Insajderi
Analiza

Tenderi për renovimin e kompleksit të varrezave të dëshmorëve përfundon në Gjykatën e Tenderëve

Insajderi
24 September 2026 - 15:37
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Tenderi për renovimin e kompleksit të varrezave të dëshmorëve përfundon në Gjykatën e Tenderëve
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Tenderi për ndërtimin, rehabilitimin dhe renovimin e Kompleksit të Varrezave të Dëshmorëve të UÇK-së në Kaçanik ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), pas një ankese të njërit prej operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në këtë aktivitet të prokurimit.

Kompania “Engineering RK” ka kundërshtuar procesin e vlerësimit të ofertave, duke pretenduar se Komuna e Kaçanikut nuk i ka vlerësuar ofertat në përputhje me kërkesat e përcaktuara në dosjen e tenderit dhe dispozitat e ligjit për prokurimin publik, shkruan Insajderi.

Kritikat kryesore të kompanisë janë adresuar ndaj grupit të operatorëve ekonomikë “EKO TERM SH.P.K. & ILIRIA MERMER SH.P.K.”, i cili në ankesë përmendet si grupi i shpallur fitues.

Sipas “Engineering RK”, në dokumentacionin e këtij grupi ka pasur, ndër të tjera, kontrata pune me paga që, sipas ankuesit, nuk përputhen me pagën minimale.

Për një nga punëtorët, ankuesi pretendon se kontrata ishte lidhur me pagë prej 425 eurosh, ndërsa për menaxherin e kontratës, pretendohet se ishte paraqitur një kontratë me pagë prej vetëm 100 eurosh në muaj.

“Ing. i ndërtimtarisë z. Shaban Krasniqi si menagjer i kontratës ka kontratë jovalide sepse vlera prej 100.00 euro nuk korrespondon me pagën minimale”, thuhet në ankesë.

Kompania e vlerëson problematike faktin se, sipas saj, vetë kontrata e paraqitur nga grupi fitues përcaktonte se paga nuk duhej të ishte më e ulët se paga minimale.

“Është interesante fakti që në kontratën e prezentuar nga vetë grupi ceket që paga prej 100.00 në muaj nuk duhet të jetë më e vogël se paga minimale”, thuhet më tej në dokument.

Pretendime të ngjashme janë ngritur edhe për gjeodetin e propozuar nga grupi fitues, për të cilin ankuesi thotë se kishte kontratë me pagë prej 200 eurosh.

“BSc i Gjeodezisë z. Rexhe Sopa si gjeodet ka kontratë jovalide sepse vlera prej 200.00 euro nuk korrespondon me pagën minimale”, thuhet në ankesë.

“Engineering RK” pretendon gjithashtu se disa punëtorë të tjerë të paraqitur në ofertën e grupit fitues kishin kontrata me pagë prej 425 eurosh dhe se, sipas kompanisë, këto kontrata nuk mund të konsideroheshin të vlefshme.

Përveç çështjeve që lidhen me kontratat e punëtorëve, ankuesi ka ngritur pretendime edhe për dokumentacionin profesional dhe vendimin për udhëheqësin e punishtes.

Në përfundim të kësaj pjese të ankesës, kompania pretendon se problemet e evidentuara e bëjnë ofertën e grupit fitues të papërgjegjshme.

“Nga të gjeturat e mësipërme konsiderojmë që oferta e GOE të shpallur fitues nuk plotëson kërkesat e AK dhe si e tillë është e papërgjegjshme”, thuhet në dokument.

Sipas përshkrimit teknik në dosjen e tenderit, projekti parasheh rehabilitimin, renovimin dhe përmirësimin e gjendjes infrastrukturore dhe estetike të Kompleksit të Varrezave të Dëshmorëve në Kaçanik, me synim krijimin e një ambienti “dinjitoz, funksional dhe reprezentativ”, në përputhje me vlerën historike të këtij kompleksi memorial.

Në dokumentin teknik thuhet se nga inspektimi i gjendjes ekzistuese është konstatuar se sipërfaqet e kompleksit janë të amortizuara dhe të degraduara si pasojë e ndikimeve atmosferike, konsumimit shumëvjeçar dhe dobësimit të materialeve ndërtimore.

Sipas përshkrimit, hapësirat për qarkullim dhe lëvizje janë të shtruara me rrasa guri të lidhura me llaç çimentoje, të cilat në pjesë të ndryshme kanë pësuar çarje, shkëputje, deformime dhe dëmtime të konsiderueshme strukturore e estetike.

Gjendje të dëmtuar, sipas dokumentit, paraqesin edhe elementet e varreve të veshura me pllaka graniti, ku janë evidentuar çarje, humbje të stabilitetit dhe konsumim sipërfaqësor. Në dokument theksohet se gjendja aktuale e këtyre elementeve “nuk reflekton gjendjen dhe trajtimin që e meritojnë varrezat e dëshmorëve”.

Për këtë arsye, projekti parasheh ndërhyrje rehabilituese dhe restauruese në hapësirat funksionale të kompleksit, përfshirë shtigjet e komunikimit, shkallët, platotë, pjesët anësore dhe elementet përcjellëse ndërtimore.

Kuvendi i Komunës së Kaçanikut pranoi gjithsej gjashtë oferta nga operatorët ekonomikë konkurrues. Ofertën me vlerën më të ulët financiare e dorëzoi kompania “Edona” Sh.p.k. me shifrën prej 85,292.00 eurove.

Më pas renditej grupi i operatorëve ekonomikë Eko Term SH.P.K. dhe ILIRIA MERMER SH.P.K. me ofertë prej 124,213.00 eurove, i pasuar nga grupi Milazim S. Shala dhe Pro Construct SH.P.K. me vlerë prej 130,000.00 eurove.

Ofertat e tjera të dorëzuara përfshijnë kompaninë PLUS TRADE L.L.C. me 131,388.00 euro, kompaninë ENGINEERING RK SH.P.K. me 144,444.44 euro, si dhe N.T.SH. “AR – DRITI”, e cila paraqiti ofertën me çmimin më të lartë prej 148,997.50 eurove.

Pas përfundimit të procedurave të vlerësimit, Komuna e Kaçanikut mori vendim për t’i shpërblyer me kontratë grupin e operatorëve ekonomikë Eko Term SH.P.K. dhe ILIRIA MERMER SH.P.K., në vlerë të përgjithshme prej 124,213.00 eurove. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark