Një hulumtim i Insajderit që publikoi dokumente të brendshme për tenderë të dyshimt në Universitetin publik të Prishtinës ka vënë në lëvizje edhe institucionet e fushës së prokurimeve. Kështu, shefit të tenderëve në UP Selman Qorri, i është anuluar certifikata profesionale. Tenderi që u bë një nga arsyet për këtë vendim është edhe ai për biznesmenin Halil Jahja, i njohur si “Daja i Vetëvendosjes”.
Javë më parë Gazeta Insajderi raportoi se si shefat e Universitetit të Prishtinës u futën në një marrëdhënie të dyshimtë me biznesmenin Halil Jahaj, daja i famshëm i Florent Ramqajt të Vetëvendosje.
Hulumtimi zbuloi se si UP-ja kishte një kontratë për punë drenazhimi për objektet e disa fakulteteve, vlera e përgjithshme e së cilës kontratë (kornizë) ishte mbi 1.7 milionë euro.
Shefat e Universitetit të Prishtinës atë kohë lejuan që faturimi i kësaj kontrate të shkonte deri në mbi 1.9 milionë euro. Kjo u bë duke u arsyetuar në punët shtesë të kompanisë.
Mbi 200 mijë euro nga punët shtesë nuk e ngopën këtë kompani private. Disa muaj më vonë, në gusht të atij viti, Universiteti i Prishtinës hapi edhe një tender të ri. Konkurroi vetëm firma e dajës së famshëm të Vetëvendosjes. Pra, iu paguan dy herë punët shtesë. Njëherë si pjesë të kontratës bazë e herën tjetër me kontratë të re. Afro 400 mijë euro llogaritet se iu zotuan kësaj kompanie jashtë vlerës fillestare të kontratës.
Kjo kontratë ishte denoncuar edhe në Policinë e Kosovës, derisa Insajderi zbuloi se është lidhur mes Universitetit të Prishtinës, më saktë Zyrtarit të Prokurimit, Selman Qorri, Ish-Sekretarit, Esat Kelmendi dhe Rektorit, Naser Sahiti me firmën “Alfa.i”, pronë e Halil Jahaj. Në emër të kompanisë, njërën kontratë e ka nënshkruar Lulzim Jahja e tjetrën vet pronari, Halil Jahjaj.
“Daja i Vetëvendosjes”, kështu ishte përshkruar në facebook biznesmeni Halil Jahjaj. Emri i tij u përmend në aferën e ryshfetit prej 30 mijë eurosh, ku punonjës i kompanisë “Infratek”, zyrtarisht në pronësi të Florije Jahaj dëgjohej duke i kërkuar deri në 30 mijë euro ryshfet një kompanie tjetër vetëm për ta dërguar një e-mail në Ministrinë e Infrastrukturës së udhëhequr nga Liburn Aliu. Aliu, për këshilltar e ka nipin e Halil Jahjajt, Florent Ramqajn. Në këtë audio-incizim ishte përmendur edhe vet emri i Liburn Aliut.
Pos këtij tenderi, ku figuron firma e Qorrit, në fund të korrikut Insajderi raportoi po ashtu se nën dyshimin se ka falsifikuar nënshkrimin e një anëtari të komisionit që nuk ishte as në Kosovë, shefi i zyrës së prokurimeve në Universitetin publik të Prishtinës është denoncuar në Polici dhe se ndaj tij kanë nisur hetimet për një tender, për të cilin janë planifikuar të shpenzohen afro 200 mijë euro.
Pse iu mor licenca Selman Qorrit?
Të enjten u raportua nga Persikopi se Selman Qorrit i është anuluar certifikata profesionale. Këtë vendim e ka marrë Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik-KRPP, pas një kërkese që ka bërë sekretariati i UP-së. Komisioni i Prokurimit ka shqyrtuar të gjitha faktet e ngritura dhe më pas ka miratuar kërkesën.
Kërkesa e sekretarit, është parashtruar më arsyetimin se Qorri nuk ka respektuar dispozitat ligjore të Ligjit të Prokurimit Publik për aktivitetin e prokurimit si: “Drenazhimi, Kanalizim, Ujësjellësi në Filologjik, FSHMN, LOT 1”, dhe “Shërbime të udhëtimit brenda dhe jashtë vendit për nevojat e UP-së”, tenderë për të cilët ka raportuar Insajderi.
Siç raporton Periskopi që e ka parë vendimin e KRPP-së për revokim të licencës dhe, në ndër tjera, parashtruesi i kërkesës ka pretenduar se janë bërë këto shkelje:
Për tenderin “Drenazhimi, Kanalizimi, Ujësjellësi në Filologjik … lot 1”, pretendohet se Zyrtari Prokurimit Publik -ZPP, nuk ka bërë ndërprerjen e kontratës ku është bërë tejkalimi i pozicioneve mbi 30 për qind, dhe se veç kësaj ai ka vazhduar duke zhvilluar procedurë të re për punët e paparashikuara për të njëjtin projekt (10 për qind nga kontrata bazë).
Në raportin e KRPP-së, thuhet se, sa i përket aktivitetit të prokurimit “Shërbime të udhëtimit brenda dhe jashtë vendit për nevojat e UP-së”, pretendohet se kjo kontratë nuk është nënshkruar në bazë të legjislacionit në fuqi, sepse mungon anëshkrimi i Zyrtarit Kryesor Admirativ -ZKA (Rektorit). Te kjo kontratë mungon edhe zotimi i mjeteve, nuk është nënshkruar nga njësia kërkesë, e që njëjta gjë e tillë është një ndër kërkesat themelore para nënshkrimit të kontratës, bazuar në Ligjin e Prokurimit.
Meqenëse KRPP-ja i pajisë me certifikata zyrtarët e prokurimit, ky institucion edhe i anulon ato, nëse shkelen dispozitat e ligjit. Pra, Qorri tash e tutje do të mund të ushtrojë detyrën vetëm të zyrtarit të thjeshtë të prokurimit.
Selman Qorri dyshohet për falsifikim
Një hulumtim i Insajderit për tenderin afro 1.9 milionë eurosh që për kompaninë ‘Alfa.i”, pronë e biznesmenit Halil Jahja kishte gjetur se në këtë aferë dyshohet se të jetë i përfshirë edhe, deri tash, shefi i tenderëve të këtij institucioni, Selman Qorri. Biznesmeni Jahja njihet edhe si ‘Daja i Vetëvendosjes’.
Burime të Insajderit kanë bërë me dije se ndaj shefit të zyrës së prokurimeve në UP tashmë kanë nisur hetimet për një tender tjetër, për të cilin ky institucion planifikon që të shpenzojë afro 200 mijë euro.
Selman Qorri zyrtarisht nga menaxhmenti i UP-së është denoncuar në Polici, në Drejtorinë për hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit për veprimet e dyshimta që ka ndërmarrë në tenderin “Renovimi i Objektit të Fakultetit të Edukimit”.
Sipas kësaj shkrese që e ka siguruar Insajderi, menaxhmenti i UP-së kishte marrë informacione se me 28 qershor të këtij viti, kur u hapën ofertat e kompanive në garë për këtë tender, në procesverbal figuronte edhe nënshkrimi i një anëtari të komisionit me inicialet E.M. (emër i njohur për redaksinë), e i cili në fakt nuk ishte fare në Kosovë.
Menaxhmenti kishte bërë verifikimin e denoncimeve dhe gjen se E.M. ndodhej në pushime në Shqipëri që nga data 25 qershor. Ky zyrtar vet kishte shkruar se nënshkrimi i tij mund të jetë falsifikuar.
“Nga data 25.0602022 gjendem në pushime në Shqipëri. z. E. Po ashtu ka konstatuar se kushdo që e ka përdorur emrin apo nënshkrimin e tij në ndonjë hapje të ofertave, e ka falsifikuar atë”, thuhet në dokumentin e denoncimit që e ka siguruar Insajderi.
Ky zyrtar, i kishte shkruar menaxhmentit të UP-së edhe një përgjigje tjetër, pasi që e ka parë procesverbalin e hapjes së tenderit “Renovimi i Objektit të Fakultetit të Edukimit”, dhe kishte konstatuar edhe një herë që në atë dokument “nënshkrimi nuk është i tij, dhe se është falsifikuar”.
Këtë procedurë e ka udhëhequr Selman Qorri, shef i tenderëve në UP dhe menaxhmenti i këtij institucioni në kërkesën për hetime në Polici, e përmend direkt këtë zyrtar.
Insajderi ka kontrolluar për këtë tender në platformën zyrtare për prokurime, por deri më tani janë publikuar vetëm kërkesat teknike për të, njoftimi për të aplikuar për këtë tender, dhe një dokument i fundit “Formulari standard për korrigjimin e gabimeve ne njoftimet e publikuara”, i datës 16 qershor. Ende nuk është publikuar as procesverbali i hapjes së ofertave dhe nuk ka ende vendim se kush do të shpërblehet me këtë tender.
Si e zhvati buxhetin e UP-së daja i famshëm i Vetëvendosjes
Emri i zyrtarit që është denoncuar për dyshim të falsifikimit të nënshkrimit për tenderin “Renovimi i Objektit të Fakultetit të Edukimit”, ishte edhe pjesë e aferës së publikuar javë më arë nga Insajderi.
Siç ishte raportuar nga Gazeta Insajderi, Në fillim të shkurti 2021, Universiteti publik i Prishtinës do të njoftonte se ka lidhur një kontratë për punë drenazhimi për objektet e disa fakulteteve. Vlera e përgjithshme e kontratës kornizë ishte mbi 1.7 milionë euro.
Por, shefat e Universitetit të Prishtinës lejuan që faturimi i kësaj kontrate të shkonte deri në mbi 1.9 milionë euro. Kjo u bë duke u arsyetuar në punët shtesë të kompanisë.
Mbi 200 mijë euro nga punët shtesë nuk e ngopën këtë kompani private. Disa muaj më vonë, në gusht të atij viti, Universiteti i Prishtinës hapi edhe një tender të ri. Konkurroi vetëm firma e dajës së famshëm të Vetëvendosjes. Pra, iu paguan dy herë punët shtesë. Njëherë si pjesë të kontratës bazë e herën tjetër me kontratë të re. Afro 400 mijë euro llogaritet se iu zotuan kësaj kompanie jashtë vlerës fillestare të kontratës,
Kjo kontratë që është denoncuar edhe në Policinë e Kosovës, Insajderi zbulon se është lidhur mes Universitetit të Prishtinës, më saktë Zyrtarit të Prokurimit, Selman Qorri, Ish-Sekretarit, Esat Kelmendi dhe Rektorit, Naser Sahiti me firmën “Alfa.i”, pronë e Halil Jahaj. Në emër të kompanisë, njërën kontratë e ka nënshkruar Lulzim Jahja e tjetrën vet pronari, Halil Jahjaj.
Firma e këtij biznesmeni ishte bërë e njohur në audio-incizimin e publikuar nga gazeta Nacionale bash për projektim e mbikëqyrje të projekteve.
Emri i tij u përmend në aferën e ryshfetit prej 30 mijë eurosh, ku punonjës i kompanisë “Infratek”, zyrtarisht në pronësi të Florije Jahaj dëgjohej duke i kërkuar deri në 30 mijë euro ryshfet një kompanie tjetër vetëm për ta dërguar një e-mail në Ministrinë e Infrastrukturës së udhëhequr nga Liburn Aliu. Aliu, për këshilltar e ka nipin e Halil Jahjajt, Florent Ramqajn. Në këtë audio-incizim ishte përmendur edhe vet emri i Liburn Aliut.
Profesori i gjuhës arabe mbikëqyri tenderin 1.9 milionësh
Në vazhdim të hulumtimit të aferës mbi 1.9 milionëshe të UP-së, tender që e fitoi biznesmeni Halil Jahja, Gazeta Insajderi kishte publikuar edhe detaje shtesë nga një ‘hetim’ i brendshëm që ishte bërë nga vetë institucioni, përmes Zyrës së Auditimit të Brendshëm.
Dokumentet e këtij institucioni të siguruar nga Insajderi, zbulojnë që edhe pse kompania vet është e njohur për projektim e mbikëqyrje, drejtuesit e këtij institucioni për ta mbikëqyrur punën e “Alfa.i” e lanë një punonjës të universitetit që është krejt jashtë kësaj fushe.
UP-ja e la që ky tender mbi 1.9 milionë euro të mbikëqyret nga një profesor i gjuhës arabe. Kjo punë iu dha Isa Memishit, profesor i gjuhës arabe në Fakultetin e Filologjisë të UP.
“Se ka pasur mungesë kontrolli dhe monitorimi gjatë kryerjes së punëve tek Lot1 dhe punët e paparashikuara vërehet edhe tek caktimi i Menaxherit të projektit për këtë projekt të madh. Caktohet menaxher projekti profesori i gjuhës arabe e jo ndonjë profesionist”, thuhet në raportin e auditorit dhe kjo njësi shton se UP ka edhe departament të caktuar në Fakultetin e Ndërtimtarisë siç është departamenti i Hidroteknikës.
Historiku i tenderit 1.7 milionë që u shpërblye “Daja i Vetëvendosjes”
Sipas kontratave që i posedon Insajderi, kontrata kornizë prej 36 muajsh afat mes UP-së dhe kompanisë së biznesmenit Halil Jahjaj ishte nënshkruar në fillim të vitit 2021. Është e detajuar me pozicione e përshkrime se çka do të duhej të punohej në punën për drenazhimin e disa objekteve të disa fakulteteve.
Situata do të ndryshonte në favor të biznesmenit Jahjaj, pasi që gjatë punës u konstatua se dolën edhe punë të paparashikuara. Bash kështu është titulluar edhe një kontratë shtesë që UP-ja e kishte lidhur firmën private “Alfa.i”.
“Punët e paparashikuara” si kontratë u nënshkrua në gusht 2021 dhe në të nënshkrimet i vendosën: Halil Jhajaj si pronar, Zyrtari i Prokurimit, Selman Qorri, Ish-Sekretari, Esat Kelmendi dhe Rektorit, Naser Sahiti. Vlera: mbi 170 mijë euro plus për kompaninë.
E vet ndryshimi në pozicione, del të jetë në kundërshtim me ligjin, sipas një raporti të auditimit të brendshëm që e posedon Insajderi.
“Universiteti i Prishtinës ka vepruar në kundërshtim me LPP-në (Ligjin e Prokurimit Publik) tek kontrata “Drenazhimi, kanalizimi, ujësjellësi në Filologjik, FSHMN, Filozofik” kur nuk e ka bërë ndërprerjen e kontratës kur është bërë tejkalimi i pozicioneve mbi 30 përqind, sepse këtë e definon qartë Ligji”, thuhet në këtë raport dhe auditori i brendshëm vazhdon se ‘përkundrazi, UP-ja, ka zhvilluar edhe procedurë të re për punë të paparashikuara për të njëjtin projekt (10 përqind nga kontrata bazë) e cila është e definuar qartë me LPP ku thuhet se kontrata kornizë NUK mund të ketë aneks (10 përqind)”, thuhet në këtë raport, përmbajtja e të cilit tash është denoncuar edhe në Policinë e Kosovës.
Sipas përmbajtjes së këtij raporti, në favor të kompanisë u ndryshuan aq shumë pozicione të caktuara për këto punë në disa raste përqindja është alarmante.
Sipas kësaj tabele, ndryshimet nisën në disa pozicione me 5 përqind, por në një rast ndryshimi ka shkuar në 1595 përqind më shumë se sa që ishte paraparë kur u nënshkrua kontrata. Në shumicën e pozicioneve ndryshimi ka qenë mbi 100 përqind, derisa në pozicione të caktuara ka ndryshim edhe mbi 260 përqind e në një rast edhe 445 përqind.
Kontrata jo që nuk u ndërpre, siç e parasheh Ligji-sipas auditorit të brendshëm, por kompanisë së biznesmenit Halil Jahjaj iu dha edhe një për punë shtesë. Tash Universiteti publik i Prishtinës nga planifikimi për të ia dhënë kësaj kompanie 1.7 milionë euro, do të duhet të ia japë së paku 1.9 milionë euro. Auditori ngre alarmin se shpenzimet në dëm të UP-së e në favor të firmës “Alfa.i” mund të rriten edhe mbi vlerën 1.9 milionë euro, derisa deri tash janë paguar 1.5 milionë prej tyre.
Audtitori i Jashtëm konstaton se nuk duhej të i jepej tenderi 1.7 milionësh kompanisë “Alfa.i”
Për shkelje në këtë tender të fituar nga firma e biznesmenit Halil Jahjaj ka raportuar edhe Zyra Kombëtare e Auditimit(ZKA). Ky institucion madje shkon edhe më thellë, konstaton që edhe kur u nënshkrua kontrata e parë me “Alfa.i”, ishte bërë në mënyrë të jashtëligjshme. Pra, sipas ZK, tenderi prej 1.7 milionësh nuk duhej ti jepej fare firmës së Halil Jahjajt.
“Tek dosja e tenderit për kontratën “Drenazhimi, Kanalizimi, Ujësjellësi në Filologjik, Fakulteti i Shkencave Matematiko Natyrore-FSHMN ,Filozofik”Lot 1-në vlerë 1,734,655 €”, në kuadër të kapaciteteve teknike dhe profesionale ishte kërkuar si kriter “polica e sigurimit nga kompanitë e licencuara të sigurimit që operojnë në RKS për vende punishte dhe palë të treta në vlerë 2,000,000€”. OE fitues (Alfa.i), nuk kishte dorëzuar Polisën e sigurimit (kontratën specifike të përgatitur dhe të lëshuar nga siguruesi, për të mbuluar një rrezik specifik ose një numër të veçantë të rreziqeve sipas kushteve të përcaktuara), por vetëm një draft kontratë për aplikim të tenderit të lëshuar nga një kompani e sigurimit”, thuhet në raport.
Auditori i Jashtëm tregon edhe arsyen se pse nuk u dashtë t’i jepej tenderi 1.7 milionësh firmës së biznesmenit Halil Jahjaj pa e dorëzuar policën e sigurimit “Në raste dëmtimeve ndaj palëve të treta apo dëmtimeve material të pasurisë, mund të mos kompensohen dëmet e kompanisë dhe të rrezikohet përmbushja e kontratës nga ana e saj”, konstaton ZKA.
Sipas Auditorit të Jashtëm, tenderi iu dha megjithatë firmës “Alfa.i” “për shkak se me rastin e vlerësimit të ofertave, komisioni i vlerësimit nuk kishte marrë parasysh kriteret e parapara me dosjen e tenderit”.
Të zënë ngushtë nga Audtorit i jashtëm, UP-ja kishte pranuar që e la të pa definuar këtë kriter që potencialisht mund ta rrëzonte nga gara për ta fituar tenderin 1.7 milionësh firmën “Alfa.i”.
“Fillimisht ju njoftojmë se në dosjen e tenderit ky kriter nuk ishte definuar se kjo polic a duhet të dorëzohet para nënshkrimit të kontratës apo me ofertën financiare. Te katër (4) OE kanë dorëzuar draft-kontratë në mes OE dhe kompanive të sigurimit. Sa i përket tek OE i kontraktuar nga UP-ja (Alfa.i), rreth këtij dokumenti, zyra e prokurimit ka kërkuar sqarim nga Kompania Sigurimeve …, ku është konfirmuar se dokumenti është lëshuar sipas kërkesës së OE dhe i qëndrojnë mbrapa këtij dokumente”.
Sqarimet për ‘draft-kontratë” nuk e kanë bindur Audtorin e Përgjithshëm dhe këmbëngul se dhënia e këtij tenderi të madh për firmën “Alfa.i” vazhdon të konsiderohet shkelje e Ligjit nga UP-ja.
“Me dosjen e tenderit është kërkuar si kriter “polica e sigurimit”. Çdo dokument tjetër i ofruar, nuk është relevant, bazuar në kërkesën specifike te Dosja e Tenderit”, përfundon debatin me UP-në Zyra Kombëtare e Auditimit.
/GazetaInsajderi