×
  • Lajme
  • Lajme

    Tendat – karta e fundit për rrëzimin e qeverisë

    Insajderi
    23 February 2016 - 19:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Që nga sonte, tenda e ish-punëtorëve të fabrikës së tubave nuk do të jetë e vetmja në sheshin Skënderbeu në Prishtinë.

    Pas 640 ditësh që kur vendosën të qëndrojnë ditë e natë në shesh, atyre u janë bashkuar qindra aktivistë nga opozita të cilët në të njëjtën formë të protestës duan ta rrëzojnë qeverinë e ta çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme.

    Por, opozita pretendon se qëndrimi i tyre në shesh do të jetë më i shkurtër. Synon që brenda pak ditësh të rrëzojnë atë që ata e quajnë regjim dhe nëpërmjet zgjedhjeve të marrë pushtetin.

    Derisa afrohet mbrëmja, aktivistët dhe përfaqësues të partive politike duken në disponim të mirë.

    Nën tingujt e këngës “Jakup Ferri” – i cili sipas legjendës kishte qëndruar për një kohë në këmbë edhe pasi kishte marrë shtatë plagë në trup në betejë kundër aneksimit të trojeve shqiptare nga Mali i Zi – disa nga ta hynë brenda tendave për t’u mësuar me ndjenjën e gjumit në qiell të hapur.  Të tjerët kujdesën për ushqimin dhe pijet. Disa presin të shikojnë një ndeshje futbolli së bashku.

    Islam Makolli nga Ferizaj, thotë se ka dalë në shesh për të kërkuar rrëzimin e qeverisë dhe të mos lejojë zgjedhjen e Thaçit president. Është i bindur se do t’ia arrijë këtij qëllimi.

    “Jam përgatitë, me rroba, me ushqim e të gjitha.  Ja sot duhet të sakrifikojmë, ja kurrë,” thotë ai.

    Të njejtën bindje ka edhe një aktivist opozitar. Ekrem Ahmeti, aktivist i AAK-së, thotë se me qejf nuk do të kalonte natën këtu, por sipas tij kjo është e vetmja mënyrë që kjo Qeveri të rrëzohet.

    Bashkë me aktivistët, janë edhe deputetët opozitar, të cilët vetëm ditë më parë u detyruan të largohen nga salla e kuvendit pasi që u suspenduan pas hedhjes së gazit lotsjellës.

    “Te dashur miq e familjar, që nga sot e deri në rënien e kësaj qeverie, adresa ime ka ndryshuar”, ka thënë Shqipe Pantina nga Vetëvendosje duke iu referuar tendave në shesh.

    Opozitë këmbëngulëse që sfidon koalicionin e madh

    Kur Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës u morën vesh të bashkqeverisin me vendin, ishte e qartë se tri partitë opozitare do të kishin të vështirë të ndikonin në jetën politike, marrë parasysh numrin e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

    PDK dhe LDK, dikur rivalë të denjë të njëra-tjetrës, formuan një koalicion i cili në Kuvendin e Kosovës vazhdon të ketë një shumicë të fortë.

    Në këto rrethana, partitë opozitare u detyruan që përmes protestave të provojnë të jenë pjesë e vendimmarrjes politike.

    Kjo po ashtu nënkupton një rikthim në aktivitetin origjinal të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila kishte arritur të fitoj mbështetje me aksionet e tyre para se të bëheshin parti parlamentare.

    Protesta e parë u organizua vetëm disa javë pas fillimit të punës së qeverisë së re.  Një protestë popullore  pati sukses në shkarkimin e ish-ministrit serb Jabllanoviq, që kishte fyer nënat nga Gjakova.

    Kjo ‘fitore’ e opozitës inkurajoi ata që të vazhdojnë në këtë mënyrë.

    Dhe, që nga muaji gusht, protestat kanë qenë mjet i shpeshtë. Opozita po kundërshton dy marrëveshje të nënshkruara nga ana e qeverisë: për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe marrëveshjen për demarkacionin kufitar me Malin e Zi.

    Kërkesa e fundit e tyre është që Hashim Thaçi të mos bëhet president i vendit, meqë sipas tyre, ai është figurë jo-unifikuese.

    Në rast se opozita arrin që deri më 7 mars të bllokojë zgjedhjen e Thaçit, atëherë vendi shkon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme, ku tri partitë opozitare pritet të garojnë në një listë të vetme në mënyrë që të dalin të parët në zgjedhje.

    Por, me gjithë organizmin opozitar, kampi qeverisës vazhdon të insistojë se dy marrëveshjet e nënshkruara nuk dëmtojnë vendin.

    Po ashtu, Hashim Thaçi, i cili ka mundësi të zgjedhet si president këtë të premte, ka thënë se ka mbështetje të gjerë për t’u zgjedhur president.

    “Koalicioni që e mbështet këtë kandidaturë është shumë solid dhe përbën shumicën dërrmuese të Parlamentit. Pra, bëhet fjalë për një konsensus të gjerë” ka thënë Thaçi në intervistën e dhënë për gazetën Shqip para dy javëve./Insajderi.com

    (Artikullit i kontribuoi edhe gazetari Përparim Ramuka)

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark