×
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Thellohet skandali i UP-së | Profesori i gjuhës arabe mbikëqyri tenderin 1.9 milionësh për ‘Dajën e Vetëvendosjes’

    Insajderi
    13 July 2022 - 15:00

    Universiteti publik i Prishtinës ka lidhur një kontratë të dyshimtë me kompaninë e biznesmenit Halil Jahja. Kontrata është mbi 1.9 milionë euro, me shtesat që iu bënë asaj rrugës. Derisa vet firma e këtij biznesmeni, i njohur si ‘Daja i Vetëvendosjes’ është e njohur edhe për projektim e mbikëqyrje projektesh, UP-ja kishte vendosur që mbikëqyrjen e kësaj pune të ia linte një profesori të gjuhës arabe

    Insajderi

    Ditë më parë Insajderi raportoi për hetimet që kanë nisur për një tender të madh të dhënë nga Universiteti publik i Prishtinës firmës së biznesmenit Halil Jahja. Ai njihet edhe si ‘Daja i Vetëvendosjes’.

    Në fillim të shkurti 2021, Universiteti publik i Prishtinës do të njoftonte se ka lidhur një kontratë për punë drenazhimi për objektet e disa fakulteteve. Vlera e përgjithshme e kontratës kornizë ishte mbi 1.7 milionë euro.

    Por, shefat e Universitetit të Prishtinës lejuan që faturimi i kësaj kontrate të shkonte deri në mbi 1.9 milionë euro. Kjo u bë duke u arsyetuar në punët shtesë të kompanisë.

    Mbi 200 mijë euro nga punët shtesë nuk e ngopën këtë kompani private. Disa muaj më vonë, në gusht të atij viti, Universiteti i Prishtinës hapi edhe një tender të ri.  Konkurroi vetëm firma e dajës së famshëm të Vetëvendosjes. Pra, iu paguan dy herë punët shtesë. Njëherë si pjesë të kontratës bazë e herën tjetër me kontratë të re. Afro 400 mijë euro llogaritet se iu zotuan kësaj kompanie jashtë vlerës fillestare të kontratës,

    Kjo kontratë që është denoncuar edhe në Policinë e Kosovës, Insajderi zbulon se është lidhur mes Universitetit të Prishtinës, më saktë Zyrtarit të Prokurimit, Selman Qorri, Ish-Sekretarit, Esat Kelmendi dhe Rektorit, Naser Sahiti me firmën “Alfa.i”, pronë e Halil Jahaj. Në emër të kompanisë, njërën kontratë e ka nënshkruar Lulzim Jahja e tjetrën vet pronari, Halil Jahjaj.

    Firma e këtij biznesmeni ishte bërë e njohur në audio-incizimin e publikuar nga gazeta Nacionale bash për projektim e mbikëqyrje të projekteve.

    Emri i tij u përmend në aferën e ryshfetit prej 30 mijë eurosh, ku punonjës i kompanisë “Infratek”, zyrtarisht në pronësi të Florije Jahaj dëgjohej duke i kërkuar deri në 30 mijë euro ryshfet një kompanie tjetër vetëm për ta dërguar një e-mail në Ministrinë e Infrastrukturës së udhëhequr nga Liburn Aliu. Aliu, për këshilltar e ka nipin e Halil Jahjajt, Florent Ramqajn. Në këtë audio-incizim ishte përmendur edhe vet emri i Liburn Aliut.

    Dokumentet e brendshme të auditimit të tenderit me UP-në zbulojnë që edhe pse kompania vet është e njohur për projektim e mbikëqyrje, drejtuesit e këtij institucioni për ta mbikëqyrur punën e “Alfa.i” e lanë një punonjës të universitetit që është krejt jashtë kësaj fushe.

    UP-ja e la që ky tender mbi 1.9 milionë euro të mbikëqyret nga një profesor i gjuhës arabe. Kjo punë iu dha Isa Memishit, profesor i gjuhës arabe në Fakultetin e Filologjisë të UP.

    “Se ka pasur mungesë kontrolli dhe monitorimi gjatë kryerjes së punëve tek Lot1 dhe punët e paparashikuara vërehet edhe tek caktimi i Menaxherit të projektit për këtë projekt të madh. Caktohet menaxher projekti profesori i gjuhës arabe e jo ndonjë profesionist”, thuhet në raportin e auditorit dhe kjo njësi shton se UP ka edhe departament të caktuar në Fakultetin e Ndërtimtarisë siç është departamenti i Hidroteknikës.

    Historiku i tenderit 1.7 milionë që u shpërblye “Daja i Vetëvendosjes”

    Sipas kontratave që i posedon Insajderi, kontrata kornizë prej 36 muajsh afat mes UP-së dhe kompanisë së biznesmenit Halil Jahjaj ishte nënshkruar në fillim të vitit 2021. Është e detajuar me pozicione e përshkrime se çka do të duhej të punohej në punën për drenazhimin e disa objekteve të disa fakulteteve.

    Situata do të ndryshonte në favor të biznesmenit Jahjaj, pasi që gjatë punës u konstatua se dolën edhe punë të paparashikuara. Bash kështu është titulluar edhe një kontratë shtesë që UP-ja e kishte lidhur firmën private “Alfa.i”.

    “Punët e paparashikuara” si kontratë u nënshkrua në gusht 2021 dhe në të nënshkrimet i vendosën: Halil Jhajaj si pronar, Zyrtari i Prokurimit, Selman Qorri, Ish-Sekretari, Esat Kelmendi dhe Rektorit, Naser Sahiti. Vlera: mbi 170 mijë euro plus për kompaninë.

    E vet ndryshimi në pozicione, del të jetë në kundërshtim me ligjin, sipas një raporti të auditimit të brendshëm që e posedon Insajderi.

    “Universiteti i Prishtinës ka vepruar në kundërshtim me LPP-në (Ligjin e Prokurimit Publik) tek kontrata “Drenazhimi, kanalizimi, ujësjellësi në Filologjik, FSHMN, Filozofik” kur nuk e ka bërë ndërprerjen e kontratës kur është bërë tejkalimi i pozicioneve mbi 30 përqind, sepse këtë e definon qartë Ligji”, thuhet në këtë raport dhe auditori i brendshëm vazhdon se ‘përkundrazi, UP-ja, ka zhvilluar edhe procedurë të re për punë të paparashikuara për të njëjtin projekt (10 përqind nga kontrata bazë) e cila është e definuar qartë me LPP ku thuhet se kontrata kornizë NUK mund të ketë aneks (10 përqind)”, thuhet në këtë raport, përmbajtja e të cilit tash është denoncuar edhe në Policinë e Kosovës.

    Sipas përmbajtjes së këtij raporti, në favor të kompanisë u ndryshuan aq shumë pozicione të caktuara për këto punë në disa raste përqindja është alarmante.

    Shih tabelën e ndryshimeve

    Sipas kësaj tabele, ndryshimet nisën në disa pozicione me 5 përqind, por në një rast ndryshimi ka shkuar në 1595 përqind më shumë se sa që ishte paraparë kur u nënshkrua kontrata. Në shumicën e pozicioneve ndryshimi ka qenë mbi 100 përqind, derisa në pozicione të caktuara ka ndryshim edhe mbi 260 përqind e në një rast edhe 445 përqind.

    Kontrata jo që nuk u ndërpre, siç e parasheh Ligji-sipas auditorit të brendshëm, por kompanisë së biznesmenit Halil Jahjaj iu dha edhe një për punë shtesë. Tash Universiteti publik i Prishtinës nga planifikimi për të ia dhënë kësaj kompanie 1.7 milionë euro, do të duhet të ia japë së paku 1.9 milionë euro. Auditori ngre alarmin se shpenzimet në dëm të UP-së e në favor të firmës “Alfa.i” mund të rriten edhe mbi vlerën 1.9 milionë euro, derisa deri tash janë paguar 1.5 milionë prej tyre.

    Fajin ua lënë themeleve të vjetra të objekteve

    “…uk është tejkalu 30% e shumes totale. Është tejkaluar 30%  e disa pozicione, qe nëse e kthejmë në total të shumes i bie 13.50% e vlerës se kontraktuar”, thuhet në përgjigjen e Zyrtarit të Prokurimit të UP-së në përgjigjet për Insajderin, kur është pyetur se pse nuk është shkëputur kontrata siç thotë auditori i brendshëm se u desh të verphejt.

    Selman Qorri i ka thënë Insajderit se ër tejkalim te disa pozicioneve, që në së paku një rast ishin 1595 përqind më shumë,  “ju njoftojmë se zyra e prokurimit nuk e ka pasur ketë informatë, por sipas kompanisë Mbikëqyrëse, sqarimi i tyre është se kanë qen të detyruar domosdoshmërish te rriten sasitë, për arsyes se objekti ka qen i ndërtuar shumë kohë më parë, dhe themelet e objektit i kanë obliguar që këto pozicione të devijojnë nga ajo qe është parapa nga projektuesi” ka thënë Qorri.

    Sipas tij, “ideja ka qen të përmbyllet projekti si duhet, ose projekti do mbetet i mangët dhe i pa realizueshëm, dhe dëmet do te ishin edhe me te mëdha, ne krahasim me punët e kryera”.

    Ai ka arsyetuar edhe dhënien e kontratës shtesë si të ligjshme, atë për punë të paparashikuara prej mbi 170 mijë eurosh, për të cilën auditori i brendshëm thotë se u dha në kundërshtim me Ligjin.

    Edhe pse kurdo që hapet një tender, institucionet janë të obliguara që të i bëjnë specifikat e planifikimet që lidhen me caktimin e buxhtetit që do të shpenzohet për të, Qorri i ka thënë Insajderit që kur “Alfa.i” nisi punën prej 1.7 milionë eurosh, realiteti e kapi në befasi Universitetin e Prishtinës.

    “Këto pozicione nuk kanë qen te parapara ne Projekt e as në paramas. Kjo është konfirmuar nga projektuesi gjatë takimit qe është ftuar zyrtarisht nga AK, sepse ka qenë e pamundur te dihet se çka ka nënë themelet e objektit i cili është i ndërtuar me shumë  se 40 vjet. OE (Alfa.i) ka qenë duke u zhvilluar punimet, kur janë hapur themelet ne thellësinë 5 deri 7 metra, janë shfaqur telashet gjatë punimeve, frika ka qen se mund të ketë edhe plasaritje te Objektit, sepse podrumet e objektit kanë qen te  mbushura  me ujë, andaj si AK (Universiteti i Prishtinës) kem qenë të obliguar te iniciojmë ketë procedurë emergjente”, ka thënë Qorri për Insajderin.

    Ai ka mohuar që ka lidhje shoqërore ose tjetër me pronarin e firmës “Alfa.i”, njëjtë siç ka ka thënë edhe ish-Sekrtari i UP-së, Esat Klmendi që ka nënshkruar këto dy kontrata.

    “Pas suspendimit të drejtorit të prokurimit në janar të vitit 2021 e më pas edhe ndërprerjes së marrëdhënies së punës me vendim të komisionit disiplinor, me 15 janar 2021 kam autorizuar njërin prej dy zyrtarëve të prokurimit, respektivisht z.Selman Qorri, që në cilësi të personit të autorizuar t’i kryej detyrat e prokurimit, duke pasur parasysh se institucioni duhet të ketë një person të autorizuar që inicion, përcjellë dhe interpreton procedurat e prokurimit. Nga zyrtari i autorizuar dhe të gjithë personat e përfshirë në procedura të prokurimit (komisionet vlerësuese, mbikëqyrësit dhe menaxherët) në vazhdimësi kam kërkuar që të respektohen të gjitha procedurat e prokurimit dhe në raportet e Auditimit të mos ketë të gjetura tjera në këtë fushë”, thuhet në përgjigjen e Kelmendit për Insajderin.

    E pranon ish-Sekretari: Nuk u bë planifikimi i duhur

    Në lidhje me tenderin “Drenazhimi i FSHMN, Filozofik, Filologjik”, sipas Kelmendit “Alfa.i” e Halil Jahjajt, kompania mbikëqyrëse e kontraktuar nga UP (G i O Ekonomik  “P.M.N” SH.P.K. & “PROing&Partners”  SH.P.K), menaxheri i kontratës dhe ZPP, kishin konstatuar se në kontratën bazike të përgatitur nga OE përgjegjës për përgatitjen e paramasave dhe parallogarive, sasi të caktuara të materialit dhe punëve nuk ishin planifikuar siç duhet.

    Edhe pse nuk u bë përgatitja siç duhej, ai thotë se “me qëllim të zbatimit të procedurave të rregullta ligjore siç kishin rekomanduar edhe auditorët e jashtëm, kam kërkuar nga të gjithë zyrtarët e prokurimit, dekanët, kompania mbikëqyrëse dhe menaxheri i kontratës, që asnjë punë shtesë të mos lejohet pa u ndjek zingjiri i kompetencave, përkatësisht pa u miratuar kërkesat e tilla nga personat kompetent siç e parasheh LPP, e jo siç ashtu kishte ndodhur në disa raste në të kaluarën kur punët shtesë ishin lejuar vetëm me pëlqim të menaxherit/mbikëqyrësit të kontratës apo vetëm të ZPP, por jo edhe të ZKA-së”.

    Duke e ditur që auditori i brendshëm ka konstatuar se mos-ndërprerja e kontratës për “Alfa.i” kur u tejkaluan pozicionet, në raste edhe më shumë se 100 përind, dhe u lidh kontratë e re aneks, prapë jashtëligjshëm sipas auditorit, Kelmendi përgjegjësinë ia lë Zyrës së Prokurimit.

    “Pra përfundimisht unë në cilësinë e ZKA-së (Zyrtarit Kryesor Administrativ) dhe Rektori si personi juridik i autorizuar i institucionit, kemi nënshkruar kontratën kur na është sjellë nga ZPP (Zyra e Prokurimit) dhe na është thënë se kontrata mund të nënshkruhet sepse është në përputhje me LPP”, thotë ai për Insajderin.

    Rektori thotë që tashmë ka nisur hetimi i Policisë

    “Sa i përket pyetjeve lidhur me prezencën e ndonjë lidhjeje ndërmjet zyrtarëve të UP-së dhe mundësisë së favorizimit të operatorit ekonomi nga ndonjë zyrtar apo instancë e UP-së, zyra e rektorit nuk posedon asnjë fakt” i ka thënë Insajderit zyra e Rektorit Naser Sahiti.

    Nga zyra e njeriut kryesor në UP kanë thënë për Insajderin dyshimet për rregullsinë e aktivitetit dhe ligjshmërinë e kontratës me “Drenazhim i FSHMN, Filozofik, Filologjik – Punë të  paparashikuara” janë ngritur nga vet instancat brenda Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

    “Me qëllim të konstatimit të dyshimeve, rektori i UP-së, Prof. Dr. Naser Sahiti, ka kërkuar marrjen e veprimeve nevojshme ligjore. Për pasojë është realizuar auditim i veçantë nga zyra e auditimit të brendshëm e UP-së. Mbështetur në gjetura e Raportit …i datë 1.6.2022, janë konfirmuar dyshimet se në procesimin e kontratës në fjalë ka pasur shkelje të legjislacionit të prokurimit publik. Përsëri, me kërkesën e rektorit të UP-së, për adresimin e këtyre shkeljeve dhe marrjen e veprimeve ligjore, u.d. i sekretarit të përgjithshëm të UP-së, ka dërguar lëndën në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Rektoratit për Insajderin.

    Ata i kanë konfirmuar Insajderit se lidhur me këtë rast, kjo Drejtori e Policisë tashmë ka kontaktuar autoritetet e Universitetit dhe është në proces të zhvillimit të hetimit .

    Firma e Halil Jahjajt flet për tenderin 1.7 milionësh

     Për këto dy kontrata, që auditori i brendshëm i sheh si të dyshimta e mos-ndërprerjen e të parës e nënshkrimin e të dytës e konstaton si shkelje e Ligjit të Prokurimit, Insajderi ka kontaktuar edhe me firmën private përfituese e tyre.

    Nga kompania “Alfa.i”, pronë e Halil Jajajt i kanë thënë Gazretës Insajderi se nuk e din as janë audituar dy kontratat e tyre, derisa kanë mohuar që njihen me ndonjë nga nënshkruasit e këtyre kontratave nga UP-ja.

    “Kompania Alfa.i dhe pronari I  saj z. Halil Jahaj nuk kane asnjë lidhje me zyrën e prokurimit te UP, as me rektorin z. Naser Sahiti dhe as me ish-sekretarin z. Esat Kelmendi”, thuhet në përgjigjen e tyre

    Derisa Insajderi po vazhdonte raportimet për aferën prej 30 mijë eurosh të ryshfetit, ku ishin përmendur emrat e biznesmenit Halil Jahja, Ministrit Liburn Aliu e këshilltarit të tij, nipit të Jahjajat, Florent Ramqaj, gazeta kishte publikuar edhe një dokument ku shihej se Ministri Aliu e biznesmeni Jahjaj ishin anëtarë të një bordi brenda UP-së.

    Nga firma “Alfai”, mohojnë që ky fakt mund të ketë ndikuar që ata ta fitonin tenderin prej 1.7 milionë eurosh po nga UP-ja.

    “Anëtarësia e z. Jahaj ne Bordin Industrial te Fakultetit te Ndertimtarise nuk ka asnje lidhje me aktivitetin ekonomik te kompanisë”, thuhet në përgjigjen e kompanisë për Insajderin.

    Derisa Rektorati i ka konfirmuar Gazetës Insajderi se dyshimet e ngritura nga zuditori i brendshëm për shkelje të Ligjit në tenderin 1.7 milionësh që e fitoi “Alfa.i” tashmë po hetohet nga Policia, nga kjo kompani thonë që ende nuk janë kontaktuar nga hetuesit.

    Po për dërgimin e rastit në Policinë e Kosovës, Insajderi ka siguruar edhe letrën që e ka dërguar ushtruesi i detyrës së Sekretarit të UP-së, Besfor Ktasniqi.

    Krasniqi këtë kërkesë për hetim e ka dërguar vetëm pak ditë pasi kishte pranuar raportin e auditimit të brendshëm, ku subjekt i auditimit ishin edhe dy kontratat e firmës “Alfa.i” dhe ku ky mekanizëm i brendshëm alarmon për së paku dy shkelje serioze: mos-ndërprerja e kontratës kur u pa që pozicionet po ndryshoheshin në mënyrë drastike, në një rast edhe mbi 1595 përqind, dhe kur u lidh kontratë e re, që sipas po të njëjtit raport, ishte veprim i jashtëligjshëm.

    Audtitori i Jashtëm konstaton se nuk duhej të i jepej tenderi 1.7 milionësh kompanisë “Alfa.i”

    Për shkelje në këtë tender të fituar nga firma e biznesmenit Halil Jahjaj ka raportuar edhe Zyra Kombëtare e Auditimit(ZKA). Ky institucion madje shkon edhe më thell, konstaton që edhe kur u nënshkrua kontrata e parë me “Alfa.i”, ishte bërë në mënyrë të jashtëligjshme. Pra, sipas ZK, tenderi prej 1.7 milionësh nuk duhej ti jepej fare firmës së Halil Jahjajt.

    “Tek dosja e tenderit për kontratën “Drenazhimi, Kanalizimi, Ujësjellësi në Filologjik, Fakulteti i Shkencave Matematiko Natyrore-FSHMN ,Filozofik”Lot 1-në vlerë 1,734,655 €”, në kuadër të kapaciteteve teknike dhe profesionale ishte kërkuar si kriter “polica e sigurimit nga kompanitë e licencuara të sigurimit që operojnë në RKS për vende punishte dhe palë të treta në vlerë 2,000,000€”. OE fitues (Alfa.i), nuk kishte dorëzuar Polisën e sigurimit (kontratën specifike të përgatitur dhe të lëshuar nga siguruesi, për të mbuluar një rrezik specifik ose një numër të veçantë të rreziqeve sipas kushteve të përcaktuara), por vetëm një draft kontratë për aplikim të tenderit të lëshuar nga një kompani e sigurimit”, thuhet në raport.

    Auditori i Jashtëm tregon edhe arsyen se pse nuk u dsht ti jepej tenderi 1.7 milionësh firmës së biznesmenit Halil Jahjaj pa e dorëzuar policën e sigurimit “Në raste dëmtimeve ndaj palëve të treta apo dëmtimeve material të pasurisë, mund të mos kompensohen dëmet e kompanisë dhe të rrezikohet përmbushja e kontratës nga ana e saj”, konstaton ZKA.

    Sipas Auditorit të Jashtëm, tenderi iu dha megjithatë firmës “Alfa.i” “për shkak se me rastin e vlerësimit të ofertave, komisioni i vlerësimit nuk kishte marrë parasysh kriteret e parapara me dosjen e tenderit”.

    Të zënë ngushtë nga Audtorit i jashtëm, UP-ja kishte pranuar që e la të pa definuar këtë kriter që potencialisht mund ta rrëzonte nga gara për ta fituar tenderin 1.7 milionësh firmën “Alfa.i”.

     “Fillimisht ju njoftojmë se në dosjen e tenderit ky kriter nuk ishte definuar se kjo polic a duhet të dorëzohet para nënshkrimit të kontratës apo me ofertën financiare. Te katër (4) OE kanë dorëzuar draft-kontratë në mes OE dhe kompanive të sigurimit. Sa i përket tek OE i kontraktuar nga UP-ja (Alfa.i), rreth këtij dokumenti, zyra e prokurimit ka kërkuar sqarim nga Kompania Sigurimeve …, ku është konfirmuar se dokumenti është lëshuar sipas kërkesës së OE dhe iqëndrojnë mbrapa këtij dokumente”.

    Sqarimet për ‘draft-kontratë” nuk e kanë bindur Audtorin e Përgjithshëm dhe këmbëngul se dhënia e këtij tenderi të madh për firmën “Alfa.i” vazhdon të konsiderohet shkelje e Ligjit nga UP-ja.

    “Me dosjen e tenderit është kërkuar si kriter “polica e sigurimit”. Çdo dokument tjetër i ofruar, nuk është relevant, bazuar në kërkesën specifike te Dosja e Tenderit”, përfundon debatin me UP-në Zyra Kombëtare e Auditimit./GazetaInsajderi

    Lexo edhe:

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark