Tenderë të dyshimtë, subvencione pa garanci, qira të humbura, rahatim i fëmijëve në punë të shtetit- si e menaxhoi Podujevën pushtetari i Vetëvendosjes - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Tenderë të dyshimtë, subvencione pa garanci, qira të humbura, rahatim i fëmijëve në punë të shtetit- si e menaxhoi Podujevën pushtetari i Vetëvendosjes

    Insajderi
    16 September 2025 - 13:58
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Raportet e Auditorit të Jashtëm për Komunën e Podujevës për tre vitet e fundit tregojnë një model të përsëritur keqmenaxhimi: kontraktime kapitale të kontraktuara pa fonde të plota, përdorim të gabuar të kontratave kornizë, pagesa paraprake pa garanci dhe regjistrime të pasakta të pasurive. Kur këtyre gjetjeve u shtohen edhe hulumtimet e Gazetës Insajderi për kryetarin Shpejtim Bulliqi, prej përfshirjes me anë miqsh nëpër tenderë e deri te punësimi i fëmijëve në puna të shtetit, tabloja bëhet edhe më shqetësuese për qytetarët e Podujevës dhe personin që po e lyp edhe një mandat në krye të kësaj komune.

    Gazeta Insajderi

    Raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitet 2022, 2023 dhe 2024, që i ka analizuar Gazeta Insajderi në një seri hulumtimesh për komunat, zbulojnë një model të përsëritur keqmenaxhimi financiar në Komunën e Podujevës që drejtohet nga njeriu i Vetëvendosjes, Shpëjtim Bulliqi.

    Keqklasifikime në pasqyrat financiare, kontrata kapitale të kontraktuara pa fonde të mjaftueshme, përdorim i gabuar i kontratave kornizë, pagesa paraprake pa garanci dhe menaxhim i dobët i pasurive publike janë vetëm disa nga gjetjet.

    Këto probleme burokratike marrin një dimension tjetër kur krahasohen me hulumtimet që ka publikuar Insajderi mbi kryetarin Shpejtim Bulliqi: tenderë të dyshimtë, lidhje me kompani të afërta, punësime familjare nëpër puna të shtetit dhe praktika të klientelizmit politik.

    Fillimisht, ZKA për komunën që u drejtua për katër vite nga pushteti i Vetëvendoses, partisë së Albin Kurtit, ka alarmuar në vazhdimësi. Të tre vitet përfunduan me Opinion të kualifikuar nga ZKA — për shkak të nënvlerësimit të pasurive, keqklasifikimeve të shpenzimeve dhe dobësive në procedurat e prokurimit.

    Në auditime, “opinion i kualifikuar” jepet kur auditorët gjejnë shkelje dhe gabime serioze në menaxhimin e financave publike. Ky është një sinjal i fortë alarmi: tregon se institucioni nuk respekton plotësisht ligjet dhe se ekziston rrezik i lartë për keqpërdorim të fondeve.

    Rishikimi i raporteve të Auditorit të Jashtëm për tri vitet e fundit gjen se Podujeva nën pushtetin e Bulliqit të Vetëvendosjes është përballur me shkelje të rregullave të prokurimit, mungesë projektesh ekzekutive, përdorim të gabuar të kontratave kornizë, pagesa pa procedura të plota ose kontraktime pa fonde të siguruara.

    Kështu, auditorët në vitin 2022 gjejnë se janë kryer edhe pagesa në bazë të marrëveshje bashkëinvestimi deri në  250,000 €, sic është rasti kur Komuna pagoi 250,000 € (këst i parë) në llogarinë e Qatar Charity pa faturë dhe pa raport pranimi, dhe kjo pagesë u regjistrua në SIMFK si pasuri në përdorim pa plotësuar kushtet e regjistrimit (fatura / situacion pune). Auditimi e konsideron këtë shkelje të procedurave dhe një rrezik për prezantim jo të saktë të shpenzimeve/pasurive.

    Po në atë vit, ZAP zbuloi se pushteti I Vetëvendosjes në Podujevë bëri lëshim dokumentacioni tenderi pa projekt ekzekutiv. Raporti identifikon raste ku dokumentacioni i tenderit ishte lëshuar pa projekt ekzekutiv, çka është shkelje e praktikave dhe rregullave të prokurimit.

    Te projekti “Rrethojat e oborreve shkollore” në vlerë 46,800 € Komuna përdori gabimisht kontratën publike kornizë për punë kapitale. Sipas Rregullores, kontratat kornizë për punë lejohen vetëm për riparim/mirëmbajtje dhe jo për punë me çmim fiks të llojit kapital — pra lloji i kontratës ishte i papërshtatshëm dhe në kundërshtim me rregulloren e prokurimit.

    Po atë vit, Podujeva nën drejtimin e Bulliqit bëri pagesë nga fonde projekti tjetër pa aprovim të Kuvendit vlera: 200,000 €.

    Kështu, janë identifikuar pagesa në vlerë 200,000 € të regjistruara nga kodi i projektit 53888 (Ndërtimi dhe rindërtimi i kanalizimit fekal dhe atmosferik) duke paguar për projektin tjetër (kod 52909 — Zgjerimi dhe rregullimi i shtratit të Lumit Llap) pa miratim të transferit nga Kuvendi Komunal. Kjo, sipas ZAP, është shkelje e procedurave të menaxhimit të fondeve/prokurimit dhe e ndarjes së përgjegjësive.

    Po në vitin 2023, ZAP gjeti po ashtu se ishte bërë lëshim dokumentacioni pa projekt ekzekutues / kontraktime pa fonde të zotuar.

    Raporti 2023 shënjon gjithashtu raste ku tenderët/kontraktimet ishin nisur pa projekt ekzekutiv dhe pa fonde të mjaftueshme të zotuara

    Në vitin 2024, u përsërit kjo formë ku u gjetën sërish kontrata të mëdha kapitale të kontraktuara pa fonde të mjaftueshme si p.sh. Kolektori / kanalizimet — total/kontraktuar 3,483,343 €; Kolektor Lluzhan-Lupç, etj. — mungesë fonde 880,289 €.

    ZKA identifikon se kontraktimet për kolektorin Lluzhan-Lupç, janë të kontraktuara për 3,483,343 €, por në bazë për vitin 2024 dhe dy vitet në vijim ka fonde vetëm 2,603,054 €, pra mungon 880,289 € për zbatimin.

    Ky është rast konkret i kontraktimit të projekteve pa sigurimin e fondeve siç kërkohet me ligj.

    Vitin e kaluar, edhe te projekti i ndërtimit t shkollave dhe projekte të mëdha u gjet se u bë kontraktim pa fonde adekuate

    Raporti liston një seri kontratash kapitale me vlera të kontraktuara: p.sh. Ndërtimi i shkollës në Shajkofc (594,444 €; mungesë 294,444 €), Ndërtimi i shkollës së mesme Isa Boletini (2,566,649 €; mungesë 1,566,649 €), Ndërtimi i shkollës profesionale (2,430,303 €; mungesë 530,303 €), Rruga lidhëse (851,286 €; mungesë 351,286 €).

    Këto raste shfaqin modelin e kontraktimit shumëvjeçar pa mbulim të qartë buxhetor në ligjet e ndarjeve buxhetore.

    ZKA evidenton po ashtu edhe dhjetë raste ku zotimi i mjeteve/urdhër-blerja u bë pas datës së faturës dhe të pranimit, një problem i kontrollit të brendshëm në prokurim/financa; shuma e këtyre rasteve ishte 370,399 €.

    Kjo, sipas auditorëve, tregon dobësi në procedimin e pagesave dhe përputhshmërinë me rregulloren financiare.

    Raporti 2024 përmend edhe kontrata me tejkalime sasisht të kontratave kornizë, kontrata pa garanci performancë, menaxhim kontratash jashtë e-prokurimit etj., duke rikthyer mangësi strukturore në praktikën e prokurimit.

    Shkeljet në dhënien e pronës komunale me qira

    ZAP ka gjetur te komuna e drejtuar nga pushtetari i Vetëvendosjes, Bulliqi, se ka pasur mos-raportim periodik gjashtëmujor për shfrytëzimin e pronave komunale.

    Komuna nuk ka paraqitur asnjë raport periodik gjashtëmujor Kuvendit Komunal lidhur me monitorimin e realizimit të kontratave dhe përmbushjes së qëllimit të dhënies në shfrytëzim të pronave të paluajtshme, siç kërkohet nga Neni 22 paragrafi 2 i Ligjit nr. 06/L-092.

    Auditori e cilëson këtë si anashkalim të kërkesave ligjore për raportim dhe mbikëqyrje dhe vë re se mungesa e raportimit rrit rrezikun që të hyrat nga qiraja / shfrytëzimi të mos monitorohen dhe arkëtohen si duhet.

    Ndikimi praktik, sipas ZAP, qëndron në atë se pa raportime gjashtëmujore dhe pa monitorim efikas të kontratave të shfrytëzimit, Komuna humbet kontrolle për të verifikuar që qëllimi i dhënies së pronës (p.sh. për shërbim publik ose përdorim të caktuar) po realizohet, dhe ka rrezik për humbje të të ardhurave nga qiraja)

    Auditori i Jashtëm po ashtu gjen ne disa raste se ka pasur vonesat në arkëtim të qirave.

    Raporti 2023/2024 evidenton probleme të menaxhimit të llogarive të arkëtueshme; qiraja e objekteve (parcelave) paraqitet si një nga burimet me arkëtueshmëri të lartë dhe me mungesë inkasimi efektiv.

    Në 2023 qiraja e objekteve rezulton me 1,090,988 € arkëtueshme. Kjo nënvizon dobësitë në menaxhimin/ndjekjen e qirave, sipas ZAP.

    Raporti i vitit të fundit riktheu shqetësimin se pagesat/përfitimet nga donacionet dhe marrëveshjet bashkëfinancuese janë rritur e ku donacionet vendore dhe të bartura ndikojnë buxhetin, por nuk ka zbatim rigoroz të kërkesave për garanci performancash në rastin e parapagesave.

    Kjo është vazhdimësi e problemeve të evidentuara në vitet paraprake.

    Në dy raste të qarta ku janë dhënë para ndaj OJQ-ve/donatorëve si parapaguese/këste (Qatar Charity 250,000 € në 2022; Jetimat e Ballkanit 126,500 € në 2023) u gjetën përkatësisht me mangësi dokumentacioni dhe garancish — ZKA i konsideron këto si shkelje dhe risqe të rëndësishme.

    Hulumtimet e Insajderit për Shpejtim Bulliqin: nga tenderët e dyshimtë te punësimet familjare në puna të shtetit

    Përtej raporteve të ZKA-së, gazeta Insajderi ka dokumentuar raste të bujshme që lidhen drejtpërdrejt me qeverisjen e Shpejtim Bulliqit. Këto hulumtime tregojnë se shkeljet nuk janë thjesht abstrakte ose burokratike, por kanë fitues konkretë – kompani të afërta, familjarë të punësuar dhe biznese të fuqishme të ndërtimit.

    Tender i negociuar për firmë të sapo-regjistruar

    Në vitin 2023, komuna shpërbleu me 41,999 euro kompaninë “Elite Premium Bau”, e regjistruar vetëm nëntë muaj më parë. Kontrata u dha me procedurë të negociuar për “intervenime urgjente”, duke ngritur dyshime mbi motivet reale pas përzgjedhjes.

    Kontrata milionëshe për kompani të afërt me pushtetin

    Kompania “Eing Com”, e lidhur me figura të afërta me Vetëvendosjen, ka fituar kontrata mbi 3.8 milionë euro. ZKA ka gjetur se kompania nuk ka dorëzuar dëshmi të vlefshme për pajisjet e kërkuara, megjithatë është shpërblyer me tenderë të mëdhenj.

    Fitues me çmim më të lartë se konkurrentët

    Në ndërtimin e një salle sportive, komuna shpërbleu ofertën prej rreth 400,000 euro, edhe pse ishte më e larta dhe e tejkaloi buxhetin parashikues për 144,000 euro. Fituesi, sipas raportimeve, është sërish i lidhur me pushtetin aktual.

    Tenderi 2.5 milionësh i pezulluar nga gjykata

    Pashulumtimit të Insajderit dhe reagimit publik, një tender për ndërtimin e Shkollës së Mesme Ekonomike, me vlerë 2.5 milionë euro, ishte pezullua nga një vendim gjyqësor. Ky rast është shembull i drejtpërdrejtë i ndikimit që kanë pasur raportimet kritike në ndaljen e parregullsive.

    Punësimi i mbesës së kryetarit

    Në një konkurs komunal, Fitore Zejnullahu, mbesa e Bulliqit, u punësua si infermiere në Qendrën Rezidenciale. Edhe pse u rendit me pikë të larta, fakti i lidhjes familjare ngre dyshime serioze për nepotizëm.

    Insajderi po ashtu publikoi hulumtimin “Vajzat, djali, mbesa, dhandrri”, si i punësuan ‘në punë të shtetit’ gati krejt familja e Shpejtimit Bulliqit”, ku shpërfaqej përdorimi i pushtetit të tij brenda partisë Vetëvendosje, për të rahatuar familjaët nëpër puna të shtetit.

    Fotografi të publikuara nga Insajderi tregojnë kryetarin Bulliqi në takime të shpeshta me biznesmenë të fuqishëm të ndërtimit në Podujevë. Në një kontekst ku këta aktorë përfitojnë kontrata publike, këto pamje ushqejnë dyshime mbi ndikimin e interesave private në politikat komunale.

    Analiza e kombinuar e raporteve të ZKA-së dhe hulumtimeve të Insajderit sjell një tablo të qartë: qeverisja në Podujevë nën Shpejtim Bulliqin e Vetëvendosjes është e shënuar nga mungesa e transparencës, lidhjet klienteliste dhe përdorimi i pushtetit për përfitime të ngushta.

    Podujeva po bëhet rast studimi për mënyrën se si shkeljet administrative, tenderët e dyshimtë dhe nepotizmi bashkohen në një sistem të vetëm.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark