Një tender me vlerë të parashikuar prej 2.1 milionë eurosh, i shpallur nga Komuna e Obiliqit për rehabilitimin, zgjerimin dhe asfaltimin e rrugës që lidh fshatrat Plemetin, Hamidi dhe Siboc, ka ngritur dyshime për parregullsi në procesin e prokurimit.
Dyshimet lidhen me kriteret e përcaktuara në dosjen e tenderit, të cilat një kompani i ka kundërshtuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), duke pretenduar se disa prej tyre janë joproporcionale dhe mund të kufizojnë konkurrencën mes operatorëve ekonomikë, shkruan Insajderi.

Ankesa e kompanisë lidhet me ndryshimet e bëra në dosjen e tenderit më 24 shtator 2026, kërkesat për personelin profesional dhe pajisjet që duhet t’i ketë operatori ekonomik.
Sipas kompanisë ankuese, me ndryshimet e bëra në dosje janë shtuar kërkesa të hollësishme për inxhinierin e mjedisit, makineritë e asfaltimit dhe pajisjet matëse, pa u dëshmuar se të gjitha këto kritere janë të domosdoshme dhe proporcionale me natyrën e projektit.
Njëra nga kërkesat e kundërshtuara lidhet me inxhinierin e mjedisit, për të cilin kërkohet përvojë pesëvjeçare, licencë A si ekspert i sigurisë dhe shëndetit në punë, certifikatë për vlerësimin e rrezikut nga AME-ja, si dhe certifikim si auditor ISO 14024.
“Aneksi 7 i Dosjes së korrigjuar kërkon: “Rul (vibrator) i pajisur me cilinder, me peshore digjitale dhe senzora me pesh max 7.5ton”. Përshkrimi “me peshore digjitale” nuk ka qenë në Dosjen fillestare dhe është shtuar me korrigjimin e 24.09.2026. Pra, pas korrigjimit të Dosjes, tek kjo pajisje është shtuar edhe kërkesa “me peshore digjitale”, kërkesë për të cilën
askush nuk e di se çfarë kuptimi apo funksioni teknik ka. Është e paqartë se për çfarë i nevojitet një cilindri/ruli “peshorja digjitale” dhe çfarë konkretisht duhet të peshojë ajo. Shtesa “me peshore digjitale” nuk përcakton asnjë funksion
teknik të identifikueshëm dhe nuk i lejon OE-së të dijë se çfarë dëshmie e plotëson kriterin“, thuhet në ankesë.
Kompania e konsideron këtë kombinim të kërkesave si të tepruar dhe pretendon se autoriteti kontraktues nuk ka dhënë arsyetim të mjaftueshëm se përse kërkohen të gjitha këto kualifikime për projektin në fjalë.
Kundërshtime ka edhe për pajisjet e kërkuara në dosjen e tenderit. Sipas materialit të ankesës, për makinën e shtrimit të asfaltit kërkohet standardi i emetimeve Stage V, së paku tre sensorë ultrasonikë, një sensor akustik dhe sistem udhëzimi 3D me total station/GNSS. Po ashtu, kërkohet rul vibrues me “peshore digjitale”.
ETEAM pretendon se këto specifikime janë kufizuese dhe se autoriteti kontraktues nuk e ka sqaruar mjaftueshëm domosdoshmërinë e tyre. Kompania ka vënë në pikëpyetje edhe paqartësinë rreth kërkesës për peshoren digjitale.
Në argumentet e saj, kompania i është referuar edhe një përgjigjeje të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), të datës 30 shtator 2026.
Sipas ankesës, KRPP-ja kishte njoftuar se e kishte monitoruar këtë aktivitet të prokurimit dhe i kishte kërkuar autoritetit kontraktues t’i rishikonte kërkesat, me qëllim që ato të siguronin proporcionalitetin.
Megjithatë, KRPP-ja kishte sqaruar se nuk ka mandat t’i zëvendësojë mekanizmat individualë të ankesave në procedurat e prokurimit.
Kompania pretendon se, pavarësisht këtyre vërejtjeve, Komuna e Obiliqit nuk i ka adresuar në mënyrë të mjaftueshme shqetësimet e ngritura. Sipas saj, edhe refuzimi i kërkesës për rishqyrtim, më 1 tetor 2026, nuk përmbante arsyetim të mjaftueshëm për pikat e kundërshtuara.
“Lidhur me kërkesën tuaj, për monitorim të aktivitetit të prokurimit nr. 614-26-6717-5-1-1, nga AK – Kuvendi Komunal Obiliq, ju njoftojmë se KRPP ka monitoruar këto aktivitet të prokurimit sipas monitorimit të rregullt dhe, bazuar në vlerësimet e saj, ka vepruar duke lëshuar opinionet e nevojshme si dhe duke kërkuar nga AK që të rishqyrtojë kërkesat me qëllim të jenë në proporcion me lëndën e AP. Hartimi i Dosjes së Tenderit është kërkesë e nenit 27 të LPP-së, ndërsa vendosja e kërkesave duhet të jetë në përputhje me paragrafin 1 të nenit 51 të LPP-së, sipas të cilit: “Në asnjë rast, autoriteti kontraktues nuk duhet të përfshijë, saktësojë ose përdorë kritere të përzgjedhjes që bazohen në konsiderata të tjera përveç atyre të lejuara nga dispozitat e neneve 65–70 të këtij ligji”, thuhet aty.
ETEAM pretendon gjithashtu se disa nga kërkesat janë shtuar ose forcuar pas kërkesave për rishikimin e dosjes, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si janë përcaktuar kriteret e tenderit.
Raporti i ekspertit shqyrtues, i datës 15 tetor 2026, nuk i ka mbështetur shumicën e pretendimeve të kompanisë.
Sipas raportit, eksperti ka vlerësuar se kërkesat për inxhinierin e mjedisit dhe pajisjet e përcaktuara në dosje janë në përputhje me projektin. Për pikën e parë të ankesës, raporti pranon se autoriteti kontraktues ka dhënë një përgjigje të përmbledhur, por nuk i mbështet pretendimet e tjera kryesore.
Në përfundim, eksperti i ka rekomanduar OSHP-së që ankesën e ETEAM SH.P.K. ta refuzojë si të pabazuar.
Kompania, megjithatë, ka paraqitur kundërshtime edhe ndaj këtij raporti, duke pretenduar se eksperti nuk i ka trajtuar në mënyrë të mirëfilltë argumentet teknike të paraqitura në ankesë.
Në kundërshtimet e saj, ETEAM pretendon se raporti nuk mbështetet në një shqyrtim të plotë të dokumentacionit të projektit dhe nuk sqaron në mënyrë të mjaftueshme se mbi çfarë baze janë konsideruar të arsyeshme kërkesat e kontestuara.
Kompania ka vënë në pikëpyetje edhe trajtimin e kriterit për standardin Stage V dhe kërkesën për rul vibrues me peshore digjitale, për të cilat thotë se raporti nuk ofron analizë të mjaftueshme teknike.
Sipas saj, eksperti nuk i ka trajtuar me thellësinë e nevojshme të gjitha pikat e ankesës dhe nuk ka dhënë përgjigje të argumentuara për pretendimet e ngritura.
Për shkak të këtyre kundërshtimeve, ETEAM i ka kërkuar OSHP-së që të mos mbështetet në raportin aktual të ekspertit dhe të caktojë një ekspert teknik për shqyrtimin e specifikimeve të tenderit.
Kompania ka kërkuar gjithashtu mbajtjen e një seance dëgjimore, ku do të shqyrtoheshin pretendimet dhe kundërshtimet e saj lidhur me kërkesat e dosjes së tenderit.
Përveç kësaj, ajo ka kërkuar që autoriteti kontraktues të detyrohet të dorëzojë projektin ekzekutiv, specifikimet teknike, deklaratën nën betim të paraparë në nenin 19.16 të Rregullores së Prokurimit, si dhe dokumentacionin e brendshëm që lidhet me korrigjimet e bëra në dosjen e tenderit.
Këto kërkesa, sipas kompanisë, janë të nevojshme për të vlerësuar nëse kriteret teknike janë të lidhura drejtpërdrejt me objektin e kontratës dhe nëse janë përcaktuar në mënyrë proporcionale./insajderi.org/