×
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Tenderi në Prizren, Komuna shpall fituese kompaninë e ‘rrëzuar’ nga Gjykata e Tenderëve

    Insajderi
    09 April 2021 - 21:05

    Komuna e Prizrenit e ka shpallur fituese të tenderit për “intervenim në infrastrukturë për rastet e fatkeqësive natyrore dhe eliminimin e deponive ilegale” konsorciumin e kompanive “EuroVia” SH.P.K., “SEDTOURS” SH.P.K. dhe “ISA Petrol” SH.P.K., edhe pas vendimit të OSHP-së për anulimin dhe kthimin e kontratës në rivlerësim.

    “EuroVia” Sh.P.K. është një kompani me bazë në Prizren, e cila si veprimtari primare ka ndërtimin e objekteve, ndërkaq si veprimtari sekondare ndërtimin e rrugëve. Në regjistrin e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve (ARBK), kompania figuron të jetë në pronësi të afaristit Rexhep Gashi.

    Më 7 prill, Zyra e Prokurimit në Komunën e Prizrenit e ka rekomanduar për kontratë firmën ndërtimore “EuroVia” Sh.P.K., në një proces të rivlerësimit.

    Kriter i dhënies së kontratës ka qenë “çmimi më i ulët i peshuar”. Ndërkaq, vlera totale e ofertës së konsorciumit të kryesuar nga “EuroVia”, është 33,62 euro me çmim të peshuar. 

    Paraprakisht, komuna e kishte rekomanduar për kontratë të njëjtën kompani në procesin fillestar. Mirëpo, vendimi i Zyrës së Prokurimit të Komunës së Prizrenit ishte kontestuar nga një kompani tjetër, pjesëmarrëse në procesin tenderues.

    Në një vendim më 12 mars, Gjykata e Tenderëve ka aprovuar ankesën e “Trasing Group”, firmës ankuese. Ka vendosur për anulimin e vendimit të Zyrës së Prokurimit në Komunën e Prizrenit dhe kthimin e rastit në rivlerësim.

    “ANULOHET, njoftimi për dhënie të kontratës, lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull “Intervenimi në Infrastrukturë për rastet e fatkeqësive natyrore dhe eliminimi i deponive ilegale në komunën e Prizrenit” me nr. të prok: 622-20-4624-2-1-1, iniciuar nga Autoriteti Kontraktues – “KK-Prizren”, dhe lënda të kthehet në rivlerësim”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

    Në ankesën e kompanisë ankuese, “Trasing Group”, thuhet se kompania e shpallur fituese nuk kishte prezantuar certifikatën e auditorit të licencuar “sipas auditimit të pasqyrave financiare për vitet 2017 dhe 2018”.

    Pretendimi i kompanisë ankuese është konfirmuar nga ekspertët e Organit Shqyrtues të Prokurimit.

    “Paneli Shqyrtues sqaron se përmes kërkesës dhe dëshmisë dokumentare ka kërkuar nga OE-të që të prezantojnë: ‘Pasqyra e auditimit për tri vitet e fundit si dhe licenca e auditorit valide i cili ka krye auditimin e OE’. Paneli Shqyrtues sqaron se auditori i cili ka bërë auditimin nuk ka prezantuar në ofertë licencën e të njëjtit. Andaj, pretendimi i OE ankues është i bazuar”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

    Po ashtu, eksperti i OSHP-së ka vlerësuar se kur Komuna ka zgjedhur si kriter “çmimin më të ulet të peshuar”, është dashur të përjashtojë rregullat për çmime jo normalisht te ulëta, “pasi që qëllimi i poentimit është eliminimi i çmimeve jo reale dhe nxjerrja e ofertës më të lirë”.

    Vendimi i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Prizrenit

    “Dispozitat e LPP-se ne fuqi, i njohin çmimet jo normalisht te ulëta, ndërsa çmimet manipulative dhe abuzive nuk janë te njoftuar. Megjithatë AK – Komuna Prizren, për ketë aktivitet te prokurimit ka aplikuar procedurën te peshimit te çmimeve me qellim te nxjerrjes se ofertës me te lire dhe te përgjegjshëm”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Tenderëve.

    Eksperti i OSHP-së e ka vlerësuar si të bazuar pretendimin e operatorëve ankues se konsorciumi fitues, i kryesuar nga “EuroVia” SH.P.K., për këtë kontratë “ka dhënë çmime jo normalisht te ulëta dhe manipulative”.

    “Paneli shqyrtues sqaron se, tani e një kohe nuk jemi marre me çmime kur autoriteti kontraktues vendos çmimet me poentim por kjo po keqpërdoret nga Operatorët ku kemi rastin konkret që OE i rekomanduar për kontratë ka vendosur çmime shume te ulëta”, sqarohet në vendimin e OSHP-së.

    Kompania që kryeson konsorciumin e shpallur fitues nga Komuna e Prizrenit, në fillimin e këtij viti ka fituar një tjetër kontratë publike nga Komuna e Prizrenit, e cila po ashtu ishte përcjell me ankesa në OSHP.

    Ajo ka fituar një kontratë për furnizimin me zhavorr të Komunës së Prizrenit. Për këtë kontratë Zyra e Prokurimit të Komunës kishte planifikuar 1.5 milionë euro. /Insajderi.org

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark