
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit për Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) për vitin 2024, ku pos tjerash e ka përmendur edhe shmangiet ligjore që janë bërë në një tender të vitit të kaluar.
Bëhet fjalë për tenderin që ishte dhënë me “izë” të Adi Krastës, atëbotë zëvendësdrejtor i televizionit publik, një kompanie nga Shqipëria për realizimin e dizajnit dhe grafikave për festivalin e RTK’së, shkruan Insajderi.
ZKA’ja thotë se aty nuk kanë arritur ta arsyetojnë pse iu janë shmangur konkurrencës për ofrim të shërbimit të dizajnit.
““Gjatë vitit, 2024 RTK kishte lidhur kontratë duke përdorur procedurën e negociuar pa publikim për lidhjen e një kontrate për “Realizimin e dizajnit dhe grafikeve për Festivalin e Këngës në RTK 2024” në vlerë prej 10,150€ me një kompani nga Shqipëria, pa dokumentuar qartë arsyetimin ligjor për shmangien e publikimit dhe konkurrencës. Nuk ishte evidentuar ndonjë situatë emergjente, as ndonjë rrethanë që e bënte të pamundur zbatimin e procedurave të tjera të hapura apo të kufizuara, siç kërkohet nga Ligji për Prokurimin Publik”, thuhet në raportin e ZKA’së.
Lidhur me çështjen e kontraktimit të kompanisë për dizajn grafik nga Shqipëria, raporti citon vendimin e aprovuar nga Krasta për fillimin e kësaj procedure, ku arsyetohej: “…mungesa e stafit të profilizuar për dizajnimin grafik ka shfaqur nevojën që për festivalin e këngës të angazhohen shërbime nga jashtë RTK-së”.
ZKA’ja përmend edhe çështjen e veturave, për sigurimin e tyre nëpërmjet kontratës së negociuar.
“Gjithashtu, RTK nuk kishte arritur të bënte zgjidhje afatgjatë ose me kohë për shfrytëzimin e veturave për nevojat e RTK-së edhe pse kishte kontratë publike për 60 muaj. Pas skadimit të kësaj kontrate kishte përdorur procedurë të negociuar për kontratën ‘Shfrytëzimi afatshkurtër i veturave për nevojat e RTK-së’ në vlerë 33,900€“, thotë raporti i ZKA’së tutje.
Gazeta Insajderi kishte raportuar për tenderin e dhënë nëpërmjet procedurave negociuese për firmën nga Tirana e Shqipërisë.
“AK CREATIVE” ishte kompania e zgjedhur fituese për realizimin e dizajnimit dhe grafikave për Festivalin e Këngës në RTK për vitin 2024. /Insajderi.org/