Ministri i Financave, Hekuran Muratit, deklaroi se kjo kredi ka për qëllim projekte investive në ndërmarrjen publike.

    “Kjo kredi do të shërbejë për investime në pajisje dhe sisteme telekomunikuese dhe përmirësimin e shërbimeve nga Telekomi”, tha Murati.

    Para një jave ka pasur ankesa për rënie të përgjithshme të shërbimeve telefonike të Valës. Nga Telekomi ka thënë se arsyeja e rënieve ka qenë vjetërsia e pajisjeve.

    “Sot në mëngjes, në orën 8:48 minuta, për arsye të vjetërsisë së pajisjeve, të cilat edhe ashtu sipas planit do të ndërrohen shumë shpejt, pati një rënie të përgjithshme të shërbimeve të telefonisë mobile në tërë vendin”, u tha në njoftimin e ndërmarrjes publike.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në janar të 2022-ës deklaronte se gjatë atij viti synimi i Qeverisë të Kosovës ishte që Telekomi të jetë lider në tregun rajonal, të kthehet në kompani përfituese, kontribuuese dhe jo shpenzuese e buxhetit të Kosovës.

    “Ne jemi të interesuar që Telekomin e Kosovës –Vala ta bëjmë lider në Kosovë ashtu siç ka qenë më herët. Dhe për këtë arsye i kemi dhënë mbështetje financiare vitin që lamë pas. Në vitin 2022 jemi të interesuar ta nxjerrim përfundimisht Telekomin nga kriza”, tha Kurti.

    Gazeta Insajderi në vazhdimësi ka raportuar për parregullësi në mënyrën e punësimeve që janë bërë në ndërmarrjen publike, si dhe dënimet që kanë pasuar nga Inspektorati i Punës si rrjedhojë e kësaj.

    Para një jave, Insajderi raportoi për mënyrën e punësimit të Halil Krasniqit, drejtorit teknik të Telekomit. Ai kishte shkelur ligjin dy herë duke qëndruar më gjatë se gjashtë muaj si ushtrues detyre në këtë pozitë dhe për të u deshën dy konkurse që përfundimisht t’ia arrinte qëllimit.

    Gazeta Insajderi hulumtoi rastin e dy konkurseve, në të cilën vërejti se konkursi i parë është anuluar për shkak të neglizhimit të testit me shkrim.

    Në konkursin e parë të shpallur në janar të këtij viti për drejtor të Departamentit Teknik nga Telekomi, ishte i përzgjedhur vetëm Krasniqi për intervistim.

    Në një e-mail që siguroi Gazeta Insajderi nga Departamenti për Relacione me Publikun të datës 20 shkurt të këtij viti, procesi i rekrutimit prezantohet si “transparent” dhe i “rregullt”.

    “Bordi i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës ShA konstaton që i gjithë procesi i rekrutimit për pozitën e Drejtorit në Drejtorinë Teknik dhe TI ka qenë transparent, i rregullt dhe në bazë të Ligjit, Kodit të Etikës dhe Qeverisjes Korporative”, u tha ndër të tjera në njoftimin për përzgjedhjen e Krasniqit drejtor.

    Vetëm tri orë më pas, i njëjti departament dërgon një email përmirësues duke e larguar pjesën e lartcekur. Kjo, pasi që, siç ka bërë të ditur një burim për Insajderin, paragrafi u shkrua pa aprovimin e bordit të drejtorëve të Telekomit.

    Pas këtij veprimi, themelohet një komision i brendshëm i cili konstaton se nuk është respektuar baza ligjore në përzgjedhjen e Krasniqit, konkretisht është anuluar faza e testit me shkrim.

    Për t’ia mundësuar emërimin Krasniqit, Telekomi i Kosovës hap konkurs disa muaj më vonë për pozitën e njëjtë. Kësaj radhe, siç mëson Insajderi, Telekomi ndryshon rregulloren duke mos e përfshirë testin me shkrim në rekrutim.

    Më pas, Departamenti për Relacione me Publikun njofton për emërimin e Halil Krasniqit drejtor për herë të dytë.

    Përveç kësaj, Krasniqi është pa përvojë pune ne pozitën e nivelit drejtues. Në biografinë e tij që ka parë Insajderi, figuron që ai ka shërbyer në Telekom si inxhinier i telekomunikimit për gati 24 vite.

    Insajderi po ashtu ka raportuar për “valën e dytë” të dënimeve nën menaxhimin e Hanës. Arsyeja e dënimit të valës së dytë është e njëjtë: Anulimi i testit me shkrim, me qëllim të favorizimit të “të përzgjedhurve” të kryeshefes së vendosur nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

    Ankuesi Isuf Mehmeti, njëri nga kandidatët për menaxher në pozitën e Burimeve Njerëzore, e fitoi rastin ndaj Telekomit të Kosovës, për çka ndërmarrjen publike Inspektorati i Punës e ka dënuar me tre mijë euro.

    Në vendimin që e siguroi Gazeta Insajderi, Telekomi i Kosovës shpërfilli raportin zyrtar që iu dorëzua nga inspektorati dhe pas tre muajsh u dënua për anulim të testit me shkrim për konkursin e lartpërmendur me 1.500 euro dhe 1.500 euro të tjera për mos-dhënie të përgjigjes brenda afatit nga komisioni ankimor ankuesit Mehmeti.

    “Komisioni duke mos e mbajtur intervistën me shkrim ka vepruar në kundërshtim me nenin 10, paragrafi 1, 2 dhe 3 i Udhëzimit Administrativ (MPMS) Nr.07/2017 për Rregullimin e Procedurave të Konkursit të Sektorit Publik.

    Komisioni duke mos i dhënë përgjigje ankuesit brenda afatit të përcaktuar ka vepruar në kundërshtim me nenin 13 [Procedura Ankimore], paragrafi 3, i Udhëzimit Administrativ (MPMS) Nr.07/2017, për Rregullimin e Procedurave të Konkursit në Sektorin Publik”, u tha ndër të tjera në vendim.

    Insajderi po ashtu raportoi se Telekomi u dënua edhe me tre mijë euro të tjera për shkak të degradimit pa asnjë procedurë nga pozita e zëvendës-drejtoreshës së Marketingut ankuesen Merita Krasniqin.

    Dënimi erdhi dy muaj pasi që nuk u zbatuan rekomandimet e inspektoratit nga raporti zyrtar.

    Në muajin e kaluar është raportuar edhe për avancimin e vëllait të Burbuqe Hanës, Burim Hanës, në pozitën e menaxherit në Departamentin “Analiza, Strategjia e Marketingut dhe Planifikimit”.

    Po ashtu ka raportuar edhe për avancimin e Violeta Namanit, mikeshë e Burim Hanës, në pozitën e Menaxherit të Departamentit për Shitje dhe Kujdes me Konsumator Individual. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    26 June 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark